OPINIONTË FUNDIT

Pse Sergei Lavrov e solli sërish në vëmendje ndarjen e Kosovës?

Ministri I Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar para dy javësh saktësisht këtë gjë: “Historia e Ballkanit ka qenë shumë e vështirë fatkeqësisht. Ajo vazhdon ende në vështirësitë e saj. Ne i kemi vëzhguar diskutimet edhe në Republikën Srpska në Bosnjë. Ka patur gjithashtu konsiderata serioze për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Serbisë Jugore dhe Kosovës. Nëse po flasim për një marrëveshje, e cila do ishte e përshtatshme për serbët dhe fqinjët e tyre, atëherë mendoj se të gjitha vendet e rajonit, duke na përfshirë edhe ne (rusët) do të ishim të lumtur dhe do ta mbështesnim këtë. Ndoshta jo të gjitha vendet, por shumica”.

E solla të plotë këtë deklaratë të shefit rus të diplomacisë për të kujtuar se ideja e shkëmbimit të territoreve në Kosovë nuk ka vdekur. Ajo është ende gjallë dhe na shfaqet si një fantazmë çdo kohë. Madje që prej vitit 1986, kur asokohe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Dobrica Qosiç, kishte hartuar projektin e tij të ndarjes së Kosovës. Ishte akademiku Qosiç, i cili pak më vonë u bë president i RF të Jugosllavisë, ai që hodhi i pari idenë e ndarjes së Kosovës. Sipas Azem Vllasit, kjo ide kishte si projekt ndarjen në kufijtë nga Peja drejt Mitrovicës, pastaj Podujevë, Gjilan e deri në Kaçanik, duke përfshirë Prishtinën. Pjesën në veri do ta merrte Serbia dhe pjesa në Jug, duke llogarit Drenicën e deri në Prizren do t’i “bashkohej” Shqipërisë.

Arsyetimi i ndarjes së Kosovës para plot 40 viteve justifikohej me natalitetin e shqiptarëve dhe pamundësinë e ndryshimit të strukturës së popullsisë në të gjithë territorin. Qosiç e dinte mirë se një territor i banuar me shqiptarë nuk do të mbahej në pushtim e nën sundim përgjithmonë. Fatkeqësisht këtë ide e ka mbështetur vazhdimisht edhe akademiku shqiptar, Rexhep Qosja. Dhe në vitet 2016-2020 u përpoqën ta realizojnë tre aktorët kryesorë të politikës së shteteve të invlovuara, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Dihen tashmë përpjekjet, lobimet dhe insistimet e kësaj tresheje anti-shqiptare për ndryshimin e kufijve, shkëmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës.

Por tërheq vëmendjen ajo se pse kreu i diplomacisë rusë e solli sërishmi në vëmendje këtë projekt të Akademisë së Shkencave dhe Arteve si dhe të qeverisë e presidentit të Serbisë? Dhe parasëgjithash: – A ka të bëjë kriza e zgjedhjes së presidentit në Kosovë pikërisht me nevojën për ta rikthyer opsionin e ndarjes së Kosovës?! E di se ndonjë do të thotë se kjo që ndodh në Kosovë nuk ka asnjë lidhje me atë projekt. Por kam ndjesinë se kjo krizë ka si aktor nxitës edhe kryeministrin e Shqipërisë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti që ai u bashkua sërishmi për të disatën herë me presidentin e Serbisë dhe të dy së bashku vendosën të heqin dorë nga integrimi politik në BE të të dy vendeve që ata përfaqësojnë. Pa pyetur askënd. Pa asnjë ekspertizë.

Ajo letër me të cilën dy auto dhe kleptokratët e Ballkanit, Edi dhe Sandri, heqin dorë nga integrimi politik, është thikë pas shpine për Kosovën. Sepse është në interes të Serbisë që ajo të integrohet në BE nga pikëpamja ekonomike dhe në fusha të tjera, veç politikës. Në fakt kjo ka qenë strategji prej më shumë se një shekulli e Serbisë. Të përfitojë ekonomikisht, në arsimim, në tregti e investime nga Europa dhe politikisht e strategjikisht nga Lindja, përkatësisht Rusia dhe Kina. Që do të thotë se në këtë rast t’i lihet Serbisë dorë e lirë të vendosë vetë për atë që do të bëjë me Kosovën. Heqja dorë nga integrimi politik do të thotë mosdetyrim i Serbisë për njohjen e Kosovës. Pikërisht këtë strategji anti-shqiptare e ka mbështetur Edi Rama. Dhe zvarritja e zgjidhjes përkthehet në lodhje të faktorit ndërkombëtatr për të shkuar të opsioni i ndarjes së Kosovës.

Nga ana tjetër drama politike që luhet në Prishtinë është projekt i forcave anti-shqiptare. Nuk ka rëndësi se kush janë aktorët e kësaj drame. Rëndësi ka që klasa politike e Kosovës është tashmë tejskajsmërisht e përçarë. Për fajin e të gjitha palëve në konflikt, përfshi partitë parlamentare, presidenten dhe kryeministrin. Të gjithë këta për arsye egoizmi apo të tendencës për kontroll në institucione, për shkak të ndikimeve të Tiranës apo ndoshta edhe të Beogradit, me veprimet që kanë kryer dhe po kryejnë do ta sjellin Kosovën në terrenin serb të ideve të Dobrica Qosiç dhe Aleksandër Vuçiq. Nëse Kosova do të ishte shtet i pranuar plotësisht ndërkombëtarisht, atëherë kjo krizë politike në këtë vend do të ishte në kufijtë e normales. Por Kosova po humb imazhin e saj. Humbja e imazhit është cënim i shtetësisë. Cënimi i shtetësisë çon në interpretime të tipit se “shqiptarët në Kosovë nuk mund të bëjnë shtet”!

Shkurt rendja pas pushtetit e të gjitha palëve e dëmton rëndë shtetin dhe reputacionin e tij. Dhe kjo rendje duket te opozitarët që sillen si fitues dhe te fituesi që sillet deridiku me një lloj intrige të fshehur. Shtoji këtyre edhe egoizmin dhe ambiciet e sëmura për pushtet, atëherë lehtësohet shumë puna e kundërshtarëve të Kosovës për ta goditur atë, pikërisht aty ku është pika më e dobët: – Shtetësia dhe integriteti territorial i vendit. Kur Lavrov flet kaq hapur për idenë e ndarjes së Kosovës dhe shpreson se nëse jo të gjitha shtetet, së paku shumica e tyre në rajon do ta pranojnë këtë opsion, ai e ka fjalën edhe për Shqipërinë e drejtuar nga Rilindja e Edi Ramës. Kur ministri i Jashtëm i Rusisë prononcohet kaq hapur, nuk bëhet fjalë më për një hipotezë të mundshme, por për një realitet të dhimbshëm, të cilin vetë ne e krijojmë me duart tona.

Legjenda e Kalasë së Rozafës na përcjell ne shqiptarëve brez pas brezi. Edhe pse betohemi në urtësinë e Ibrahim Rugovës dhe heroizmin e pashoq të Adem Jasharit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *