OPINIONTË FUNDIT

“Votë e lirë” apo qëndrim unik? Dilema që mund ta ndajë LDK-në për zgjedhjen e Presidentit/es

Çështja e presidentit ka afat deri më 4 mars, por që ende nuk ka lëvizja nga kjo punë. Vjosa Osmani ka shprehur hapur synimin edhe për një mandat.

Nga LDK kanë thënë që pa marrëveshje politike nuk votojnë për president.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se janë të gatshëm të marrin pjesë në konsultimet për zgjedhjen e presidentit, duke mos përjashtuar mundësinë që të dalin me një kandidat të vetin. Ajo madje, ka theksuar se i tërë procesi duhet të bazohet në dialog ndërmjet subjekteve politike dhe jo të shtyhen kandidatura të njëanshme.

Nga ana tjetër kur erdhi në LDK djali i Rugovës, Uka, deklaroi se Vjosa Osmani është rugoviste.

“Besoj që gjithmonë ka bërë punë të mirë, presidentja Osmani është një Rugoviste siç e dijmë të gjithë, atë nuk mundemi me mohu, të shohim tash çka do të ndodhë ditëve në vijim”, kishte thënë më parë Rugova.

Koci: z. Abdixhiku nuk ka kontroll të plotë mbi deputetët e kësaj partie

ImageMilazim KociFoto galeri
Analisti politi, Melzaim Koci, ka vlerësuar se LDK ndodhet në pozitë të vështirë sa i përket zgjedhjes së Presidentit/Presidentes, pasi 15 mandatet që ka në Kuvend nuk janë të sigurta dhe brenda partisë ekzistojnë fraksione.

Sipas tij, mungesa e kontrollit të plotë nga kryetari Lumir Abdixhiku mbi deputetët e hendikepon LDK-në në këtë proces dhe e bën pothuajse irelevante. Koci shton se LDK mund t’i lejojë deputetët të votojnë sipas bindjes së tyre, për të shmangur një përçarje tjetër të brendshme.

“LDK është në pozitë të vështirë lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit/Presidentes. Ka në dispozicion 15 mandate, por janë mandate që nuk janë të sigurta. Brenda LDK-së ka fraksione dhe rrjedhimisht z. Abdixhiku nuk ka kontroll të plotë mbi deputetët e kësaj partie. Ky fakt e hendikepon LDK-në dhe e bën gati irelevante në çështjen e zgjedhjes së Presidentes/Presidentit. Besoj që LDK do të pajtohet që deputetët të veprojnë dhe votojnë sipas bindjes së tyre. Në të kundërtën, LDK rrezikon përçarje tjetër të brendshme”, thotë ai.

Në përfundim, Koci, thotë se LDK nuk mund të perceptohet si bllokuese, pasi nuk i ka votat për ta imponuar Presidentin.

Sipas tij, përgjegjësia bie mbi Vetëvendosjen dhe PDK-në, të cilat kanë mjaft mandate për ta shmangur krizën, duke shtuar se nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të moszgjedhjes së Presidentit/es, ato do të mbahen përgjegjëse. Deri tani, nuk ka sinjale për përpjekje serioze për konsensus.

“LDK nuk rrezikon të perceptohet si bllokuese, sepse nuk ka numër të mjaftueshëm të mandateve për të imponuar emrin e Presidentit të ardhshëm. Përgjegjësia më e madhe do t’u bjerë Vetëvendosjes dhe PDK-së. Nëse eventualisht vendi shkon në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme për shkak të (mos)zgjedhjes së Presidentit/Presidentes, këto dy parti do të mbahen përgjegjëse, sepse kanë numër të mjaftueshëm të mandateve për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Mjerisht, deri tash nuk ka asnjë sinjal që këto dy parti janë duke bërë përpjekje për të jetësuar konsensus për emrin e të parit të vendit” – përfundon ai.

Hoxha: Në demokraci parlamentare, Presidenti zgjidhet me votë në Kuvend dhe përgjegjësia për funksionalitetin institucional është kolektive

ImageHafir HoxhaFoto galeri
Ish-komandanti i UÇK-së dhe njëherit njohës i politikës, ka thënë se LDK përballet me dilemë: nga njëra anë, interesi partiak mund ta justifikojë mosvotimin e Presidentit pa marrëveshje politike; nga ana tjetër, kjo mund të shihet si prioritet i interesit partiak mbi stabilitetin institucional.

Hoxha nënvizon se në një demokraci parlamentare përgjegjësia për funksionimin institucional është kolektive.

“Deklaratat e fundit nga kryetari i Lumir Abdixhiku, se pa marrëveshje politike Lidhja Demokratike e Kosovës nuk voton për Presidentin, e vendosin LDK-në përballë një dileme të rëndësishme politike dhe institucionale.

Nga ana tjetër, deklarata e Uka Rugova se Vjosa Osmani është “rugoviste” prek një dimension identitar brenda LDK-së, pasi trashëgimia e Ibrahim Rugova mbetet shtyllë themelore e subjektit.

A po vendos LDK interesin partiak mbi vazhdimësinë institucionale?

Kjo varet nga cili kënd e analizojmë!? Nga këndvështrimi partiak, LDK mund ta arsyetojë qëndrimin si nevojë për konsensus më të gjerë politik, duke mos dashur ta japë votën “blanko” pa marrëveshje për balancë pushtetesh.

Kurse nga këndvështrimi institucional nëse procesi bllokohet, mund të krijohet perceptimi se interesi taktik partiak po mbizotëron mbi stabilitetin institucional.

Në demokraci parlamentare, Presidenti zgjidhet me votë në Kuvend dhe përgjegjësia për funksionalitetin institucional është kolektive”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, vota e lirë brenda LDK-së do të tregonte pluralizëm, por edhe rrezik përçarjeje dhe perceptimi si bllokuese, sidomos nëse dështon procesi.

Ai thekson se stabiliteti institucional duhet të mbizotërojë mbi interesat partiake dhe mbetet të shihet nëse do të dominojë kompromisi apo konfrontimi politik.

“Formalisht, grupet parlamentare zakonisht veprojnë me qëndrim unik politik.

Megjithatë, në çështje me peshë simbolike (sidomos kur lidhen me figurën e Rugovës dhe trashëgiminë e tij), presioni për “votë të lirë” mund të rritet.

Nëse do të lejohej votë e lirë, kjo do të demostronte pluralizëm të brendshëm, por njëkohësisht do të ekspozonte ndarje eventuale brenda partisë.

Nëse kjo ndodhë atëherë ekziston rreziku që LDK të shihet si bllokuese, ky rrezik vërehet sidomos nëse procesi dështon për mungesë kuorumi ose votash.

Perceptimi publik shpesh ndikohet nga klima politike, narrativa mediatike, dhe konteksti i përgjithshëm i marrëdhënieve mes pozitës dhe opozitës.

Nëse Vjosa Osmani shihet nga një pjesë e elektoratit si vazhdimësi e linjës rugoviane, atëherë mos-mbështetja mund të interpretohet si distancim nga kjo trashëgimi. Por nga ana tjetër, LDK mund ta paraqes qëndrimin si përpjekje për marrëveshje më të gjerë politike.

Të gjithë duhet të dimë se sa e rëndësishme është stabiliteti institucional mbi kalkulimet afatshkurta. Në fund, çështja kyçe është: a do të dominojë kultura e kompromisit apo ajo e konfrontimit politik kjo mbetet të shihet nga njohuria, edukata politike në Kosovë se a ka mbërri edukata partiake të tejkalon kufijtë partiak për interesa shtetërore e kombëtare apo ende mendojnë politikisht për interesa personale, grupore e partiake”, përmbyll Hoxha për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *