POLITIKA

Situata e sigurisë në veri – Deklarohen nga KFOR-i

Misioni i KFOR-it është duke përcjellur nga afër situatën e sigurisë në veri të vendit pas zhvillimeve të fundit.

Në një deklaratë, nga KFOR kanë thënë se janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse është e nevojshme.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

“Ne po monitorojmë nga afër situatën. Ne jemi vigjilentë dhe jemi të gatshëm të ndërhyjmë nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Nga ky mision kanë bërë thirrje që të dyja vendet të shmangin veprimet dhe gjuhën që mund të rris tensionet. Për më tepër kanë kërkuar që Kosova e Serbia të angazhohen në dialogun politik.

“Është e rëndësishme që të dyja palët të shmangin retorikën dhe veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun politik”.

“KFOR-i qëndron i përkushtuar të vazhdojë ofrimin e kornizës së sigurisë në të cilën dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të ecë përpara. Ky është çelësi për sigurinë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin në të gjithë rajonin”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Kujtojmë se pasditen e së enjtes Policia e Kosovës ka shtuar numrin e pjesëtarëve të saj në pjesën veriore të vendit. Para dy ditësh është sulmuar zyra e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, ndërkohë që në vazhdimësi janë dëgjuar të shtëna të armëve.

Kurse mbrëmë në ora 23:00, gjatë kohës kur njësitet policore kanë qenë në patrullim në Zveçan janë sulmuar nga disa persona.

Një polic i moshës 40 vjeçare është plagosur me armë, derisa plumbi ka përfunduar në shpatullën e tij.

“Sot me datë 08.12.2022, rreth orës 23:00, në fshatin Serbovc, Komuna e Zveçanit, Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasoj e incidentit, një pjesëtarë i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për gjendjen e tij shëndetësore ka folur drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Luljeta Zhubi.

Zhubi ka konfirmuar se polici është plagosur me plumb në shpatull, teksa ka shtuar se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë.

Ajo shtoi se zyrtari policor për tretman të më tutjeshëm është dërguar në Prishtinë.

“Po mbrëmë ka ardhur polici i plagosur me një plumb tek shpatulla, ka marrë ndihmën mjekësore ka qenë mbrëmë i shtrirë në repartin e Ortopedisë, jashtë rrezikut për jetë është transferu në Prishtinë për tretman ma të tutjeshëm”, ka thënë ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *