“Takimi i drejtpërdrejtë i Kurtit me Presidentin Trump, shemb kartën e “antiamerikanizmit” dhe nxjerrë nga loja ish- emisarin Grenell”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar për herë të parë me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Takimi u zhvillua më 22 shtator, ndërsa Zyra e Kryeministrit e bëri publik njoftimin më 2 tetor.
Kurti bëri të ditur se gjatë takimit e kishte falënderuar Trumpin për rritjen e investimeve në mbrojtje në NATO, duke theksuar se edhe Kosova synon anëtarësimin në këtë aleancë. Ai përsëriti gjithashtu se SHBA-ja mbetet “aleati kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special” i Kosovës.
Publicisti Fadil Lepaja, në një prononcim për “Bota sot”, e vlerëson takimin si një zhvillim me rëndësi për diplomacinë e Kosovës dhe për paraqitjen e interesave të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Takimi i çdo zyrtari të Kosovës me presidentin e SHBA-së është hap i rëndësishëm diplomatik, mundësi e madhe për me i promovu dhe me lobue për interesat e vendit, sidomos për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, me theks në NATO dhe OKB, por edhe në konjukturat e reja që po krijohen në përpjekje për një rend të ri ndërkombëtar”, shprehet Lepaja.
ImagePublicisti Fadil LepajaFoto galeri
Sipas tij, takimi duhet parë edhe në kontekstin e marrëdhënieve të vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, pavarësisht ndryshimeve politike në të dyja vendet.
“Takimi i kryeministrit Kurti gjithsesi është edhe sukses i qeverisjes së tij. Është një mesazh se në rrafshin gjeopolitik as Kosova as SHBA-ja nuk kanë dilema se ne jemi mbështetur në SHBA dhe kemi marrë mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja, në vazhdimësi”, thotë ai.
Lepaja nënvizon se marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, sipas tij, ka një dimension më të gjerë sesa qeveritë dhe figurat politike që janë në pushtet.
“Pavarësisht se kush është në krye të SHBA-së dhe të Kosovës, kjo miqësi e superfuqisë me një vend të vogël, por të dinjitetshëm të aleancës perëndimore, vazhdon të jetë e fuqishme dhe e paluhatshme, në kohën kur fqinjët tanë veriorë jetojnë në dilema dhe përçarje të thella gjeopolitike”, deklaron publicisti.Në prononcimin e tij, Lepaja e lidh takimin Kurti–Trump edhe me debatin e brendshëm politik në Kosovë, veçanërisht me akuzat e bëra ndër vite ndaj Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje për raportet me SHBA-në.
“Takimi mes presidentit Trump dhe kryeministrit Kurti ka rëndësi edhe në rreshtimet politike në vend, kur një bllok antiqeveritar bazën e vet politike e mbështeste te ‘antiamerikanizmi’ i kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, që vështirë se ka pasur ndonjë bazë, dhe që ishte bazuar kryesisht në deklaratat e ish-zyrtarit të lartë të administratës paraprake të presidentit Trump, por roli i të cilit ndryshoi në administratën aktuale”, shprehet ai.
Duke iu referuar ish-emisarit amerikan Richard Grenell, Lepaja thotë se takimi në Nju Jork, sipas tij, e vë në pikëpyetje peshën politike të deklarimeve të mëhershme që e paraqisnin Kurtin si figurë problematike në raport me Uashingtonin.
“Ky takim, dhe kohëzgjatja e tij, në njëfarë mënyre devalvon të gjitha deklarimet e ish-zyrtarit të SHBA-së, Grenell, dhe bashkëpunëtorëve të tij nëpër partitë dhe mediat shqiptare e kosovare”, deklaron Lepaja.
Ai e sheh këtë zhvillim me rëndësi edhe në rast të një procesi të ri zgjedhor në Kosovë, duke argumentuar se takimi mund të ndikojë në narrativat politike që lidhen me marrëdhëniet Kosovë–SHBA.
“Nëse shkohet sërish në zgjedhje, ky takim padyshim se i çarmatos altoparlantët e Grenellit ndër ne, por edhe mund të shërbejë si dekurajim i Grenell-istëve në LDK që të kundërshtojnë marrëveshjen për presidentin”, thotë Lepaja.
Në përfundim, publicisti e sheh takimin si një zhvillim që, sipas interpretimit të tij, prek drejtpërdrejt edhe peshën politike të këtij grupimi.
“Me një fjalë, ky takim e nxjerr nga loja kartën politike dhe grupin politik të udhëhequr ende nga ish-emisari Grenell”, përfundon Lepaja.
