Stërvitje të pazakonta nga ushtria serbe pranë kufirit me Kosovën/ Eksperti i sigurisë zbulon mesazhin ushtarak dhe çfarë fshihet pas tyre!
Një stërvitje ushtarake e pazakontë u zhvillua gjatë orëve të mëngjesit nga ushtria e Serbisë pranë vijës kufitare me Kosovën, duke shkaktuar shqetësim tek banorët e zonës në brendësi të Kosovës.
Gjatë stërvitjes, një helikopter lëshoi rreth 6 parashutistë në zonën e Breznicës, ndërsa helikopteri tjetër ka vazhduar drejt Muhovcit dhe Karaqevës, ku janë lëshuar parashutistë të tjerë.
Sipas burimeve nga policia kufitare e Kosovës, dy helikopterë kanë qarkulluar në këtë hapësirë, duke bërë disa xhiro përgjatë kufirit, ndërsa një banor tha se helikopterët kanë hyrë edhe në territorin e Kosovës.
Policët thanë se një aktivitet i tillë pranë kufirit është i jo i zakonshëm dhe nuk është zhvilluar më parë.
Banorët jashtë kamere shprehën shqetësim për zhurmat e helikopterëve dhe lëvizjet në ajër, duke krijuar pasiguri dhe frikë tek ata.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.
Eksperti po thotë se lëvizjet e ushtrisë serbe nuk janë rastësore, por një strategji e qëllimshme për të dhënë sinjal paralajmërues ndaj zhvillimeve rajonale që pritet të ndodhin së shpejti.
Ai thekson se Serbia po demonstron forcë dhe kontroll territorial, si për publikun e saj të brendshëm ashtu edhe për vendet e rajonit.
“Lëvizjet e fundit të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën nuk janë zhvillime spontane apo të izoluara, por pjesë e një modeli të parashikueshëm të sjelljes strategjike. Në kontekstin aktual rajonal, këto stërvitje duhet lexuar si sinjal i drejtpërdrejtë ndaj zhvillimeve që pritet të intensifikohen gjatë muajve të verës, veçanërisht me ushtrimet e përbashkëta në trekëndëshin Kroaci–Shqipëri–Kosovë.
Në thelb, ky është një mesazh ushtarak i qartë nga Beogradi: Serbia synon të demonstrojë se posedon kapacitet dhe vullnet për të zhvilluar aktivitete ushtarake në çdo pjesë të territorit të saj, përfshirë zonat ku popullsia është pothuajse 100% shqiptare. Ky është një sinjal i dyfishtë—njëkohësisht për audiencën e brendshme dhe për aktorët rajonalë—se kontrolli territorial dhe projekcioni i forcës mbeten elementë kyç të doktrinës së saj të sigurisë”, u shpreh ai.
Duke vazhduar tutje, eksperti shpjegon se stërvitjet nuk kanë vetëm dimension ushtarak, por edhe politik dhe informacional, duke provokuar reagime që pastaj përdoren për të ndërtuar narrativën se Serbia po mbrohet nga një kërcënim i jashtëm.
Ai thekson se mesazhi politik i Beogradit është të paraqitet si mbrojtës, ndërkohë që në fakt po përdor këto lëvizje për të tensionuar situatën dhe për të legjitimuar një qëndrim më të ashpër.
“Por dimensioni ushtarak është vetëm një shtresë e kësaj lëvizjeje. Dimensioni politik dhe informacional është po aq i rëndësishëm. Përmes këtyre stërvitjeve, Beogradi tenton të provokojë reagime nga Prishtina dhe Tirana, si dhe nga faktorë politikë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë spektrin shqiptar atje. Çdo reagim i fortë politik apo retorik shfrytëzohet më pas për të ndërtuar një narrativë të parapërgatitur: se Serbia është nën presion apo kërcënim nga një bosht i koordinuar shqiptar-kroat. Kjo logjikë shërben për të legjitimuar në planin ndërkombëtar dhe të brendshëm një qëndrim më të ashpër të Serbisë.
Mesazhi politik që projektohet është i qartë: “ne nuk po provokojmë, por po mbrohemi brenda territorit tonë.” Në këtë mënyrë, krijohet një realitet i fabrikuar ku veprimet mbrojtëse maskojnë një strategji aktive të tensionimit të situates”, shpjegoi eksperti i sigurisë.
Eksperti parashikon se Serbia do të rrisë stërvitjet dhe veprimet e saj informuese për të ndërtuar një kundër-narrativë, duke sfiduar jo vetëm aspektin ushtarak, por edhe atë politik dhe psikologjik për aktorët shqiptarë dhe partnerët e tyre.
“Në vijimësi, është e pritshme që këto lloj stërvitjesh të shtohen në frekuencë dhe intensitet, sidomos deri në përmbylljen e ciklit të ushtrimeve të mëdha rajonale që pritet të zhvillohen në aksin Zagreb–Prishtinë–Tiranë. Kjo nuk është vetëm një reagim ndaj këtyre ushtrimeve, por një përpjekje për të ndërtuar një kundër-narrativë të qëndrueshme që do të shoqërojë gjithë periudhën.
Në këtë kontekst, sfida reale për aktorët shqiptarë dhe partnerët e tyre nuk është vetëm menaxhimi i dimensionit ushtarak, por edhe neutralizimi i efektit të operacioneve informuese dhe psikologjike që i shoqërojnë këto lëvizje”, përfundoi eksperti i sigurisë Drizan Shala për “Bota sot”.
