OPINIONTË FUNDIT

Takimi Kurti- Abdixhiku, Rexhaj jep zgjidhje që evidenton përplasjen politike

Analisti Albatros Rexhaj ka reaguar pas takimit mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, duke mbështetur qëndrimin se nuk është e shëndetshme që tri postet kryesore të shtetit t’i takojnë një partie të vetme.

Rexhaj thekson se, sipas Kushtetutës, posti i presidentit duhet t’i takojë një figure mbi partitë dhe jo një subjekti politik, përfshirë Lëvizja Vetëvendosjes, edhe pse është partia më e madhe në vend.

Ai propozon që tri partitë kryesore të bien dakord për një kandidat konsensual, duke paralajmëruar se në të kundërtën, secila parti do të shtyjë kandidatin e vet, si në rastin e mundshëm të Glauk Konjufca.

Sipas tij, zhvillimet ndërkombëtare dhe tensionet në rritje kërkojnë përgjegjësi shtetërore dhe jo kalkulime partiake, duke bërë thirrje për zgjidhje të shpejtë dhe unitet politik.

Postimi i plotë:

Pas takimit me Kurtin, Lumir Abdixhiku deklaroi se nuk është e shëndetshme që tri postet kryesore të shtetit t’i takojnë një partie të vetme. Plotësisht dakord me këtë konstatim.

Sipas Kushtetutës, Presidenti nuk duhet t’i takojë asnjë partie. Rrjedhimisht, ai nuk mund dhe nuk duhet t’i takojë as Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse është partia më e madhe në vend. Por kjo nuk do të thotë se posti duhet t’i kalojë automatikisht PDK-së apo LDK-së.

Zgjidhja është e thjeshtë në parim, por kërkon maturi politike: tri partitë kryesore duhet të bien dakord për një emër konsensual. Pra, një figurë që qëndron mbi palët, siç e kërkon fryma kushtetuese e shtetit.

Në të kundërt, nëse secila parti insiston në kandidatin e vet si “monedhë shkëmbimi”, atëherë loja bëhet e qartë: Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pse të tërhiqet dhe do të shtyjë kandidaturën e saj, si p.sh. Glauk Konjufca.

Por ky nuk është moment për kalkulime të ngushta partiake.

Në një kohë turbullirash globale — kur Donald Trump Jr. viziton entitetin serb në Bosnje duke anashkaluar autoritetet shtetërore në Sarajevë, kur Serbia armatoset përtej çdo logjike normale, dhe kur flitet seriozisht për krisje në arkitekturën e NATO — kjo lloj sjelljeje politike është e papranueshme.

Ky është moment për përgjegjësi shtetërore, jo për pazare partie.

Propozoni një emër mbi palët dhe mbylleni këtë çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *