OPINIONTË FUNDIT

Zhvillimet e fundit politike, Nela paralajmëron: Pa kompromis, Kosova rrezikon stabilitetin dhe imazhin ndërkombëtar

Ngërçi politik rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe tensionet në rritje mes forcave politike kanë rikthyer në vëmendje sfidat e funksionimit demokratik dhe kulturës së kompromisit në vend.

Në këtë kontekst, publicisti shqiptar Milaim Nela në një intervistë për “Bota sot” komentoi shkaqet dhe pasojat e krizës aktuale, duke ndalur te roli i aktorëve politikë vendorë, vendimet institucionale dhe ndikimi i faktorëve rajonalë.

Në intervistën e tij për “Bota sot”, ai trajtoi çështje kyçe si mungesa e kompromisit, raportet mes pushteteve, si dhe ndikimin e figurave të rëndësishme politike si Vjosa Osmani, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq në dinamikat politike të Kosovës.

Intervista hedh dritë mbi rreziqet që i kanosen institucioneve të Kosovës nëse kriza vazhdon, por edhe mbi nevojën urgjente për dialog të mirëfilltë politik dhe arritjen e një kompromisi që do t’i hapte rrugë stabilitetit dhe konsolidimit demokratik të vendit.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni ngërçin politik rreth zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, ku Kuvendi nuk arriti të sigurojë kuorumin e nevojshëm, dhe cilat janë pasojat afatgjata të këtij bllokimi?

Milaim Nela: Situata e re politike e krijuar pas dështimit të zgjedhjes se Presidentit të Republikës nga Kuvendi i Kosovës nuk është as e re e as e paparashikuar.

Kemi parë një ashpërsim të retorikës politike dhe përshkallëzim të fjalorit politik publik nga të dy kampet politike si nga shumica qeverisëse si nga opozita.

Ajo që më shqetëson mua e po ashtu edhe publikun kosovar është klima e nderë e komunikimit dhe përplasjeve mes forcave politike. Nuk po lexohet dhe interpretohet si duhet rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit ashtu siç nuk u lexua ai i zgjedhjeve pararendëse të 9 shkurtit.

E kjo vlen si për të dyja kampet!

VV duke e zvarritur zgjedhjen e Presidentit ne momentet e fundit të afateve kushtetuese nuk shfaqi ndonjë shenjë se është e gatshme për kompromis duke qenë e vetëdijshme që zgjedhësi i ka dhënë 57 mandate e jo 80 për ta patur vetë presidentin. Opozita nga ana e saj ishte e vendosur deri në fund që kjo të dështojë pasi asnjë nga forcat politike opozitare nuk dolën qoftë me një kandidat të pranueshëm të tyre apo me një kandidat jashtë radhëve të tyre që kishte besueshmëri në popull.

VV me numrat në Kuvend po tregon arrogancë e opozita nga ana tjetër nuk pranon realitetin politik!

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni vendimin e Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pezullimin e këtij dekreti nga Gjykata Kushtetuese dhe më pas vendimin e saj për përcaktimin e një afati 34-ditor? Çfarë mesazhi dërgon kjo rrjedhë vendimesh për ndarjen dhe balancimin e pushteteve në Kosovë?

Milaim Nela: Po e filloj nga fundi. Besoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka dhënë përgjigjen e pjesës së parë të pyetjes e nuk le shumë vend për interpretime.

Politikisht e nga pozitat e një vëzhguesi nga larg siç jam unë kam menduar se presidentja u nxitua duke nxjerrë dekretin e shpërndarjes se Kuvendit dhe e kam parë atë si akt hakmarrjeje për mos rikandidimin e saj për një mandat të dytë kur shpresat e saj ishin të mëdha pas disa sukseseve të saj kryesisht në politikën e jashtme e gjegjësisht rolin e saj në njohjet e reja të Kosovës në vitin e fundit e sidomos vendosjen e një raporti mjaft pozitiv me administraten e re Amerikane e posaçërisht më Presidentin Donald Trump.

Këto kontribute nuk mund t’i mohohen Presidentes Osmani. Tani jemi ku jemi e kishim 34 ditë kohë në kohën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese e tash kemi akoma më pak. Nuk po shohim ndonjë lëvizje domethënëse që do të na çonte drejt zgjedhjes se Presidentit.

Me keqardhje vërej se asnjëra palë nuk ka lëvizur nga llogoret e tymi i bardhë i kompromisit nuk duket asgjëkundi.

Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë – duhet KOMPROMIS që vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje.

Gazeta “Bota sot”: A kanë treguar akterët kryesorë politikë pjekuri demokratike dhe gatishmëri për kompromis gjatë negociatave për zgjedhjen e presidentit, apo kemi parë një mungesë serioze të dialogut politik?

Milaim Nela: Kosova është shtet i ri me një demokraci të brishtë dhe sa i takon pjekurisë institucionale ka shumë rrugë për të bërë. Në shumë aspekte dhe këtë dua ta theksoj shumë fortë, Kosova është shteti model i zhvillimit të zgjedhjeve krahasuar me të gjitha vendet e Gadishullit Ilirik e nuk ka kontestim të zgjedhjeve. Pra, në këtë këndvështrim demokracia funksionon e është për tu marrë shembull nga të gjitha vendet e rajonit.

E parë në atë çka ne presim prej Kosovës e sfidave të cilat e presin atë besoj se ka shumë për të bërë.

Presim një klimë më të mirë dialogu. VV duhet të japë pushtet e jo të këmbëngulë në qëllimin e marrjes të të gjitha pushteteve sepse ajo nuk është e shëndetshme as për Kosovën, por as për atë vetë e shembuj të kësaj natyre kemi nga vendet e rajonit e për këtë dua të përmend Shqipërinë zyrtare por edhe Serbinë ku pushteti kontrollohet nga një individ i vetëm. Kosova duhet të ecë para e jo të rrëshqasë duke bërë hapa mbrapa.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni ndikimin e Edi Ramës në politikën e Kosovës, sidomos pas artikullit të përbashkët me Aleksandar Vuçiq në media gjermane? Çfarë sinjali politik dërgon kjo nismë për rajonin dhe pozicionin e Kosovës?

Milaim Nela: Për fat të keq 13 vitet e qeverisjes së Edi Ramës jo vetëm nuk i kanë ndihmuar Kosovës, por e kanë penguar atë në rrugëtimin e saj, kjo sidomos në arenën ndërkombëtare.

Edi Rama është i qartë në qasjen e tij ndaj Kosovës e ata që nuk e kuptojnë fatkeqësisht janë edhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës.

Ne pamë një vizitë të Edi Ramës në Kosovë në prag të mbledhjes themeluese të Bordit të Paqes. Takimet e tij në Prishtinë me liderët politikë lanë një shije të keqe në publik dhe lanë të kuptohej se ai po përpiqej të krijonte një avantazh politik për rizgjedhjen e Vjosa Osmanit.

Në samitin e vendeve themeluese të Bordit të Paqes në mënyrë të paprecedentë Edi Rama duke patur në të njëjtën sallë numrin 1 të shtetit të Kosovës foli në emër të kësaj të fundit duke dhënë mesazhin e gabuar se Kosova nuk është shtet e vetëm ai mund të flasë në emër të saj. Ajo çka ai foli ishte një skandal më vete pasi kërkoi lirimin ish drejtuesve të UÇK-se nga Gjykata e Hagës duke harruar që nuk kishte lënë gur pa luajtur që ajo gjykatë të miratohej nga Kuvendi i Kosovës.

Që t’i bie shkurt pasi këtë e kam thënë disa herë në shkuarën, çdo lëvizje e Edi Ramës shkon nē favor të Serbisë e Vuçiçit e në dëm të Kosovës.

Asnjë njohje të Kosoves nga vitin 2013 e këtej nuk e kemi si rezultat të diplomacisë se Shqipërisë. Asnjë, zero.

Edi Rama e ka konsideruar luftën çlirimtare nga okupatori serb si konflikt civil.

Rama është një nga nismëtarët dhe ideatorët e minishengenit Ballkanik, më vonë Ballkani i Hapur që nuk ishte gjë tjetër veçse miniJugosllavia e Re.

Edi Rama e ka quajtur veriun e Kosovës, toka e askujt!

Edi Rama është i pari që i ka vendosur sanksione Kosovës duke anuluar mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare.

Letra e përbashkët Rama-Vuçiç drejtuar BE-se e që u bë publike nga gazeta gjermane Franfurter Algemajne Zeitung ishte jo vetëm një ndihmë ndaj Serbisë dhe Aleksandar Vuçiçit bash në momentet kur Europa dhe SHBA kërkojnë normalizim të marrëdhënieve me Kosovën që nënkupton njohje nga ana e Serbisë, por duke kërkuar një anëtaresim të dorës së dytë pa të drejtën e vetos Edi Rama kërkoi që Serbia të pranohet në BE pa qenë e detyruar të njohë Kosovën sepse heqja dorë nga e drejta e vetos nënkupton edhe heqje dorë nga detyrimet e kapitullit 35 të anëtaresimit në BE. Kjo qartësisht është thikë pas shpine ndaj Kosovës.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë ndikimi kanë këto zhvillime (ngërçi presidencial, dekretet e kundërshtuara, ndikimi i aktorëve rajonalë) mbi stabilitetin dhe imazhin e institucioneve të Kosovës, dhe cilat janë rreziqet kryesore nëse kriza politike vazhdon?

Milaim Nela: Kjo ndërlidhet edhe me pyetjen tuaj të mëparshme. Dialogu i mirëfilltë e i njëmendtë që nënkupton kompromis nga të gjitha palët e sidomos kjo e parë nga ngjarjet dhe zhvillimet gjeopolitike shumë të rëndësishme politike rajonale e botërore është domosdoshmëri.

Serbia dhe aleatët e saj duan t’i thonë boës së qytetëruar se Kosova nuk ka aftësi shtetfornuese dhe nuk e meriton shtetin e pavarësinë e saj.

Kosova dhe liderët e saj duhet t’i dëshmojnë botës e sidomos atyre që e kanë sponsorizuar pavarësinë e lirinë e saj se po, e meritojnë shtetin dhe dinë të bëjnë kompromis.

Kosova duhet ta ketë presidentin e saj sa më shpejt të jetë e mundur.

Në kushtet e sotme mendoj unë, Kosovës i duhet jo një president kukull por një figurë me staturë politike e kredibilitet në arenën ndërkombëtare, pasi sfidat janë shumë të mëdha e mbi të gjitha ballafaqimi me Serbinë për ta përmbyllur dialogun Kosovë – Serbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *