POLITIKA

Kosovë, në Mitrovicën e Veriut ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm i mjeteve piroteknike

Një shpërthim ka ndodhur në afërsi të vendbanimit “Tre rrokaqiejt” në Mitrovicën e Veriut rreth orës 22:00, por Policia e Kosovës ka konfirmuar se shpërthimi është shkaktuar nga mjetet piroteknike.

Zv/drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Besim Hoti, ka konfirmuar për mediat kosovare se mjetet piroteknike kanë prodhuar zhurmë të fuqishme, por nuk kanë shkaktuar dëme.

“Nuk ka asnjë rrezik”, ka thënë Hoti.

Ditët e fundit në veri të Kosovës janë regjistruar disa shpërthime të shkaktuara nga mjete piroteknike, shok-bomba, granata dore, ndërsa ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri.

Mbrëmë është sulmuar edhe një njësi policore gjatë patrullimit në fshatin Serbovc, komuna e Zveçanit, ku një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë.

Sulmi ka ndodhur pasi Policia e Kosovës ka dërguar përforcime policore në veri të Kosovës.

Incidentet u regjistruan ditëve të fundit për shkak të përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, të planifikuara për 18 dhjetor, pasi përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë dhe gjyqësorin.

Dorëheqja e përfaqësuesve serbë nga institucionet kosovare erdhi si shenjë proteste e tyre ndaj mosmarrëveshjes për targat e automjeteve.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar duke theksuar se sulmet që cënojnë sigurinë e vendit, qytetarëve dhe zyrtarëve policorë, janë të pa pranueshme.

“Duhet angazhim i gjithsecilit që kryesit e këtyre veprave, pa dallim etnie, të sillen sa më parë para drejtësisë. Policia e Kosovës dje ka arrestuar një qytetar të etnisë serbe për sulm ndaj zyrtarëve policor dhe sot është arrestuar një tjetër qytetar të etnisë serbe i cili po ashtu ka qenë në kërkim për sulme ndaj zyrtarëve polico”, u shpreh ministri Sveçla.

Ai gjithashtu tha se lufta kundër krimit dhe rritja e sigurisë për qytetarët pa dallim, nuk kanë alternativë.

“Do të vazhdojmë angazhimin maksimal që të gjithë kryesit e veprave kriminale e terroriste të sillen para drejtësisë. Me përkushtimin e të gjitha institucioneve, gatishmërinë e zyrtarëve policor dhe bashkëpunimin qytetar, do ia dalim mbanë”, është shprehur Sveçla.AA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *