Zgjedhja e presidentit mes krizës politike dhe akuzave për pazare në Kuvend
Analisti politik dhe publicisti Idriz Zeqiraj vlerëson se procesi i zgjedhjes së presidentit nuk duhet të shndërrohet në pazare politike.
“Nga zgjedhja në zgjedhje është thënë se zgjedhjet e presidentit nuk duhet të bëhen praktikë e pazaresh të pista kuvendore,” thekson ai, duke shtuar se një zgjidhje mund të ishte arritur më herët, pa pritur afatet e fundit.
Sipas tij, edhe modeli i zgjedhjes nuk është thelbësor.
ImageIdriz ZeqirajFoto galeri
“Qoftë republikë parlamentare apo presidenciale, zgjedhja e drejtpërdrejtë nga populli nuk ndryshon thelbin, siç është provuar edhe në vende të tjera, përfshirë Maqedoninë e Veriut.”
Duke folur për mandatin aktual, Zeqiraj shprehet se vazhdimi i tij do të ishte i arsyeshëm.
“Kur një mandat presidencial është përmbyllur me sukses, pse të mos i jepet mundësia për një mandat të dytë?” thotë ai, duke shtuar se Vjosa Osmani “i plotëson të gjitha kriteret për vazhdim”.
Ai kritikon opozitën për, siç thotë, mungesë legjitimiteti: “Opozita humbëse kërkon fitore në tavolinë, ndërkohë që nuk ka as votat minimale për kandidim.”
Lidhur me kërkesën për një president konsensual, ai shton:
“Asnjë subjekt politik nuk ka ofruar zgjidhje reale, sepse të gjithë synojnë kandidatin e tyre.”
Sipas tij, në mungesë të një marrëveshjeje, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Zeqiraj thekson se mbështetja qytetare është faktor kyç.
“Nëse dëgjohet zëri i popullit, zgjidhja është e gatshme – Vjosa Osmani presidente,” duke e lidhur këtë me performancën e saj gjatë mandatit të parë.
Ai gjithashtu hedh poshtë pretendimet për pengesa ligjore: “Nuk ka asnjë bazë ligjore apo morale që pengon rizgjedhjen e saj. Kjo zhurmë është e stisur për interesa të caktuara.”
Në pjesën e dytë të reagimit, Zeqiraj kritikon ashpër ndërhyrjet politike në drejtësi dhe protestat lidhur me Gjykatën Speciale.
“Përzierja në punët e drejtësisë dëmton imazhin e vendit dhe nuk i ndihmon të akuzuarit,” thotë ai, duke cituar edhe deklaratën e Doris Pack se “kundërshtarë më të mëdhenj janë ata që protestojnë”.
Ai e cilëson opozitën si të fokusuar vetëm në pushtet.
“Kjo opozitë nuk merakoset për shtetin, por kërkon një presidente kukull për interesa të saj.”
Zeqiraj komenton edhe pjesëmarrjen e presidentes në protesta duke thënë se rreshtimi në protesta nuk ishte në standardin e presidentes dhe ka lënduar familjet e viktimave.
Në fund, ai ndalet edhe te raportet me Shqipërinë, duke bërë dallim mes popullit dhe politikës.
“Dashuria për Shqipërinë duhet ruajtur, por ndaj politikave të Edi Rama duhet pasur kujdes,” thotë ai, duke e akuzuar këtë të fundit për qëndrime të dëmshme ndaj Kosovës dhe bashkëpunim me Aleksandar Vučić.
“Kosova dhe drejtuesit e saj duhet të kenë kujdes nga intrigat politike që dëmtojnë interesat shtetërore,” përfundon Zeqiraj.
