Qeveria: Kurti e njoftoi Lajçakun se Kosova është në prag të aplikimit për anëtarësim në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslavj Lajçak, se shteti i Kosovës është në përfundim të procedurave që kërkohen për aplikim për anëtarësim në unionin evropian.
Kështu të paktën kanë bërë të ditur nga Zyra e Kryeministrit me anë të një komunikate lëshuar për media, pas takimit të Kurtit me Lajçak.
“Ai [Kurti] e njoftoi z. Lajčák që Qeveria është në përfundim të përgatitjeve për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
“Mbarëvajtja dhe dinamizimi i procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zhvillimet e fundit në Kosovë dhe çështje tjera aktuale ishin temat kryesore të takimit”, vijoi ndër të tjera deklarimi.
Ndonëse në njoftimin e Lajçak nuk u përmend anëtarësimi i Kosovës në BE, emisari i posaçëm i unionit njoftoi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe “hapat e ardhshëm” ishin pjesë e diskutimit me kreun e ekzekutivit kosovar.
Emisari Lajçak shtoi se me Kurtin diskutoi edhe për rrymën dhe çështjen e veriut.