Protesta e djathtistëve serbë kundër Ligjit për të huajt në Kosovë – zbardhen mesazhet e fshehta që përçoi Serbia!
Qeveria e Kosovës ka vendosur të krijojë lehtësira, duke lëshuar leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’ua njohë letërnjoftimet që atyre u lëshohen nga organet serbe, duke lehtësuar kështu ndikimin e zbatimit të Ligjit për të huaj.
Këto lehtësira u mirëpritën nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.
Por, si duket e njëjta nuk u mirëprit nga vet Serbia, e cila e shoqëroi me protestë.
Me sloganin “Për Kosovën dhe Metohinë serbe” në Beograd më 17 mars u mbajt një protestë e organizuar nga 13 parti dhe lëvizje të së djathtës, përfshirë edhe grupin ultradjathtist, Obraz.
Protestuesit thanë se këto ligje do të ndikojnë negativisht tek anëtarët e minoritetit serb në Kosovë, por edhe te sektori i shëndetësisë dhe arsimit, që në zonat e banuara me serb në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
Kjo protestë u shoqërua edhe me deklarata dhe prezencë të deputetëve të opozitës në Serbi dhe profesorë të tjerë, të cilët kundërshtonin këtë ligj, ani pse u përkrah nga ndërkombëtarët.
Pas fjalimeve, protestuesit marshuan drejt Ambasadës së Federatës Ruse në Beograd, për të falënderuar, sipas Obradoviq, “vëllezërit rusë”.
Obradoviq ka udhëhequr lëvizjen Obraz, e cila nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë në vitin 2005 u klasifikua si organizatë fashiste.
Si mund të vlerësohet kjo protestë nga Serbia për këtë ligj, i cili u lehtëson gjërat serbëve të Kosovës dhe mbështetet nga ndërkombëtarët?
Tali: Protesta e 17 marsit u organizua nga grupe ekstremiste serbe me ideologji raciste dhe hegjemoniste
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur Driton Tali.
Tali thotë se protesta e 17 marsit ishte e organizuar nga grupe ekstremiste me ideologji raciste dhe hegjemoniste dhe duhet kuptuar brenda klimës së tensionuar politike në Serbi, sidomos rreth debatit për “Ligjin për të huajt”.
“Vet data e organizimit të asaj proteste nga grupe ekstrene setbe hexhemoniste e raciste, 17 marsi në konatacion me 17 marsin e 2004, e shpjegon natyrën dhe qëllimin e asaj proteste.
Kësaj shtoja edhe organizatorët dhe pjesëmarrësit si “Dveri”, “Zavetnici”, “Srpska desnica”, “Obraz”, “Pokret za odbranu Kosova i Metohije”, secila më raciste dhe më ekstreme se tjetra, e rrumbullakson kutpimin e asaj proteste hexhemoniste e raciste.
Mirëpo, kjo protestë e këtyre ekstremistëve dhe racistëve serbë, nuk mund të shikohet jashtë diskursit politik në Serbi që u organizua sidomos lidhur me “Ligjin për të huajt”.
Me javë të tëra u kritikua dhe u kualifikua me ligjet naciste kundër hebrenjëve”, u shpreh ai.
Tutje ai thotë se në Serbinë e sotme, që shihet si vazhdim i asaj të Millosheviçit, kritikohet ashpër një ligj i Kosovës për zbatimin e rregullave të saj, madje duke u krahasuar padrejtësisht me ligjet naziste.
Ndërkohë, ai e konsideron hipokrizi faktin që vetë Serbia zbaton politika si “pasivizimi i adresave” për shqiptarët, duke ua kufizuar të drejtat, por i paraqet ato si procedura normale administrative.
“Pra në “Serbinë e Vuçiçit”, që ēshtë pasardhëse e “Serbisë së Millosheviçit”, ku për hirë të përvjetorit të vdekjes së tij (Sllobës), me 11 mars, u organizuan aktivitete të ngjeshura duke e lartēsuar në piedestal, u sulmua brutalisht një ligj i cili synon që në territorin e saj të rregullon “regjistrimin me dokumente të saj dhe targa RKS” pra “funksionimin sipas ligjeve të saj”.
Për më tepër “Ligji për të huajt” u krahasua me “ligjet naciste ndaj hebrenjëve” nga një shtet i cili bënë spastrim administrativ të shqiptarëve në kontiunitet qe sa e sa vite me “pasivizimin e adresave” (të shqiptarëve) në Luginë (Preshevë, Bujanoc, e Medvegjë – ku tashmë Nedvegjën pothuajse e kanë spastruar nga shqiptarët), enkas që shqiptarëve t’ju merren të drejtat civile sepse kur adresa “pasivizohet” atëhere personi nē fjalë hiqet nga regjistri i banimit aktiv dhe konsiderohet si banor “jo rezident” që do të thotë se e humb të drejtën e votës, aksesin në shërbime publike dokumente personale (ID, pasaportë, etj.), të drejtën për pronë apo përfitime sociale (në praktikë).
Dhe hipokrizia raciste e hexhemoniste serbe “pasivizimin e adresave” e argumentojnë si “një procedurë normale administrative e cila synon regjistra të saktë të popullsisë” kurse “Ligjin për të huajt” të Kosovës, që është ligj “copy paste” i Ligjit për të huajt i UE’së, e klasifikojnë si “ligj nacist””, shpjegoi ai.
Tutje, ai shprehet se këto parti ekstremiste serbe përdoren nga Vuçiq si mjete për të përhapur propagandë, për të organizuar protesta presioni dhe për të ndikuar në opinionin publik, sidomos kundër opozitës dhe për të dërguar mesazhe ndaj Perëndimit.
“Për fund duhet cekur se këto 13 parti klonësh e palaçove reciste serbe që akoma jetojnë në shekullin e XIX-XX, të cilat e organizuan ate protestë raciste e hexhemoniste, e që akoma jetojnë në shekujt XIX e XX, zakonisht përdoren nga Vuçiçi për punë të pista. Sa here që ai të ketë nevojë ata dalin nëpër mediet pro-qeveritare ku llomotisin varësisht se çka ka nevojë Vuçiçi apo organizojnë protesta për të krijuar presion dhe ndikuar në diskursin publik për frikësim, sidomos tash ndaj opozitës më liberale por edhe për t’i çuar mesazhe Perendimit”, foli Driton Tali për “Bota sot”.
