TË FUNDIT

140 mijë euro dëm, aktakuzë ndaj tre personave për fajde në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për fajde dhe manipulim me prova, në një rast ku dyshohet se të dëmtuarve u është shkaktuar dëm financiar prej 140 mijë eurosh.

Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda ndaj B.K. dhe F.S., ky i fundit që gjendet në arrati, për veprën penale “Fajdeja”, si dhe ndaj H.T., për veprën penale “Manipulimi me prova”.

Sipas aktakuzës, B.K. dhe F.S. dyshohet se, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit L.S., i kanë dhënë atij hua në shuma të ndryshme parash, duke vendosur kamata dhe provizione mujore dukshëm joproporcionale me shumat e huazuara.

Përmes marrëveshjeve të njëpasnjëshme të huadhënies dhe kërkesave për shlyerjen e borxheve, të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash, ndërsa të dëmtuarit L.S. dhe babait të tij, M.S., u kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 140 mijë eurosh.

Ndërkaq, H.T. dyshohet se në prill të vitit 2024, në Suharekë, kishte marrë nga M.S. origjinalin e marrëveshjes së huasë ndërmjet B.K. dhe L.S., me arsyetimin se do t'ia prezantonte B.K.-së.

Megjithatë, sipas Prokurorisë, pasi ia kishte prezantuar dokumentin, ai e kishte shkatërruar atë dhe e kishte bërë të papërdorshëm, me qëllim që të pamundësonte përdorimin e tij në procedurë penale.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *