OPINIONTË FUNDIT

Osmani në pikëpyetje, Jasharët në lojë? Lëvizja e fundit e Kurtit trazoi politikën – Halilaj zbërthen skenarin

Pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, është rihapur diskutimi për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Kurti bëri të ditur se biseda ishte e gjatë dhe përfshiu disa tema me rëndësi, ndër to edhe çështjen e presidentit, duke theksuar se nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një emër të përveçëm apo një anëtar partie që synon këtë post.

Kjo deklaratë ka nxitur interpretime të ndryshme në skenën politike. A përbën ky një sinjal se LVV nuk do ta rikandidojë presidenten aktuale Vjosa Osmani? Apo është një përpjekje për të hapur rrugë për një kandidat konsensual, ndoshta edhe jopolitik, siç është përfolur ideja e një figure nga familja Jashari?

E për këtë temë për “Bota sot” foli avokati dhe anëtari i Listës “Guxo”, Gazmend Halilaj, i cili mirëpriti takimin e Kurtit me Abdixhikun dhe vlerësoi gatishmërinë për të biseduar për çështje të rëndësishme të vendit.

“Takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku mund të lexohet si një sinjal i pjekurisë politike dhe i gatishmërisë për dialog institucional në një moment të rëndësishëm për vendin, sidomos kur në agjendë është çështja e presidentit të ri të Kosovës”.

ImageAvokati dhe anëtari i Listës “Guxo”, Gazmend HalilajFoto galeri
Sa i përket faktit që Kurti deklaroi se, LVV nuk ka emër partiak për president të vendit, sipas tij është sinjal pozitiv.

Sipas tij, kjo dëshmon se LVV nuk e sheh postin e presidentit si partiak, por si funksion institucional dhe të unitetit poliitk e qytetar.

Megjithatë, Halilaj nuk vlerëson se deklaratat e Kurtit konfirmojnë përjashtimin e Osmanit nga kandidatura për presidente.

“Fakti që nga LVV është theksuar se nuk ka një emër të përveçëm partiak për president tregon disa gjëra pozitive.

Së pari, kjo dëshmon se LVV nuk po e sheh postin e presidentit si “pronë partiake”, por si një funksion që duhet të mishërojë unitetin qytetar dhe institucional. Në një skenë politike shpesh të polarizuar, ky është një mesazh përbashkues dhe shtetformues.

Së dyti, deklarimi se nuk ka një anëtar të partisë që synon detyrën lë të hapur mundësinë për një figurë konsensuale. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht përjashtim i Vjosa Osmanit, por tregon se LVV është e hapur ndaj diskutimeve dhe nuk po imponon emra apriori. Një qasje e tillë e forcon pozitën negociuese të partisë dhe e paraqet atë si faktor stabiliteti”, nënvizoi ai.

Më tej, avokati foli edhe për mundësinë që presidenti i ri i vendit të vijë nga familja Jashari, e të cilin e mirëpriti.

Mirëpo, për këtë tha se duhet të ketë konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.

“Sa i përket mundësisë për një emër jopolitik, kjo do të ishte në përputhje me diskursin e vazhdueshëm të LVV për institucionalizim dhe depolitizim të roleve kyçe. Një figurë me integritet të lartë publik, me kredibilitet moral e kombëtar – përfshirë edhe emra simbolikë nga familje me peshë historike si Jashari – do të mund të ishte një mesazh i fortë uniteti dhe respekti për sakrificën kombëtare. Megjithatë, një vendim i tillë do të duhej të ndërtohej mbi konsensus të gjerë politik dhe shoqëror”.

Ndër të tjera, ai përshëndeti qasjen politike të Kurtit e LVV-së, duke thënë se me këtë qasje pragmatike e strategjike, forcohet imazhi i saj partiak.

“Në thelb, qëndrimi aktual i LVV reflekton një qasje pragmatike dhe strategjike: jo nxitim për emra, por fokus në proces, dialog dhe legjitimitet institucional. Kjo e pozicionon partinë si forcë që synon stabilitet afatgjatë dhe jo përfitim të ngushtë politik.

Nëse kjo qasje vazhdon, LVV jo vetëm që forcon imazhin e saj si parti reformuese, por edhe kontribuon në ngritjen e standardit të kulturës politike në vend”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *