Shtyrja e zgjedhjeve në veri, Çitaku: Dështim i Qeverisë – gjendjen në veri mos e trajtoni në Facebook
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën për media pas takimit me partitë politike për konsultim lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore, ka njoftuar se të njëjtat janë shtyrë për në muajin prill të vitit të ardhshëm, pa dhënë datën e saktë.
Megjithatë, Klan Kosova ka mësuar nga burime brenda takimit se data për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është caktuar 30 prilli.
Në këtë takim, e pranishme ishte edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila u deklarua për media pas takimit, duke thënë se shtyrja e zgjedhjeve për më shumë se 4 muaj është dështim i Qeverisë.
Çitaku ka shtuar se, PDK-ja është bashkuar në konsensus për t’i shtyrë zgjedhjet, pasi që e vetme nuk dëshiron të kandidojë në veri.
“Kemi shpallur kandidaturat për zgjedhje në komunat veriore, sepse mospjesëmarrja jonë në këto zgjedhje do të inkurajonte edhe më tej grupet dhe bandat kriminale. Sot presidentja na ftoi në një takim konsultativ për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Ajo që dëgjuam qartë është se institucionet e Kosovës, përkatësisht Qeveria e Republikës së Kosovës ka dështuar të krijojë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në vend. PDK-ja nuk mund të hyjë e vetme në zgjedhje në veri, sepse ishte mendim i të gjitha subjekteve politike që këto zgjedhje të shtyhen, dhe ne iu bashkuam këtij konsensusi”, tha Çitaku.
Megjithatë, ajo tha se nga tash deri në prill kur mund të mbahen zgjedhjet, qeveria dhe institucionet, Policia e Kosovës e kryeministri, gjendjen në veri ta trajtojnë seriozisht.
“Shumë pak mund të ndryshojë gjendja në terren, në rast se qasja e institucioneve të Kosovës nuk ndryshon. Ne si shtet nuk guxojmë të dorëzohemi para bandave kriminale të vendit. E kuptuam sot që institucionet e Kosovës nuk janë gati. Ky është dështim. Megjithatë, për hir të konsensusit në vend ne do të marrim pjesë në zgjedhjet e prillit, kurdo që caktohet data, dhe kërkojmë nga institucionet e Kosovës që gjendjen në veri ta trajtojë më seriozisht e jo përmes tastaturave të Facebookut”, ka thënë Çitaku.
Ajo theksoi se gjendja në veri është gjithmonë sfiduese, ndërsa shtoi se është e qartë se Serbia synon ta destabilizojë tërë Kosovën duke u mundur që të nxisë një konflikt të brendshëm, mirëpo tha se “ne duhet të jemi më të vëmendshëm dhe të koordinojmë hapat me kohë”.
“Sikur Qeveria, përkatësisht kryeministri, të kishte marrë parasysh rekomandimet tona para pak muajsh lidhur me targat, sikur t’i kishte marrë parasysh rekomandimet e aleatëve tanë, nuk do të ishim në këtë gjendje ku jemi sot. Për PDK-në, Republika është gjithmonë e para, ne do ta mbajmë konsensusin, jemi opozitë shtetndërtuese, e jo rrënuese. Imagjinoni si do të dukej një ditë si kjo nëse partia që është sot në pushtet do të ishte në opozitë. Ne nuk duam t’i riciklojmë modelet e kaluara të opozitbërjes”, u shpreh Çitaku. /Klankosova.tv