POLITIKATË FUNDIT

Transportuesit privat vazhdojnë me bllokadat në bulevardin “Ilinden”, e kanë një ftesë për qytetarët

Bllokada e autobusëve privat në Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Bllokada e autobusëve privat në Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Transportuesit privat të autobusëve sot pasdite për MIA-n informuan se autobusët e tyre tani për tani mbeten të parkuar në bulevardin “Ilinden” para Qytetit të Shkupit.

“Secili që dëshiron ta sjellë fëmijën e vet apo nipin, t’i shohin autobusët brenda, të ulen në karrigen e vozitësit, ta mbajnë timonin me dorë, të ndjehen si vozitës autobusi… urdhëroni, jeni të mirëseardhur, ndërkaq e tërë kjo do të mbikëqyret nga personi i angazhuar për mbikëqyrje në praninë Tuaj”, thonë për MIA-n nga shoqata e transportuesve privatë “Slloboda prevoz”.

Transportuesit privat porosisin se ndodhen në lokacionin e cekur 24 orë, ndërkaq koha më ideale për vizitë është prej orës 9:00 deri në orën 17:00.

Ndryshe, transportuesit privatë vazhdojnë të bllokojnë bulevardin “Ilinden” afër Qytetit të Shkupit. Korsitë janë bllokuar në bulevardin në shtrirjen nga Fontana në Parkun e Qytetit deri në udhëkryqin në SPQ “8 Shtatori”.

Transportuesit privatë nga “Sloboda prevoz” dhe “Makekspres” kanë nisur bllokimin e kryeqytetit më 28 nëntor, kur me rreth 30 autobusë në udhëkryqin afër Mavrovkës, gjegjësisht në bulevardet “Goce Dellçev” dhe “Kërste Petkov Misirkov” kërkuan që t’iu paguhen borxhet, në mënyrë që të fillojnë përsëri punën.

Pasi nuk pati rezultat, më 5 dhjetor të këtij viti, transportuesit privatë bënë një bllokadë më të madhe duke vendosur rreth 200 autobusë në disa pika kryesore të kryeqytetit, pra në udhëkryqet përballë qendrës tregtare “Mavrovka”, Kryqi i kuq, si dhe bulevardi “Ilinden”. Të premten kanë zhbllokuar udhëkryqet në afërsi të Mavrovkës dhe Kryqit të Kuq dhe kanë paralajmëruar se bllokada do të vazhdojë vetëm para barkave të Qytetit të Shkupit deri në zgjidhjen e problemit të tyre, ndërsa ata tashmë kanë ofruar kompromis.

Bllokada e transportuesve privatë vazhdon në bulevardin “Ilinden”

Portalb.mk paraprakisht shkruajti se qytetarët e Shkupit e vazhdojnë ta paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve mes transportuesve privat dhe Qytetit të Shkupit, derisa Qeveria rri anash dhe shpallet jokompetente për t’ia marrë kompetencat Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik për ta rregulluar çështjen e transportit publik, i cili është jetik për funksionimin e kryeqytetit.

Autobusi që duhet të vijë në 7-8 minuta vjen në 30 minuta e 1 orë. Grumbuj qytetarësh mund të vërehen në çdo stacion autobusi duke pritur për t’u ngjitur në autobusët, të cilët për shkak vonesave janë të stërmbushur me udhëtarë. Në atë gjendje, nxënës, punëtorë, të moshuar, të sëmurë detyrohen të shtypen njëri me tjetrin vetëm për të arritur në destinacionin përkatës, pasi që për autobusin e radhës duhet të presin kushedi sa. Por, ka raste kur për shkak të stërmbushjes, autobusët fare nuk ndalojnë në stacione.

Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

Pas disa ditësh, Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”, që nënkupton të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

F1 C Send an email 19:47, 12-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *