“150 mijë franga dhe dy vite provë – rëndohet pozita e Granit Xhakës pas certifikatës së falsifikuar
Granit Xhaka dënohet me 150 mijë franga për certifikatën e falsifikuar të COVID-it
Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, është dënuar me urdhër penal nga Prokuroria e Lucernit lidhur me çështjen e certifikatës së falsifikuar të vaksinimit kundër COVID-19.
Futbollisti shqiptar ka konfirmuar se ndaj tij është nxjerrë një Strafbefehl (urdhër penal), pasi është shpallur përgjegjës për veprën penale të përfitimit të një vërtetimi të rremë.
Sipas vendimit, Xhaka është dënuar me 50 ditë-gjobë, me nga 3 mijë franga zvicerane për çdo ditë, që në total arrin në 150 mijë franga zvicerane.
Megjithatë, dënimi është shqiptuar me kusht, me një periudhë prove prej dy vitesh. Kjo nënkupton se shuma prej 150 mijë frangash nuk ekzekutohet menjëherë, për sa kohë që Xhaka nuk kryen një tjetër vepër penale gjatë periudhës së provës.
Çështja kishte shpërthyer në shtator, kur Prokuroria e Lucernit konfirmoi se kishte nisur hetime ndaj kapitenit të Zvicrës lidhur me një certifikatë të dyshuar si të falsifikuar. Hetimi përfshinte mundësinë e përfitimit të një vërtetimi të rremë dhe/ose falsifikimit të dokumentit.
Pak ditë më vonë, vetë Xhaka e pranoi publikisht se gjatë pandemisë kishte siguruar një certifikatë vaksinimi, duke thënë se në atë periudhë kishte pasur dyshime dhe pasiguri të mëdha lidhur me vaksinën. Ai kërkoi falje dhe deklaroi se do të bashkëpunonte plotësisht me autoritetet.
Pas publikimit të rastit, Xhaka nuk u grumbullua me Kombëtaren e Zvicrës për ndeshjet e Nations League. Vendimi ishte marrë në koordinim me Federatën Zvicerane të Futbollit, e cila kishte deklaruar se situata do të rishikohej pas përfundimit të dritares së ndeshjeve ndërkombëtare.
Rasti kishte tërhequr vëmendje të madhe edhe për shkak të pozitës së Xhakës si kapiten i Zvicrës dhe një prej futbollistëve më me përvojë të kombëtares, me 152 paraqitje ndërkombëtare.
Nga aspekti juridik, ekspertët zviceranë kishin shpjeguar më herët se për veprat e mundshme që po hetoheshin parashihej edhe dënim me burgim deri në pesë vjet, por në rastin e një personi pa precedentë penalë, një dënim me kusht në të holla konsiderohej skenar shumë më i mundshëm.
Me vendimin e Prokurorisë së Lucernit, çështja penale ndaj Xhakës tashmë ka kaluar nga faza e hetimeve në një vendim konkret penal. Nëse urdhri penal nuk kundërshtohet brenda afatit përkatës, ai bëhet i formës së prerë.
150 mijë franga në letër, por pa pagesë të menjëhershme – ky është vendimi që rëndon tashmë mbi kapitenin e Zvicrës.
