Samiti në Tiranë – drejt integrimit të përshpejtuar dhe/ose gradual?
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.
Samiti i Tiranës që u mbajt më datën 6 dhjetor cilësohet si “samiti i parë i mbajtur në ndonjë nga vendet e rajonit”. Për hir të së vërtetës, samiti i parë i mbajtur në një nga vendet e rajonit ishte ai në vitin 2000 që u mbajt në Zagreb, kur Kroacia jo vetëm gjeografikisht, por edhe formalisht i përkiste konglomeratit politik “Ballkani Perëndimor”. Megjithatë, ky nuk është aspak një krahasim negativ për Shqipërinë si nikoqire e samitit. Përkundrazi. Menjëherë pas Samitit të vitit 2000 Kroacia mori rolin e udhëheqëses së procesit të integrimit evropian në rajon dhe më pas “u largua” nga rajoni, i pari nga shtetet që i përkisnin atij. Krahasimet mekanike nuk janë të përshtatshme në kushtet e sotme të zgjerimit, por faktet janë fakte.
Të shohim se çfarë është ndryshe tek rezultatet e Samitit të këtij viti krahasuar me samitin e tetorit të kaluar në Bërdo të mbajtur gjatë presidencës sllovene.
E para, e pritshme dhe e qartë, situata e re gjeopolitike e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë lë gjurmë në Samit dhe në dokumentin përfundimtar – Deklarata e Tiranës. Kjo vihet re në dy aspekte të rëndësishme: deklaratat për perspektivën evropiane të shteteve të rajonit dhe pritshmëritë e theksuara nga “partnerët” për të treguar unitet me BE-në në orientimin strategjik. Aspekti i tretë i rëndësishëm është se Deklarata e Tiranës e promovon më fuqishëm konceptin e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor në BE.
Përderisa Deklarata e Bërdos vitin e kaluar pasqyronte një tendencë për të zbutur dhe zbehur angazhimin e vendeve anëtare për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Deklarata e Tiranës i jep fund kësaj tendence. “Mbështetja unanime” e perspektivës europiane për Ballkanin Perëndimor në Deklaratën e Tiranës u bë një “angazhim unanim”. As në këtë deklaratë nuk ka vend për fjalët “aderim” apo “negociata për anëtarësim”. Për Shqipërinë dhe Maqedoninë është e mirëpritur “mbajtja e konferencave të para ndërqeveritare”, e jo fillimi i negociatave. Megjithatë, për dallim nga viti i kaluar, këtë vit kërkohet edhe “përshpejtim i procesit të anëtarësimit”, kuptohet mbi bazë të kushteve strikte.
Këtë vit nuk ka ndryshime të rëndësishme në definimin e kushtëzimit në aspektin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit rajonal. Mbeten kërkesat për reforma në fushën e sundimit të ligjit, me theks tek zbatimi. Qëndrimet e përgjithshme për mosmarrëveshjet dypalëshe janë identike me ato të vitit të kaluar. Kështu është edhe sa i përket kërkesës për zbatimin e marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë, e cila mbetet “e rëndësishme”. Sa i përket marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, edhe pse deklarata e sivjetshme është e “pasuruar” me pritshmëritë për konstruktivitet, respektim të marrëveshjeve të mëparshme dhe shmangie të mosmarrëveshjeve – këto janë qëndrime tashmë të njohura dhe të publikuara të shteteve anëtare dhe nuk flasin për ndonjë ndryshim.
Situata e re gjeostrategjike e përforcon kushtëzimin për harmonizim me qëndrimet e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë me BE-në, në të cilën tashmë janë shtuar shprehimisht edhe masat kufizuese, me çka bëhet presion për pranimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Rëndësia e harmonizimit të politikës së vizave të BE-së vihet në kontekstin e qëndrueshmërisë së regjimit pa viza në BE për qytetarët e rajonit.
Shtetet anëtare e elaborojnë në mënyrë më të detajuar ndihmën e BE-së dhe presin që shtetet e rajonit të shprehin një mirënjohje më eksplicite për të. Theksohet edhe pjesa e fundit e destinuar për tejkalimin e krizës energjetike, për të cilën megjithatë thuhet se është pjesë e IPA-s ekzistuese.
Dhe, në fund, për Deklaratën për roaming-un BE-Ballkan Perëndimor. Pasi pas disa vitesh negociatash dhe përgatitjesh përfundimisht u hoq roaming-u mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, i erdhi radha edhe kësaj çështjeje me BE-në. Për momentin, dokumenti i nënshkruar vetëm sa i detyron operatorët që të gjejnë një mënyrë për të arritur një kufizim të çmimit deri në maj të vitit 2023, ndërsa nga tetori i vitit 2023 të fillojnë me uljen e çmimeve. Dhe ky shembull në praktikë na tregon se si duket “integrimi gradual”. Në vend të një heqjeje më të shpejtë, qoftë edhe graduale të roaming-ut në të njëjtën kohë edhe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe me BE-në, ne kemi një proces që mund të zgjasë të paktën për dhjetë vjet. Kështu do të mendojnë ata kritikët. Ndërsa ata më pak kritikë do të thonë: “Edhe kjo është më mirë se asgjë”.
N. D. Send an email 09:13, 09-12-2022