“Pse jo”, Enver Dugolli i VV sinjalizon se Kurti mund t’i shkruajë letër Hamzës për takim
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, pretendoi se e kanë shumë seriozisht që ta zgjidhin çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri dhe tha se shefi i tij, Albin Kurti, po bën përpjekje në këtë drejtim.
I pyetur për deklaratën e kreut të PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se partia e tij pret ftesë zyrtare për takim nga Kurti për t’iu përgjigjur, Dugolli tha se edhe “ftesa gojore” është zyrtare.
“Deklarimi i zotit Kurti se do t’i konsultojë partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit është zyrtar, por edhe do të formalizohet, pse jo, edhe me ftesa zyrtare. Por ftesat zyrtare janë edhe gojore, nuk janë vetëm ato me shkrim. Ne jemi të interesuar që seriozisht të komunikojmë dhe ta zgjidhim këtë çështje. Pritet që të takohen Kurti dhe Hamza, prandaj uroj që, me një komunikim përmbajtjesor të tejkalohet edhe kjo çështje”, tha ai për RTV21.
Dugolli, Grupi Parlamentari i së cilit ka shumicën parlamentare, tha se barra për tejkalimin e krizës për presidentin i ngarkohet opozitës. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka propozuar dy anëtarë të saj për pozitën që kërkohet një figurë unifikuese.
“Nëse opozita do t’i shmangë zgjedhjet, zgjidhja është aty. Ne po konsiderojmë që vendi ka nevojë që të zgjidhet presidenti dhe të shmangen zgjedhjet”.
Dugolli shtoi: “Jemi shumë të interesuar që të zgjidhim këtë çështje, ndërsa këmbënguli se “partitë opozitare janë ato që do t’i evitonin zgjedhjet”.
