POLITIKA

Kurti: Serbia dëshiron që ta vazhdojë luftën që e humbi në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ajo që e dinin gjatë gjithë kohës u shpërfaq në mënyrën më të egër të mundshme.

Ai ka thënë se pas 23 vjetëve nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia kërcënoi përsëri me luftë dhe rikthimin e trupave ushtarake.

Kurti ka thënë se Beogradi zyrtar sot po flet e sillet si para 23 vjetëve.

“Serbia nuk po e fsheh që kërkon rikthim në Kosovë, në esencë kërkon që ta vazhdojë luftën. Luftën që e humbi dhe kapitullimin që e pranoi në Kumanovë në vitin 1999. Mohimi i shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë përbënë kërcënim të vazhdueshëm. Në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë. Pakoja e Ahtisarit mbeti përherë e dhimbshme përkundër kundërshtimit me protesta popullore. Integrimi i vërtetë i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialogu”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se me kriminelë si Radojçiq dhe Veselenoviq bëhej marrëveshje edhe për të formuar qeverinë por edhe për të blerë qetësinë në veri të Kosovës.

Sipas tij, një situatë e tillë është e papranueshme për një shtet demokratik si Republika e Kosovës.

Ai ka thënë se sundimi i ligjit është dëshmia që ka republikë mbi qeverinë, por edhe rregull të përbashkët mbi çfarëdo politike të pjesshme.

“E kemi thënë që nga fillimi që Qeveria është e interesuar për bashkëpunim me të gjithë serbët. Ne jemi qeveria më demokratike dhe progresiste në rajon. Duam që serbët të marrin pozitat që u takojnë. Këto mesazhe i kemi dërguar çdo ditë. Serbia përmes grupeve kriminale dhe duke shfrytëzuar mungesën e ligjit të plotë në veri, po i mbanë peng qytetarët serbë. Për shkak të brishtësisë së situatës, kemi toleruar shtyrjen e veprimeve tona. Ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë veprim që kemi marrë”, ka thënë ai.

Sipas tij, paligjshmëria nuk do të tolerohet.

Ai ka thënë se Serbia dëshiron kthim të luftës kur ka kryer gjenocid në Kosovë.

Kurti ka thënë se serbët janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të distancohen nga grupet kriminale.

“Ne jemi qeveri e paqes që do ta ruajë sigurinë e të gjithë qytetarëve. Militarizimi i Serbisë na ka sjellë në këtë gjendje. Ky militarizim është kërcënim për gjithë rajonin tonë. Ne pas mbledhjes erdhëm në vendim për më shumë vigjilencë e siguri”, ka thënë ai.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se dialogu nga 18 gushti ka rend logjik.

Kurti ka thënë se është legjitime që për çështjen e komuniteteve joshumicë, njëra palë të besojë që ka një model më të mirë.

Ka thënë se është i gatshëm e i interesuar që sa më parë të arrihet një marrëveshje me njohje reciproke në qendër.

Ai ka shtuar se gjendja në Beograd ka ardhur edhe për shkak të shkallës së përparimit të Kosovës.

Sipas tij, Beogradi dëshiron që nga Franca e Gjermania të shkohet te Kina e Rusia.

“Kryeministrja e Serbisë e zgjodhi Kinën të japë deklarata për rikthimin e ushtrisë në Kosovë. Nga Kina e tha këtë. Është interes i Beogradit që Kinën t’ia afrojë Serbisë e së bashku në Këshillin e Sigurimit të bisedojnë për Kosovën”, ka thënë ai.

Kurti i ka bërë thirrje KFOR-it që të garantojë lirinë e lëvizjes.

“Ne po presim. KFOR-i po kërkon pak kohë që të kryejë punë shpejtë, prandaj ne po presim. Unë besoj që ne po zgjidhim rrugën më të mirë të mundshme. Po del qëllimi i vërtetë i dorëheqjes së policëve të udhëhequr nga Beogradi. Po del që urdhri i Beogradit që të dore hiqen serbët nga Policia në Kosovë është bërë në mënyrë që kur bandat të qëllojnë mbi uniformat e Kosovës të sigurohet që nuk ka serbë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se po të mbaheshin zgjedhjet në datat e planifikuara, serbët do të ishin të vetmit që do të frikësoheshin të dilnin në zgjedhje.

Sipas tij, shtyrja nuk është bërë për shqiptarët, por për serbët.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia po bën planet e saj operative dhe se në momentin që do të vlerësojë heqjen e barrikadave, do ta bëjë.

“Policia e Kosovës ka kapacitetet e duhura që barrikadat të hiqen. Ajo bënë planet e saj operative dhe në momentin që ata e vlerësojnë të duhur, nëse barrikadat nuk hiqen ata do t’i marrin veprimet e duhura. Mos të harroj të them se gjithë kjo është duke ndodhur në bashkëpunim me partnerët tanë, KFOR-in e EULEX-in dhe shtetet e QUINT-it dhe shumë shpejt do të mbërrijmë në situatën ku nuk do të ketë barrikada”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *