OPINIONTË FUNDIT

Shkruan Kimete Berisha: Dhelpra shpërndan Fermën

1. Lajmi i Madh

Një mëngjes në fermë u përhap lajmi se duhej zgjedhur Presidenti.

Kafshët nuk e dinin saktësisht pse ishte kaq e rëndësishme, por e dinin një gjë:

çdo zgjedhje e Presidentit në fermë sillte shumë zhurmë dhe shumë heshtje njëkohësisht.

Në mes të oborrit u mblodhën kafshët.

Dallëndyshet filluan të fluturojnë mbi fermë duke bërtitur:

Stabilitet!

Konsensus!

Dinjitet institucional!

Kafshët nuk e kuptonin mirë çfarë do të thoshin këto fjalë, por i duartrokisnin gjithsesi.

2. Dhelpra

Nga hija e gardhit doli Dhelpra.

Ajo nuk tha se donte të bëhej Presidente.

Vetëm eci ngadalë nëpër oborr dhe shikoi kafshët me qetësi.

Unë nuk po kandidoj, – tha ajo.

Unë vetëm jam këtu.

Kafshët tundën kokën me respekt.

Sepse në fermë ekzistonte një rregull i pashkruar:

kandidati më serioz është ai që pretendon se nuk është kandidat.

3. Derrat Strategë

Në stallën më të madhe jetonin derrët strategë.

Ata rrallë dilnin para kafshëve, por gjithmonë vendosnin për kafshët.

Njëri tha:

Kandidati duhet të jetë i pranueshëm.

Tjetri tha:

Kandidati duhet të jetë i menaxhueshëm.

I treti tha:

Kandidati duhet të jetë i pashmangshëm.

Pastaj të gjithë tundën kokën dhe shpallën:

Kjo është demokraci shumë funksionale.

4. Dallëndyshet e Mediave

Dallëndyshet fluturonin mbi fermë dhe përsërisnin çdo gjë që dëgjonin.

Kandidat i unitetit!

Kandidat i stabilitetit!

Kandidat institucional!

Sa më shumë e përsërisnin, aq më shumë kafshët filluan të besonin se kjo ishte e vërtetë.

Sepse në fermë ekzistonte një ligj i thjeshtë:

një fjali bëhet e vërtetë në tokë kur përsëritet mjaftueshëm në ajër.

5. Ujku i Opozitës

Në anën tjetër të fermës rrinte Ujku i Opozitës.

Ai ulërinte çdo natë:

Skandal!

Katastrofë!

Fundi i fermës!

Kafshët tundnin kokën seriozisht.

Pastaj vazhdonin të bënin pikërisht atë që kishin vendosur më parë.

6. Kali i Stabilitetit

Në mes të gjithë debatit qëndronte Kali i Stabilitetit.

Ai nuk fliste shumë.

Vetëm thoshte herë pas here:

Duhet qetësi.

Kafshët e donin shumë këtë fjali, sepse ishte fjalia e vetme që nuk kërkonte asnjë vendim.

7. Derrat që Shkruajnë Historinë

Në fund të çdo debati, derrët mblidheshin në stallë dhe shkruanin historinë e fermës.

Në librat e tyre shkruhej gjithmonë:

“Ferma vendosi me unitet.”

“Ferma vendosi me mençuri.”

“Ferma vendosi me përgjegjësi.”

Askush nuk e dinte saktësisht kush ishte ferma.

Por të gjithë përmendeshin në emër të saj.

8. Konsensusi

Një ditë, një pulë e vogël pyeti:

Po kush e vendosi këtë?

Ferma heshti.

Pastaj Gomari filozof tha:

Kjo quhet konsensus.

Po çfarë është konsensusi? – pyeti pula.

Gomari mendoi pak dhe tha:

Konsensusi është kur të gjithë pajtohen me një vendim që është marrë para se të fillojë debati.

9. Presidentja e Fermës

Në fund kafshët u mblodhën përsëri në oborr.

Dallëndyshet shpallën lajmin:

Ferma do ta zgjedhë Presidenten!

Dhelpra buzëqeshi qetë.

Sepse ajo e dinte një sekret të fermës:

në fermë nuk fiton ai që bind kafshët.

Fiton ai që i bind kafshët se vendimi ka ardhur vetë.

Por atë mbrëmje ndodhi diçka e pazakontë.

Ferma nuk e zgjodhi Presidenten.

Dallëndyshet u hutuan.

Derrat filluan të shkruajnë një histori tjetër.

10. Dhelpra mbi Akull

Të nesërmen në mëngjes Dhelpra doli përsëri në oborr.

Ajo dukej pak e nervozuar.

Kafshët u mblodhën përreth.

Dhelpra ngriti kokën dhe tha:

Ferma shpërndahet.

Kafshët u habitën.

Disa menduan se kjo ishte pjesë e planit.

Disa menduan se kjo ishte pjesë e stabilitetit.

Dhelpra shtoi me krenari:

Ky vendim më bën shumë krenare.

Pastaj tha se ata që e kanë sjellë fermën deri këtu janë të rrezikshëm.

Dhelpra tha se dhelprani është i rrezikshëm.

Dallëndyshi qeshi, sepse në fermë gjithmonë është i rrezikshëm dikush tjetër.

Dhe kështu, për herë të parë në historinë e fermës,

Presidenti nuk u zgjodh.

Por zgjedhjet vazhduan.

11. Kafshët që Mësojnë të Duartrokasin

Pas vendimit të Dhelprës, dallëndyshet filluan të fluturojnë mbi fermë me lajmin e madh:

Ferma është e qetë!

Ferma është stabile!

Ferma është krenare!

Kafshët filluan të duartrokasin.

Disa nuk e dinin pse po duartrokisnin.

Disa nuk e dinin për kë po duartrokisnin.

Por në fermë ekzistonte një zakon shumë i dobishëm:

kur të gjithë duartrokasin, është e rrezikshme të mos duartrokasësh.

Gomari filozof nuk duartrokiti.

Ai vetëm tha me zë të ulët:

Në këtë fermë, duket se duartrokitja është bërë një mënyrë për të mos folur.

Por askush nuk e dëgjoi.

Sepse dallëndyshet po bërtisnin shumë fort.

12. Rregulli i Ri i Fermës

Pas dështimit, derrët strategë vendosën të përditësojnë rregullat e fermës.

Ata shkruan në murin e madh:

TË GJITHA KAFSHËT JANË TË BARABARTA.

Kafshët e lexuan dhe tundën kokën me respekt.

Por pak më vonë, derrët shtuan një fjali të vogël poshtë.

…por disa kafshë janë më kafshë se të tjerat.

Kafshët e fermës e lexuan përsëri murin.

Dhelpra buzëqeshi.

Dallëndyshet fluturuan mbi fermë duke shpallur:

Demokracia funksionon!

Dhe kështu në Fermën e Kosovës nuk u kthye qetësia.

Por lajme për qetësinë kishte shumë.

Sepse aty kishte një sekret të vjetër:

nuk është e rëndësishme kush e zgjedh Presidentin.

E rëndësishme është kush e ruan qetësinë kur Presidenti nuk zgjidhet.

EPILOG: Qetësia e Detyrueshme

Dhe kështu në Fermën e Kosovës filloi qetësia e detyrueshme.

Dallëndyshet vazhduan të shpallin lajme.

Derrat vazhduan të shkruajnë rregulla.

Ujku vazhdoi të ulërijë nëpër natë.

Kali vazhdoi të kërkojë qetësi.

Ndërsa Presidenti i fermës mbeti i pazgjedhur.

Por historia e zgjedhjes u shkrua gjithsesi.

Sepse në këtë fermë ekziston një urtësi e vjetër:

sekret.

P.S.

…dhe kështu u prish një tregim që mund të shkruhej bukur.

AUTOKRITIKË:

Vet e katërta:

unë, autori, narratori dhe dëshmitari.

Kim 4.

Tri të tjerat janë duke pozuar.

Mua më thanë:

Shkruaj ti.

Duku e mençur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *