OPINIONTË FUNDIT

Zgjedhja e presidentit në nyje politike e kushtetuese, analistët kërkojnë sqarim nga Gjykata Kushtetuese

Ndonëse nuk pati një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, krerët e shtetit iu drejtuan sërish Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë ditës së premte, Gjykata Kushtetuese i është përgjigjur kryeparlamenatres Albulena Haxhiu, e cila një ditë më parë ka dërguar një lëndë për shqyrtim në këtë institucion.

Përmes një shkrese kjo gjykatë e ka njoftuar Haxhiun se ka regjistruar kërkesën K.068/26, e cila është parashtruar nga ajo dhe 9 deputetë të Kuvendit të Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.

Në këtë shkresë, thuhet se deputetët e Kuvendit mund t`i paraqesin komentet e tyre me shkrim për këtë çështje deri më 9 mars 2026.

Ende pa dhënë verdiktin e saj kjo gjykatë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dha vendimin e saj për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ky vendim i Osmanit u kritikua, pasi mund të ketë zgjidhje të tjera, përveҫ zgjedhjeve.

Po të njëjtën ditë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar detaje nga takimet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për çështjen e presidentit.

Ai takimet me dy liderët i konsideron ende si konstruktive, ani pse nuk kanë dhënë rezultate.

Kurti tha se ka bërë krejt çka ka mundur për të zgjedhur një president, qoftë edhe konsensual, por që nuk prodhuan marrëveshje.

“I kemi 60 ditë që të bëjmë një zgjidhje dhe të mos kemi zgjedhje. Të bëjmë një zgjidhje të re që mos të kemi zgjedhje të përsëritura”, ka deklaruar Kurti.

Qarri: Mosprania e deputetëve në Kuvend krijoi precedent kushtetues për zgjedhjen e presidentit

Publicisti dhe analisti politik Gani Qarri thotë se situata e krijuar rreth zgjedhjes së presidentit ka hyrë në një fazë që kërkon interpretim të drejtpërdrejtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës është e qartë sa i përket procedurës së zgjedhjes së presidentit.

“Në fakt, sipas nenit 86, paragrafi 3 të Kushtetutës së Kosovës, nëse edhe pas tri raundeve të votimit në Kuvend nuk arrihet numri i mjaftueshëm i votave për zgjedhjen e kandidatit për president, procedura konsiderohet e dështuar dhe Kuvendi duhet të shpërndahet, duke çuar vendin në zgjedhje të reja të parakohshme”, deklaron Qarri.

Megjithatë, ai thekson se situata aktuale është më e komplikuar, pasi opozita nuk paraqiti kandidat për president dhe deputetët e saj nuk morën pjesë në seancën e Kuvendit.

“Duke qenë se opozita nuk paraqiti asnjë kandidat për president dhe nuk mori pjesë as në seancën e Kuvendit për krijimin e kuorumit dhe votimin, gjendja ka agravuar në atë mënyrë sa që çdo veprim i mëtejshëm për zgjedhjen e presidentit tashmë varet drejtpërdrejt nga Gjykata Kushtetuese”, thotë ai.

ImageGani QarriFoto galeri
Sipas Qarrit, Gjykata Kushtetuese duhet të japë një vendim të qartë për obligimet e deputetëve në procesin parlamentar.

“Gjykata Kushtetuese duhet të dalë me një vendim të prerë dhe të sqarojë obligimin e deputetëve për të qenë fizikisht të pranishëm në seancë dhe për të marrë pjesë në votim, qoftë pro, kundër apo në abstenim”, thekson Qarri.

Ai shton se mosprania e deputetëve të opozitës ka krijuar një precedent kushtetues.

“Me gjithë obligimin kushtetues që deputetët të jenë të pranishëm në seancë, ata nuk morën pjesë fare dhe për shkak të mungesës së kuorumit nuk u zhvillua asnjë raund votimi. Kjo e ka shndërruar rastin në një precedent kushtetues që kërkon trajtim urgjent nga Gjykata Kushtetuese”, deklaron ai.

Qarri rikujton gjithashtu afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

“Sipas Kushtetutës, nga data 5 mars Kuvendi ka 60 ditë afat për të krijuar kuorumin dhe për të zgjedhur presidentin. Nëse edhe brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme brenda 45 ditëve pasuese”, thotë ai.

Ndërkohë, ai thekson se kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim lidhur me këtë situatë.

“Zonja Haxhiu i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e mospranisë së deputetëve të opozitës në seancë, duke kërkuar edhe masë të përkohshme dhe pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit deri në nxjerrjen e aktgjykimit”, shprehet ai.

Në fund, Qarri përmend edhe propozimin e presidentes Vjosa Osmani për ndryshime kushtetuese lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

“Një nga çështjet që duhet trajtuar është edhe propozimi që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Kjo do të shmangte bllokadat politike dhe do të parandalonte përsëritjen e krizave të tilla në të ardhmen”, përfundon Qarri.

Burjani: Konflikti Kurti–Vjosa Osmani mund t’i rrisë gjasat e opozitës në zgjedhje të reja

Juristi dhe profesori Blerim Burjani vlerëson se zhvillimet e fundit politike kanë krijuar një situatë të vështirë për Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas tij, përplasjet politike dhe raportet me presidenten Vjosa Osmani mund të kenë pasoja edhe në eventualitetin e zgjedhjeve të reja.

“Në rrethanat që janë krijuar dhe pas gabimeve të bëra në raport me Vjosa Osmanin, pas këtij skandali Kurti–Vjosa, opozita mund t’i rrisë gjasat për të fituar më shumë përqindje në zgjedhjet e jashtëzakonshme”, deklaron Burjani.

Ai shton se, sipas tij, qasja aktuale e qeverisë ka krijuar një situatë politike të ngarkuar.

“VV dhe Kurti janë bërë monotonë në veprimet politike, duke kërkuar shtyrje dhe duke krijuar bllokada të panevojshme, për të përfunduar përsëri në zgjedhje. Edhe vetë VV e di se ky mandat është konsumuar dhe është dëmtuar për shkak të një qeverisjeje të dobët. Me inat nuk qeveriset shteti”, thotë ai.

Burjani thekson gjithashtu se në këtë situatë rol të rëndësishëm duhet të ketë presidentja e vendit.

“Presidentja duhet të mbledhë partitë politike për të arritur një marrëveshje dhe për të caktuar një datë për zgjedhje brenda 45 ditëve, në rast se Kuvendi dështon tri herë të zgjedhë presidentin, sipas afateve kushtetuese”, shprehet ai.

Sipas tij, procesi tashmë është i lidhur edhe me interpretimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Nuk ka ndonjë zhvillim tjetër për momentin. Duhet pritur opinionin kushtetues të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, VV dhe Kurti nuk duhet të presin mrekulli nga Gjykata”, deklaron Burjani.

Ai shton se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit është cenuar.

“Afati 30-ditor para skadimit të mandatit të presidentes për zgjedhjen e presidentit të ri është shkelur përmes shtyrjeve dhe kërkesës për interpretim nga Gjykata Kushtetuese”, përfundon Burjani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *