OPINIONTË FUNDIT

“Shqipëria është e mbrojtur nga NATO, ndërsa Kosova nuk është objektiv direkt i politikave iraniane”

Analisti i sigurisë dhe gjeneral major Muhamet Racaj vlerëson se marrëdhëniet mes Shqipëria dhe Irani janë përkeqësuar ndjeshëm në vitet e fundit, kryesisht për shkak të pranisë së opozitës iraniane në territorin shqiptar.

“Së pari, duhet theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Iranit janë tensionuar ndjeshëm, sidomos për shkak të vendosjes së anëtarëve të opozitës iraniane (MEK) në Shqipëri. Kjo ka bërë që Shqipëria të perceptohet nga Teherani si një hapësirë kundër interesave të tij strategjike”, deklaron ai.

Sipas Racajt, si pasojë e kësaj situate, Irani ka ndërmarrë veprime armiqësore, kryesisht në formën e sulmeve kibernetike.

“Irani ka ndërmarrë veprime armiqësore në formën e sulmeve kibernetike që synojnë paralizimin e infrastrukturës shtetërore dhe krijimin e pasigurisë institucionale. Këto janë dëshmi se përdor mjete hibride për të ushtruar presion ndaj shteteve që i konsideron kundërshtare”, thekson Racaj.

Megjithatë, ai bën një dallim të qartë mes kërcënimeve hibride dhe një sulmi të drejtpërdrejtë ushtarak, duke vlerësuar se ky i fundit është pak i mundshëm.

“Probabiliteti për një sulm konvencional ushtarak ndaj Shqipërisë mbetet shumë i ulët, pasi Shqipëria është anëtare e NATO dhe çdo agresion do të aktivizonte mbrojtjen kolektive të Aleancës. Ky është një faktor i fuqishëm parandalues”, shprehet ai.

Duke folur për ndikimin e mundshëm në Kosova, Racaj thekson se rreziku mbetet i kufizuar dhe kryesisht indirekt.

“Kosova nuk është objektiv i drejtpërdrejtë i politikave iraniane, por mund të ndikohet në mënyrë indirekte përmes kërcënimeve hibride, si dezinformimi, ndërhyrjet kibernetike apo përpjekjet për destabilizim përmes aktorëve të tretë”, vlerëson ai.

Sa i përket qytetarëve të Kosovës që planifikojnë pushimet në Shqipëri, ai jep një mesazh qetësues.

“Nuk ka indikacione për rrezik të shtuar fizik ndaj turistëve. Shqipëria mbetet një vend i sigurt dhe institucionet e saj janë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të parandaluar çdo kërcënim të mundshëm”, deklaron Racaj.

Në fund, ai thekson se kërcënimi nga Irani ekziston, por kryesisht në dimensionin kibernetik dhe jo në atë ushtarak.

“Në përfundim, kërcënimi ndaj Shqipërisë është kryesisht kibernetik dhe hibrid, pa gjasa reale për përshkallëzim në konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak. Kosova mbetet jashtë fokusit direkt, ndërsa qytetarët mund të ndihen të sigurt gjatë qëndrimit në Shqipëri”, përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *