OPINIONTË FUNDIT

“Popoviq kishte lidhje me të dënuarin për Masakrën e Reçakut”, publicisti thotë se Franca gaboi që kërkoi lirimin e tij

Analisti politik Idriz Zeqiraj ka reaguar lidhur me arrestimin e zyrtarit serb Igor Popoviq, duke e quajtur “plotësisht të ligjshëm” dhe të mbështetur në fakte të pakontestueshme. Ai ka theksuar se zhurma e Serbisë pas këtij arrestimi është krejtësisht artificiale.

“Kosova nuk është në pozicionin për të provokuar askënd me skenare të montuara, siç vepron zakonisht Serbia. Arrestimi i tij është i bazuar në fakte të bollshme. Ai ka bashkëpunuar dhe komunikuar në mënyrë të koduar me drejtues të BIA-s, duke ndihmuar në fshehjen e personave të kërkuar për krime lufte në Kosovë,” ka deklaruar Zeqiraj.

Sipas tij, Popoviq ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me eksponentë të Shërbimit Informativ Serb, përfshirë Bojan Demiçin dhe Petar Petkoviqin, të cilëve u ka dhënë informacione për qëllime politike dhe shantazh.

ImageIdriz ZeqirajFoto galeri
“Popoviq mbante lidhje edhe me Çedomir Aksiqin, të dënuar për Masakrën e Reçakut. Ai ka përgjuar dhe inçizuar fshehurazi, për t’i transmetuar të dhënat në llogari të BIA-s,” ka shtuar ai.

Zeqiraj ka theksuar se Popoviq ka konsumuar plotësisht veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit” dhe ka akuzuar atë për deklarata provokuese ndaj forcave të sigurisë së Kosovës.

“Duke qenë në cilësinë e Ndihmësdrejtorit në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, deklarimet e tij publike kundër forcave ushtarake të Kosovës ishin sfidë e hapur ndaj shtetit. Fjala fyese për luftëtarët e Kosovës në Hoçë të Madhe ishte provokim dhe propagandë për nxitje të urrejtjes ndëretnike,” ka theksuar analisti.

Ai ka kritikuar edhe qëndrimin e Francës, e cila ka kërkuar “lirimin e shpejtë” të Popoviqit.

“Kjo kërkesë është jo korrekte dhe stimulon krimin në Kosovë. Shteti francez ende nuk është distancuar nga agjenti i DGSE-së që vuri në shërbim të Serbisë Hashim Thaçin, duke i shkaktuar dëme të pariparueshme Kosovës,” ka kujtuar Zeqiraj.

Në fund, ai ka vlerësuar se nuk pritet ndonjë zhvillim i jashtëzakonshëm pas arrestimit, duke përmendur përvojat e mëhershme me lirime të papritura dhe deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Edhe me deklaratat bombastike të Vuçiqit, populli i Kosovës është mësuar dhe nuk i merr seriozisht. Ai i përdor ato për konsum të brendshëm, ndërkohë që protestat masive në Serbi tregojnë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj sundimit të tij autokratik,” ka përfunduar Zeqiraj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *