UNMIK drejt fundit? Pasojat e mbylljes dhe vendet që mund ta bllokojnë
U krijua në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, e cila u miratua më 10 qershor 1999, por tash e disa vite bëhen thirrje për përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.
UNMIK e përshkruan mandatin e tij si “të ndihmojë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të arrijë një objektiv të përgjithshëm, domethënë të sigurojë kushte për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës dhe të avancojë stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor”.
Përkundër që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, UNMIK ka funksione të vogla, kërkohet që misioni i tij të mbyllet.
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Tammy Bruce, të enjten ka përsëritur qëndrimin e Uashingtonit për mbylljen e misionit të UNMIK-ut, duke thënë se ai nuk pasqyron më realitetin në terren në Kosovë.
Ajo theksoi se UNMIK-u, i krijuar në vitin 1999 në bazë të Rezolutës 1244 për stabilizimin e situatës pas luftës, i përket një konteksti tjetër historik dhe nuk ka më funksionin për të cilin ishte themeluar.
“UNMIK-u është krijuar më 1999 për një realitet tjetër. Sot Kosova është tjetër vend dhe nuk ka arsye të trajtohet si në vitin 1999”, u shpreh Bruce.
Sipas saj, siguria në Kosovë aktualisht garantohet nga KFOR-i, ndërsa UNMIK-u nuk luan më rol as qeverisës, as ushtarak dhe as ndërmjetësues në proceset politike.
Ajo u bëri thirrje vendeve financuese të rishqyrtojnë mbështetjen për misionin, duke ngritur pyetjen për rolin aktual të tij në terren.
Bruce po ashtu theksoi se rruga e vetme përpara është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke bërë thirrje për deeskalim dhe dialog të mirëfilltë.
“Shpresojmë që liderët të ulin tensionet dhe të angazhohen në një dialog të vërtetë, jo në teatër politik”, deklaroi ajo.
Pasojat e mbylljes së UNIMK-ut
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në prononcimin e tij për “Bota sot” thotë se deklarata e Bruce duhet të lexohet si një konfirmim i realitetit të ri në Kosovë.
Sipas tij, strukturat e sigurisë, drejtësisë dhe rendit publik kanë demonstruar kapacitet për menaxhimin e situatave komplekse, përfshirë edhe sfidat në veri dhe përballjen me kërcënime hibride.
“Deklarata e Tammy Bruce në United Nations Security Council duhet lexuar si një konfirmim i realitetit të ri në Kosovë: epoka e administrimit ndërkombëtar ka përfunduar, ndërsa përgjegjësia për sigurinë dhe qeverisjen është tashmë në duart e institucioneve vendore.
Institucionet e Kosovës kanë kaluar nga një fazë e mbështetjes ndërkombëtare në një fazë të konsolidimit dhe operimit të pavarur. Strukturat e sigurisë, drejtësisë dhe rendit publik kanë demonstruar kapacitet për menaxhimin e situatave komplekse, përfshirë sfidat në veri dhe përballjen me kërcënime hibride. Ky zhvillim e bën të qartë se roli i UNMIK nuk është më thelbësor në funksionimin e përditshëm të shtetit”, thotë Shala.
Ai potencon se UNMIK sot ka prani minimale dhe një ndikim të kufizuar dhe për këtë arsye çështja e përfundimit të mandatit është më shumë një formalitet politik sesa një domosdoshmëri praktike.
“Në praktikë, UNMIK sot ka një prani minimale dhe një ndikim të kufizuar, kryesisht formal dhe raportues. Vendimmarrja reale, operacionet e sigurisë dhe menaxhimi institucional zhvillohen nga autoritetet vendore dhe në koordinim me partnerët strategjikë si NATO dhe KFOR. Kjo tregon një transformim të plotë të realitetit në terren nga viti 1999, kur United Nations Security Council Resolution 1244 kishte një funksion të domosdoshëm për stabilizim emergjent.
Për këtë arsye, çështja e përfundimit të mandatit të UNMIK është më shumë një formalitet politik sesa një domosdoshmëri praktike. Kosova sot funksionon si shtet me kapacitete të plota institucionale, ku mekanizmat vendorë janë ata që garantojnë rendin, ligjin dhe stabilitetin”, shprehet eksperti.
Mbyllja e UNIMIK-ut nuk do të krijonte vakuum sigurie, thotë Shala, gjersa shton se fokusi duhet të jetë të forcimi i mëtejshëm i institucioneve vendore.
“Mbyllja e këtij misioni nuk do të krijonte vakuum sigurie apo institucional. Përkundrazi, do të përforconte perceptimin ndërkombëtar se Kosova ka hyrë në një fazë të re të pjekurisë shtetërore, ku përgjegjësia dhe sovraniteti ushtrohen në mënyrë të plotë nga institucionet e saj. Ndikimi real do të ishte më shumë në dimensionin simbolik dhe diplomatik, duke reflektuar një realitet që në terren ekziston prej vitesh.
Në këtë kontekst, fokusi nuk duhet të jetë tek roli i mbetur i UNMIK, por tek forcimi i mëtejshëm i institucioneve vendore dhe thellimi i partneritetit me aleatët strategjikë, si garancia kryesore për stabilitet afatgjatë dhe integrim euroatlantik”, përfundon Shala.
Misioni i UNMIK-ut, u krijua në bazë të një rezolute i cili autorizoi një prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Republikën Federale të Jugosllavisë. Në atë Rezolutë, OKB vendosi të “[vendosë] në Kosovë, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, [praninë] ndërkombëtare civile dhe të sigurisë”.
