POLITIKATË FUNDIT

Inspektorati i mjedisit jetësor punësoi tre inspektorë të rinj, dy për ujin dhe një për natyrën

Mbeturinat në Lumin Shkumbin Tetovë, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Mbeturinat në Lumin Shkumbin Tetovë, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

Tre inspektorë të rinj, dy për menaxhimin e ujërave dhe një për natyrën do të punësohen në Inspektoratin shtetëror për mjedis jetësor. Dy inspektorët për menaxhimin e ujit do të vendosen në Shkup, por do të punojnë në rajonet lindore dhe perëndimore. Nga ana tjetër, inspektori i natyrës do të jetë në Ohër. Me tre punësimet e reja, numri i inspektorëve aktivë në këtë institucion, i cili duhet të luftojë krimin ekologjik, do të rritet në 24, por edhe më tej mbetet larg numrit optimal prej 40, siç parashikon sistematizimi i punës, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i Inspektoratit, Sreten Stojkovski, thotë se konkurset për vendet e reja të punës tashmë janë publikuar dhe se janë të parapara në buxhetin e institucionit për këtë vit. Përveç inspektorëve, do të punësohen edhe dy administratorë, për mbështetje të TIK-ut dhe punë në zyrë, pasi siç thotë Stojkovski tani funksionojnë vetëm me një të punësuar në administratë.

“Këto punësime tashmë janë miratuar dhe është siguruar buxheti, ndërsa për vitin e ardhshëm kërkojmë punësime të reja. Kemi dërguar kërkesë për dhjetë vende të reja pune, por është refuzuar. Tani po përgatisim kërkesë të re, me dy herë më pak vende pune dhe shpresojmë që të miratohet. Kemi edhe 16 pozicione të lira derisa të arrijmë numrin e nevojshëm prej 40. Është mirë që në dy vitet e ardhshme nuk do të kemi pensione, kështu që deri atëherë do të mund ta rrisim gradualisht numrin e kolegëve të rinj”, thotë Stojkovski.

Për vitin e ardhshëm, nënvizon drejtori, pesë vendet e punës do të jenë për një inspektor mjedisi dhe katër administratorë. Ai bën të ditur se mund të realizohet marrje nga një institucion tjetër, që do t’i japë Inspektoratit një tjetër inspektor uji.

Vitin e kaluar janë punësuar dy inspektorë, kështu që numri i tyre ka shkuar në 21. Prej tyre shumica janë inspektorë mjedisi, dy janë inspektorë ujërash dhe vetëm njëri është inspektor i natyrës. Së bashku me shërbimin administrativ, Inspektorati Shtetëror, sipas sistematizimit të punës, duhet të ketë 53 punonjës. Problemet e Inspektoratit nuk ndalen vetëm me personelin, pasi atyre u mungojnë edhe hapësirat e punës, pasi zyrat e tyre dhe një pjesë e madhe e arkivit iu shkatërruan nga zjarri dy vite më parë. Ata nuk kanë as numër të mjaftueshëm veturash, sidomos ato për teren, ndaj kontrollet në objekte në terrene të paarritshme janë thuajse të pamundura.

I tillë është rasti edhe me inspektimet e hidrocentraleve të vogla, rast ky i konstatuar edhe nga Enti shtetëror për revizion. Ata vunë re se mungesa kronike e inspektorëve të ujit rezulton në mungesë të plotë të kontrollit të hidrocentraleve të vegjël. Inspektorët edhe nëse duan të kryejnë kontroll të një objekti të tillë, fillimisht duhet të raportojnë te koncesionarët në mënyrë që t’i pajisin me automjete, gjë që e bën kontrollin të pakuptimtë.

N. D. Send an email 10:46, 07-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *