OPINIONTË FUNDIT

Pse u zbut PDK-ja? Analisti zbulon prapaskenat, ja epilogu i takimeve Kurti- opozita

Të dielën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim kryetarin e PDK-së dhe deputetin e kësaj partie, Bedri Hamza.

Takimi u mbajt për të diskutuar rreth çështjes së presidentit, gjersa sipas njoftimit të Qeverisë, Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për zhvillimet politike në vend e më gjerë, si dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik.

“U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit tha se ftesës pozitive iu përgjigj për shkak se ata nuk kanë qenë dhe nuk janë pengesë e proceseve shtetërore.

Hamza ka kërkuar reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake

“Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë neve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Për këtë arsye, sot iu përgjigja pozitivisht ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese.

Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, thuhet në shkrimin e Hamzës.

Përgjigjja pozitive e Hamzës për takim me Kurtin vjen pas deklaratës së tij disa javë më parë, i cili në një intervistë për televizionin vendor ka thënë se takimi duhet të jetë pjesë e marrëveshjes politike para formimit të qeverisë e konstituimit të kuvendit.

Pse ndryshoi qëndrim PDK?

Analisti Lirim Gashi thotë se kushti për të negociuar postin e presidentit pa u formuar qeveria dhe kuvendi ishte një përpjekje për të imponuar marrëveshje politike jashtë rendit kushtetues.

Sipas tij, takimi Kurti- Hamza, dëshmoi se ky kusht ishte më shumë një mjet presioni sesa një vijë e kuqe reale.

“Ndryshimi i qëndrimit të Partia Demokratike e Kosovës nuk buron nga ndonjë reflektim parimor apo pjekuri politike, por nga një realitet i thjeshtë pushteti: mungesa e tij. Kur një parti e humb kontrollin mbi institucionet, ajo fillon të relativizojë parimet që më parë i shpallte “të panegociueshme”. Kushti për të negociuar postin e presidentit pa u formuar qeveria dhe kuvendi ishte një përpjekje për të imponuar marrëveshje politike jashtë rendit kushtetues. Takimi i djeshëm me kryeministrin dëshmon se ky kusht ishte më shumë një mjet presioni sesa një vijë e kuqe reale”, deklaron Gashi.

ImageAnalisti Lirim GashiFoto galeri
Sipas tij, kjo parti mund të bëjë kompromise edhe për çështje tjera kur bëhet fjalë për interesat e veta.

Disa subjekte politike, parimet nuk janë udhërrëfyes, por dekor retorik, thotë Gashi.

“Po nënkupton se kjo parti bën kompromise edhe për çështje të tjera kur bëhet fjalë për interesat e veta, ky takim e konfirmon qartë këtë logjikë. Kur interesat partiake – qofshin poste, ndikim apo mbijetesë politike – vihen në rrezik, kompromisi shndërrohet nga “tradhti parimore” në “realizëm politik”. Problemi nuk është kompromisi në vetvete, sepse kompromisi është pjesë e demokracisë, por selektiviteti moral: refuzimi i dialogut kur janë në pushtet dhe pranimi i tij kur janë jashtë tij. Kjo e bën të qartë se për disa subjekte politike, parimet nuk janë udhërrëfyes, por dekor retorik”, shprehet analisti.

Në anën tjetër, sot kryeministri Albin Kurti ka takuar edhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Pas takimit, ky i fundit ka thënë se janë dy mënyra për çështjen e Presidentit.

“Ishte një takim ndërpartiak që diskutonte çështjen e presidentit, dhe jo vetëm. Folënm për politikën e jashtme të Kosovës, çështjet e sigutrisë.

E falënderova për përfshirjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës në atë qëndror. Në përgjithësi folën për presidentin, dhe afatit kushtetutesq qe po na rrjedh, janë 9 dite deri te zgjedhja. Dakordikimi i përgj është që janë dy rrugë përpara, e para që duhet konsensus politik, dhe ose duhet marrëveshje klasike politike mes partive dhe ne te dyja raëstete duhet 2/3 e deputetlëve të Kosovës. Mbetet te takohemi për të parë ditëve në vijim për te parë njërën prej këtyre dy mundësive”, u shpreh Abdixhiku.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti deklaroi se në takim kanë diskutuar për diskutuar zhvillimet politike në vend, situatën e sigurisë, politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ai foli për një kapitull të ri të raporteve politike me partitë opozitare.

Kurti tha se ai dhe as partitë e tjera nuk nuk preferon zgjedhje të reja.

“Na duhet një shumicë që i ofrohet 85 votave. Do t’i intensifikojmë bisedeimet që ta kemi një zgjidhje për çështjen e presientit, sepse pas atyre katër palë zgjedhjeve nuk do të duhej që gjysmëm e parë të vitit 2026 të na e marrin zgjedhjet. Do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet.”, tha Kurti.

“Patëm një takim të gjatë me kryetarin e LDK-së dhe deputetë të Kuvendit. Diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë, për situatën e sigurisë, për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Kurti.

Sipas tij, pjesë e bisedës ishte edhe shtetndërtimi demokratik, drejtësia, progresi i arritur dhe sfidat që e presin vendin. “U zotuam për komunikim dhe kontakte të drejtpërdrejta, për bashkëbisedime të frytshme, në mënyrë që të hapim një kapitull të ri të raporteve mes partive politike, qeverisë dhe opozitës”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, analisti Lirim Gashi u pyet rreth epilogut të këtyre takimeve.

Sipas tij, ky është proces testimi politik.

Gashi shprehet se Kurti po i ekspozon partitë opozitare përballë përgjegjësisë institucionale.

“Epilogu nuk do të jetë një “marrëveshje historike”, siç mund të paraqitet në opinion, por një proces testimi politik. Kryeministri Albin Kurti po i ekspozon partitë opozitare përballë përgjegjësisë institucionale: ose pranojnë të respektojnë rendin kushtetues dhe rolin e tyre si opozitë, ose zbulojnë hapur se dialogun e shohin vetëm si instrument pazari. Në këtë kuptim, këto takime nuk janë shenjë dobësie e qeverisë, por një pasqyrë për opozitën. Dhe pasqyra, siç dihet, nuk gënjen – ajo vetëm tregon atë që je”, përfundon Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *