TË FUNDIT

120 dele dalin nga stalla dhe bllokojnë rrugën, policia vihet në aksion

Një situatë e pazakontë ka ndodhur gjatë natës në Niederteufen të Zvicrës, ku rreth 120 dele kanë dalë nga vendqëndrimi i tyre dhe janë shpërndarë në rrugë.

Policia është njoftuar rreth orës 00:30, pasi kafshët po pengonin qarkullimin në zonën Battenhaus.

Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, konstatuan se një numër i madh delesh kishin dalë nga hapësira ku mbaheshin. Për kthimin e tyre u angazhua edhe pronari, ndërsa operacioni zgjati më shumë se sa ishte parashikuar.

Pas disa përpjekjeve, policia dhe pronari arritën t’i kapnin të gjitha kafshët dhe t’i kthenin në vendqëndrimin e tyre, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.

Fatmirësisht, nga incidenti nuk pati persona të lënduar apo dëme të raportuara.

Policia e ka trajtuar rastin edhe me humor, duke e cilësuar situatën si një “bllokim të leshtë” të rrugës.

Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që, në rast se hasin kafshë në rrugë, të ulin shpejtësinë, të mbajnë distancë dhe të shmangin përdorimin e borisë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *