OPINIONTË FUNDIT

Thellohen dilemat/ Kompromis apo zgjedhje për Presidentin? Tali analizon takimet e Kurtit me Hamzën e Abdixhiku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi të dielën një takim me liderin e partisë kryesore opozitare, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në një lëvizje që shihet si fillim i përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për të shmangur organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Hamzën.

Kurse, sot pritet që të takohet të hënën me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për pozitën e presidentit të vendit.

Driton Tali, analist politik ka komentuar se zgjedhja e presidentit në Kosovë pritet të bëhet përmes marrëveshjes mes dy partive më të mëdha, pasi një parti e vetme ka pak gjasa të arrijë shumicën prej 2/3.

Ai tha se takimi i fundit mes liderëve të Kurtit dhe Hamzës ngre shpresat për një kompromis, edhe pse mundësia për zgjedhje të jashtëzakonshme mbetet ende e hapur.

“Zgjedhja e presidentit është paramenduar që të bëhet përmes marrëveshjeve në mes partive – të paktën të dy partive më të mëdha të dalura nga zgjedhjet. Për faktin se në sistemet shumë partiake, si është kjo e jona, gjasat që një parti e vetme ta fitojë përqindjen e duhur (2/3) është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur.

Dhe këtë fakt tashmë të gjithë e dijmë.

Takimi i djeshëm i dy liderëve të partive më të mëdha, edhe pse nuk na dhanë detaje, por nga fryma e asaj që u deklarua nga dy taborret i ngriti shpresat se kompromisi mund të gjendet. Ndonëse është akoma larg dhe mundësia për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakinshme akoma është në menu”, u shpreh ai.

Tali, tha se mbetet të shihet se çfarë do të sjellë takimi me liderin e LDK, duke shpresuar për një atmosferë miqësore dhe respekt të ndërsjellë.

Ai theksoi se opozita i atribuon fitoren e LV-së diasporës dhe beson se në një datë zgjedhore “normale” do të ketë fuqi negociuese më të madhe.

Tali shtoi se partitë kanë rreth 10 ditë për të gjetur një kandidat jo-partiak që bashkon popullin dhe normalizon skenën politike, përndryshe Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje.

“Tash na ngelet të shohim se çfarë do na sjell takimi me liderin e LDK-së. Të shpresojmë se të paktën do zhvillohet në atmosferë miqësore me respekt të gjithanshëm.

Jashtë kësaj, ajo që unë e shoh te opozita, është se fitoren e LV-së, të 28 dhjetorit, ja atribuojnë mërgatës. Dhe se besojnë se në një datë zgjedhore “normale” opozita do të dali më mirë që natyrisht se do ju japi edhe fuqi negociuse më të madhe.

Kanë ngel rreth 10 ditë deri në “skadimin e afatit” që partitë kuvendore të gjejnë personin adekuat “jo partiak” i cili përbashkon dhe unifikon popullin, për të normalizuar skenën politike dhe vazhduar me punë sepse na presin procese goxha sfiduese apo do shkojmë edhe njëherë në zgjedhje.

Të shohim, se a do ja arrijnë që brenda këtij afati të dakordohen apo do të shkojmë ne zgjedhje edhe njëherë”, përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *