Policia konfiskon tri armë në rajonin e Mitrovicës
Policia konfiskon tri armë në rajonin e Mitrovicës
Policia e Kosovës dje në rajonin e Mitrovicës ka konfiskuar tri armë zjarri.
Në rastin e parë, sipas njoftimit të policisë, policia ka identifikuar të dyshuarin me inicialet D.H., 21-vjeçar i cili kishte postuar në rrjetin social “Tik-Tok” një video duke shtënë me armë. I njëjti është arrestuar dhe i është konfiskuar arma e llojit pistoletë (me gas), ndërsa pas procedurave policore është liruar në procedurë të rregullt.
“Ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në rastin e dytë, njësia policore gjatë patrullimit në Vushtrri në orët e pasdites së djeshme kanë ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit në bagazh kanë gjetur një armë gjuetie për të cilën personi nuk posedonte autorizim. I dyshuari, 55-vjeçar është arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor ndërsa arma është konfiskuar.
Ndaj të njëjtit është iniciuar gjithashtu rast për armëmbajtje pa leje.
Ndërkaq, rasti i tretë i konfiskimit të armës ka ndodhur pas mesnatës, rreth orës 01:00 të datës 3 mars, ku policia në Skenderaj gjatë një pike kontrolli ka ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit të personave, tek dy personat që ishin në atë automjet është gjetur një armë.
“Armët ishin të llojit pistoletë dhe gjithashtu kishin edhe municion. Të dyshuarit Sh.M. dhe L.J., 33-vjeçar, janë arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin policor. Armët janë konfiskuar dhe do të procedohen në cilësinë e provave materiale ndërsa të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt ndërsa ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftimin e policisë. /Lajmi.net/