Terroristi rrëfen kampet serbe të trajnimit për sulme në Kosovë/ Ndizet alarmi: Kjo është strategji lufte
Jovan Viqentijeviq, mbi të cilin rëndojnë akuzat për kryerje të veprës terroriste në kanalin e Ibër-Lepencit, e ka pranuar se në bazën ushtarake në Serbi janë trajnuar 120 persona nga veriu i Kosovës, me qëllim të sulmeve të reja në Kosovë.
“I pandehuri gjatë transportimit të tij nga Mitrovica e Veriut në Prishtinë me dt. 2.12.2025 dhe pastaj gjatë dërgimit të tij në qendrën e paraburgimit me dt. 3.12.2025, në bisedë me zyrtarët policorë kishte dhënë informacione në lidhje me veprimtarinë e tij të kundërligjshme e po ashtu edhe për persona të tjerë të involvuar në veprime të ngjashme, duke pohuar se ka marrë pjesë në ushtrimet në kampin e ushtrisë serbe të quajtur “Pasuljanske Livade” në Serbi. Atje ka qëndruar dhe është trajnuar prej datës 14.9.2023 deri më datën 23.9.2023. Sipas tij, aty kanë qenë duke u trajnuar rreth njëqind e njëzet (120) persona nga veriu i Kosovës, të gjithë të nacionalitetit serb”, thuhet në një pjesë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale.
E sipas Doktor Gurakuç Kuçit – hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor, Jovan Viqentijeviq po tregon edhe njëherë planet e rrezikshme të Serbisë ndaj Kosovës.
ImageDoktor Gurakuç KuçiFoto galeri
“Deklarimet e Viqentijeviq konfirmojnë aktivitetin hibrid dhe kinetik të Serbisë kundër Kosovës dhe fqinjëve të saj, duke e bërë të qartë se këto veprime nuk janë të rastësishme, por pjesë e planeve të qëndrueshme ekspansioniste të Beogradit. Këto plane të rrezikshme, të cilat zbatohen përmes mjeteve të luftës hibride, kanë për qëllim dëmtimin e një shteti nga brenda, përmes krizave të vazhdueshme dhe goditjes së sistemit të tij strategjik”, shprehet Kuçi.
Sipas tij, kjo qasje synon të provokojë reagime të caktuara institucionale, të cilat më pas përdoren për ta futur vendin në gjendje kaosi dhe paqëndrueshmërie.
“Në shumë publikime të mia kam vënë në pah synimet e Serbisë dhe organizimin e strukturave serbe kundër Kosovës, dhe tani këto paralajmërime po konfirmohen qartë. Përgatitjet e Serbisë, përfshirë artilerinë dhe bazat e saj ushtarake të vendosura pranë kufirit me Kosovën, nuk mund të trajtohen si masa të zakonshme sigurie për shtetin serb, por si angazhime të drejtpërdrejta dhe të qëllimshme kundër Kosovës”, thekson Kuçi.
“Paralelisht me këtë dimension, Serbia po zhvillon edhe një luftë hibride propagandistike kundër Kosovës. Përmes sulmeve terroriste, ajo ka ndjekur strategjinë ‘përcaj dhe sundo’ brenda Kosovës, duke ndarë diskursin publik dhe duke nxitur dyshime serioze se rasti i sulmit terrorist nuk ishte i orkestruar nga Serbia. Ky manipulim i narrativës synon ta zhvendosë përgjegjësinë dhe ta mjegullojë burimin real të kërcënimit”, deklaron Kuçi për “Bota sot”.
Më tej, ai thotë se strategjia serbe, pra, ka qenë e shumëfishtë.
“Megjithatë, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, synimet ekspansioniste të Serbisë janë konfirmuar edhe një herë. Kjo përbën një alarm të qartë se në Kosovë duhet kuptuar përfundimisht se kush është armiku real dhe kush ka aftësinë, kapacitetin dhe gatishmërinë për të organizuar sulme të tilla terroriste. Një qartësi e tillë është thelbësore që këto sulme të mos trajtohen më kurrë me neglizhencë apo pa seriozitetin e duhur. Serbia, pa asnjë dyshim, ka plane të vazhdueshme kundër Kosovës”, deklaron Kuçi.
“Parandalimi i këtyre planeve nuk është vetëm detyrë e organeve të sigurisë, por përgjegjësi e çdo segmenti të shoqërisë, pasi vetëm një reagim gjithëpërfshirës mund ta reduktojë rrezikun e përsëritjes së skenarëve të ngjashëm në të ardhmen”, përfundon doktor Gurakuç Kuçi – hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor.