Puna e UNMIK-ut është ndarë në katër “shtylla”:
UNMIK-u Shtylla I: Policia dhe Drejtesia (udhehequr nga OKB-ja)
Shtylla II: Administrtimi civil (udhehequr nga OKB-ja)
Shtylla III: Demokratizimi dhe ngritja e institucioneve (udhehequr nga Organization OSCE-a)
Shtylla IV: Restarurimi dhe zhvillimi ekonomik (udhehequr nga BE-ja).
Si mund të mbyllet UNMIK-u?
ImageRamadan GjanajFoto galeri
Politologu shqiptar në Bruksel, Ramadan Gjanaj, thotë se UNIMK nuk pasqyron më realitetin aktual në Kosovë.
“ I themeluar në vitin 1999 mbi bazën e Rezoluta 1244, UNMIK-u ishte konceptuar si një mekanizëm administrimi i përkohshëm në një kontekst pas-konfliktual. Me kalimin e kohës dhe me konsolidimin e institucioneve të Kosovës, roli i tij është reduktuar ndjeshëm dhe sot ai ka kryesisht karakter simbolik”, thotë Gjanaj.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se ekzistojnë argumente për rishikimin e mandatit të UNMIK-ut, por Rusia dhe Kina që vazhdojnë të mbështesin kornizën e rezolutës 1244 dhe pozicionin e Serbisë ka shumë gjasa të kundërshtojnë çdo vendim.
“Nga një perspektivë analitike, ekzistojnë argumente për rishikimin e mandatit të UNMIK-ut, duke marrë parasysh transformimet institucionale në Kosovë. Megjithatë, në aspektin juridik ndërkombëtar, përfundimi i tij është kompetencë ekskluzive e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kërkon miratimin e një rezolute të re, pa veto nga anëtarët e përhershëm. Në kushtet aktuale gjeopolitike, të karakterizuara nga polarizim i thellë ndërmjet fuqive të mëdha, arritja e një konsensusi të tillë duket pak e mundshme. Rusia dhe Kina, të cilat vazhdojnë të mbështeten në kornizën e Rezoluta 1244 dhe në pozicionin e Serbisë, ka shumë gjasa të kundërshtojnë çdo vendim për mbylljen formale të misionit. Për rrjedhojë, skenari më realist mbetet reduktimi gradual i rolit të UNMIK-ut, sesa përfundimi i tij formal në afat të shkurtër”, shprehet politologu.
Çdo ndryshim në statusin e UNIMK-ut, sipas Gjanajt, mund te ketë pasoja në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe në ekuilibrat rajonalë.
“Në planin praktik, ndikimi i një mbylljeje eventuale do të ishte i kufizuar, pasi UNMIK-u aktualisht ka rol të reduktuar në terren. Megjithatë, implikimet politike dhe diplomatike do të ishin më të ndjeshme, pasi misioni mbetet i lidhur me kornizën juridike ndërkombëtare të Rezoluta 1244, e cila vazhdon të ndikojë qëndrimet e shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Në këtë kuadër, çdo ndryshim në statusin e tij mund të ketë pasoja në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe në ekuilibrat rajonalë, duke kërkuar një menaxhim të kujdesshëm diplomatik për të shmangur tensione të reja. Në një perspektivë më të gjerë, çdo reformim ose përfundim i mandatit të UNMIK do të kërkonte negociata paraprake ndërmjet fuqive kryesore në Këshillin e Sigurimit. Duke marrë parasysh ndarjet aktuale ndërmjet tyre, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, vendimmarrja në këtë forum mbetet shumë e ndërlikuar. Megjithëse nuk mund të thuhet se çështja e Kosovës do të “sakrifikohet” drejtpërdrejt, është e mundur që ajo të mos përbëjë prioritet të menjëhershëm dhe të trajtohet në kuadër të balancave më të gjera gjeopolitike ndërmjet fuqive të mëdha”, pohon Gjanaj.
Në aspekt praktik për sa kohë që nuk ekziston konsensus ndërmjetë anëtarëve të përhershëm për ndryshim ose shfuqizim, nuk priten ndryshime konkrete, shton politologu.
“Një lexim alternativ i deklaratave të Tammy Bruce sugjeron gjithashtu se ato mund të kenë jo vetëm një dimension teknik, por edhe një funksion më të gjerë strategjik. Në kushtet e polarizimit të Këshillit të Sigurimit, është e mundur që çështja e UNMIK-ut të përdoret si element i sinjalizimit diplomatik nga Shtetet e Bashkuara ndaj Rusisë dhe Kinës, në kuadër të negociatave më të gjera ndërkombëtare. Megjithatë, në aspektin praktik, për sa kohë që nuk ekziston konsensus ndërmjet anëtarëve të përhershëm për ndryshimin ose shfuqizimin e Rezoluta 1244, nuk priten ndryshime konkrete në terren. Për këtë arsye, kërkesat për mbylljen e UNMIK-ut mbeten kryesisht në nivel të diplomacisë simbolike dhe të pozicionimit strategjik. Në të kaluarën, institucionet e Kosovës kanë shprehur në mënyrë të përsëritur qëndrime politike në favor të përfundimit ose reduktimit të rolit të UNMIK-ut. Megjithatë, ato nuk kanë paraqitur ndonjë kërkesë formale drejtuar Këshillit të Sigurimit për mbylljen e misionit. Një hap i tillë do të kishte kryesisht karakter politik, pasi Kosova nuk ka kompetencën juridike për të përfunduar një mision të themeluar nga Këshilli i Sigurimit”, përfundon Gjanaj.
