OPINIONTË FUNDIT

Serbia blen raketa kineze: Ballkani rrezikon destabilizim, eksperti paralajmëron katastrofë strategjike

Serbia bleu raketa balistike supersonike nga Kina, konfirmoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa Kroacia fqinje kërkoi reagim nga aleanca e NATO-s.

Ky zhvillim, nxiti reagime të mëdha, derisa edhe Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se raketat balistike që Serbia ka blerë nga Kina kanë karakter sulmues dhe përbëjnë kërcënim jo vetëm për Kosovë, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit.

E në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, i cili tha se bashkëpunimi Serbi-Kinë dhe blerja e raketave në fjalë, mund të ndikojë në stabilitetin rajonal.

Për këtë, ai vlerëson se Beogradi përmes rritjes së kapacitetit mbrojtës, po synon ta rrisë peshën e saj gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

“Si studiues i sigurisë, e shoh blerjen e raketave nga Serbia dhe bashkëpunimin e saj me Kinën si një zhvillim me implikime komplekse dhe shumëdimensionale për stabilitetin rajonal dhe balancën globale të fuqive. Kjo nuk është thjesht një marrëveshje teknike, është një akt strategjik që ndryshon perceptimet dhe lojën e sigurisë në Ballkan. Nga këndvështrimi real politik, Serbia po përpiqet të maksimizojë kapacitetin e saj mbrojtës dhe të rrisë peshën e saj gjeopolitike dhe gjeostrategjike, duke dërguar një sinjal të qartë fqinjëve dhe aktorëve globalë për aftësinë e saj për të mbrojtur interesat kombëtare”.

Krahas kësaj, Dashevci kërkoi reagim institucional dhe ndërkombëtarë për këto veprime të Serbisë, e cila në vazhdimësi ka provokuar tensione në Ballkan.

“Nga perspektiva liberale, kjo lëvizje kërkon reagim diplomatik dhe institucional, jo vetëm paralajmërime ushtarake…, është një mundësi për të inkurajuar dialog dhe mekanizma bashkëpunimi që shmangin tensionet dhe armëtimin konkurrues. Nga ana konstruktiviste, veprimet e Serbisë reflektojnë një imazh të ndërgjegjshëm dhe identitet të fuqishëm, duke treguar përpjekjen për të afirmuar pavarësinë strategjike dhe rolin e saj si aktor sovran në një rajon historikisht të ndikuar nga tensionet dhe konfliktet”, shtjelloi eksperti i sigurisë.

Në fund, ai e komentoi edhe aspektin e sigurisë rajonale dhe efektin që mund të nxisë ky furnizim raketor.

Sipas tij, rrezikun i destabilizimit është i qartë dhe për këtë është i nevojshëm reagimi ndërkombëtar, jo vetëm simbolik, por edhe agresivë dhe të jetë në gatishmëri për skenarë të ndryshëm.

“Nga këndvështrimi i sigurisë rajonale, fuqizimi raketor mund të nxisë një efekt domino, ku shtetet fqinje ndihen të detyruara të rrisin kapacitetet e tyre mbrojtëse, duke rritur rrezikun e destabilizimit. Si studiues i sigurisë, do të theksoja se reagimi ndërkombëtar nuk mund të jetë vetëm simbolik: ai duhet të përfshijë monitorim të vazhdueshëm, diplomaci agresive, koordinim institucional dhe gatishmëri për skenarë të ndryshëm, në mënyrë që të ruhet balanca strategjike dhe stabiliteti në rajon. Serbia, në këtë kuadër, nuk po forcon vetëm kapacitetin ushtarak ajo sfidon rendin ekzistues të sigurisë dhe perceptimet e fuqive globale, duke krijuar një precedent që mund të ndryshojë ekuilibrat e pushtetit në Ballkan dhe përtej”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *