OPINIONTË FUNDIT

Paralajmëron Kelmendi: Ja çka mund të ndodh pas 4 marsit nëse vendi mbetet pa president

Profesori dhe juristi, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot” ka kometuar zhvillimet e fundit në lidhje me zgjedhjen e presidentit.

Ai tha se më 4 mars 2026 përfundon mandati i Presidentes dhe vendi mund të mbetet pa president, pasi nuk ka ende marrëveshje politike.

Profesori thekson se sipas Kushtetutës zgjedhja kërkon shumicë graduale votash dhe sugjeron nevojën për një marrëveshje paraprake për të lehtësuar procesin dhe ndoshta për ndryshime.

“Më 4 mars 2026 përfundon afati kushtetues i Presidentes dhe çështja kalon në Kuvend për rizgjedhjen ose zgjedhjen e Presidentit/es së ri/re. Duke u bazuar në gjendjen aktuale politike, ekziston mundësia që më 4 mars 2026 vendi të mos ketë President/e, pasi deri më tani nuk ka ndonjë marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare.

Sipas Kushtetutës, në dy rundet e para Presidenti/ja zgjidhet me 2/3 e votave të deputetëve. Në rundin e tretë kërkohen 80 vota, ndërsa nëse dështon edhe ky rund, Presidenti/ja zgjidhet me shumicë të thjeshtë, pra me 61 vota.

Pa dashur të anoj në asnjërën palë politike, është e domosdoshme që të arrihet një marrëveshje paraprake politike. Kështu do të ishte më e lehtë zgjedhja e të parit/të parës së vendit.

Ndoshta është koha për ndryshime”, u shpreh ai.

Më tej, thekson se vendi duhet të ketë gjithmonë President/e dhe sugjeron ndryshime kushtetuese, përfshirë zgjedhjen e drejtpërdrejtë nga populli dhe rishikimin e vendimeve që kërkojnë 2/3 e votave të minoriteteve, për të forcuar demokracinë dhe garantuar të drejtat e qytetarëve.

“Megjithatë, në çdo rast është e rëndësishme që vendi të ketë President/e dhe të mos shkojë në zgjedhje të reja e të jashtëzakonshme. Sipas Kushtetutës, Presidenti/ja zgjidhet nga Parlamenti.

Do të ishte mirë të bëhen ndryshime kushtetuese në disa fusha. Një ndryshim i rëndësishëm do të ishte që Presidenti/ja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, me votë të lirë dhe demokratike. Në këtë mënyrë vendi nuk do të mbetej kurrë pa President/e.

Po ashtu, duhet të rishikohen vendet e rezervuara dhe dispozitat që kërkojnë miratim vetëm me 2/3 e votave të përfaqësuesve të minoriteteve për disa çështje. Këto baza juridike kushtetuese konsiderohen nga disa si jodemokratike dhe të dëmshme.

Vendit i duhet një demokraci funksionale, e mbështetur në vullnetin e popullit. Askush nuk duhet të ketë të drejta të kufizuara apo të mohuara. Me ndryshime të tilla kushtetuese, demokracia vetëm do të forcohej, ndërsa të drejtat do të garantoheshin edhe më qartë.

Vendi do të merrte frymë më lirshëm”, nënvizon ai për gazetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *