OPINIONTË FUNDIT

Orët kritike për Presidencën e Kosovës – negociatat ende pa rezultat – Ja çfarë sugjeron juristi

Deri tani, partitë politike nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, ndërsa afati i fundit për këtë proces është nesër, më 4 mars 2026.

Situata mbetet e ‘tensionuar’, ndërsa vëmendja e publikut është kthyer te negociatat dhe mundësitë për një kompromis të fundit.

A do të shkohet në zgjedhje të reja dhe të jashtezakonshme pse mbetet Kosova pa President/e?

Juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se më 4 mars 2026 përfundon mandati i Presidentes dhe Kosova mund të mbetet pa President/e, pasi nuk ka ende marrëveshje politike ndërmjet partive.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e Presidentit/ës kërkon 2/3 e votave në dy raundet e para, 80 vota në raundin e tretë, dhe më pas 61 vota me shumicë të thjeshtë, ndërsa kandidati/ja duhet të ketë 30 nënshkrime.

Kelmendi sugjeron se është e nevojshme një marrëveshje paraprake politike dhe ndoshta koha për një President/e konsensuale, edhe nëse nuk është znj. Osmani.

“Më 4 mars 2026 përfundon afati kushtetues i Presidentes dhe çështja kalon në Kuvend për rizgjedhjen ose zgjedhjen e Presidentit/es së ri/re. Duke u bazuar në gjendjen aktuale politike, ekziston mundësia që më 4 mars 2026 vendi të mos ketë President/e, pasi deri më tani nuk ka ndonjë marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare.

Sipas Kushtetutës, në dy rundet e para Presidenti/ja zgjidhet me 2/3 e votave të deputetëve. Në rundin e tretë kërkohen 80 vota, ndërsa Presidenti/ja zgjidhet me shumicë të thjeshtë, pra me 61 vota.

Ndersa, si kandidate, kërkohen 30 nënshkrime.

Pa dashur të anoj në asnjërën palë politike, është e domosdoshme që të arrihet një marrëveshje paraprake politike. Kështu do të ishte më e lehtë zgjedhja e të parit/të parës së vendit.

Ndoshta është koha për ndryshime ne kete nivel. Me kete mendoj qe vendit t’i ipet nje President/te konsesuale. Kjo, edhe nëse nuk është z Osmani”, thotë ai.

Kelmendi, thotë se Kosova duhet të ketë President/e dhe sugjeron ndryshime kushtetuese: zgjedhje direkte nga populli, rishikim të vendeve të rezervuara dhe forcim të demokracisë për të garantuar të drejtat e qytetarëve.

“Megjithatë, në çdo rast është e rëndësishme që vendi të ketë President/e dhe të mos shkojë në zgjedhje të reja e të jashtëzakonshme. Sipas Kushtetutës, Presidenti/ja zgjidhet nga Parlamenti.

Do të ishte mirë të bëhen ndryshime kushtetuese në disa fusha:

1.Një ndryshim i rëndësishëm do të ishte që Presidenti/ja të zgjidhet drejtpërdrejt

nga populli, me votë të lirë dhe demokratike. Në këtë mënyrë vendi nuk do të mbetej kurrë pa President/e.

2. Duhet të rishikohen vendet e rezervuara dhe dispozitat që kërkojnë miratim vetëm me 2/3 e votave të përfaqësuesve të minoriteteve për disa çështje. Këto baza juridike kushtetuese konsiderohen nga disa si jodemokratike dhe të dëmshme.

3. Vendit i duhet një demokraci funksionale, e mbështetur në vullnetin e popullit. Askush nuk duhet të ketë të drejta të kufizuara apo të mohuara.

Me ndryshime të tilla kushtetuese, demokracia vetëm do të forcohej, ndërsa të drejtat do të garantoheshin edhe më qartë.

Vendi do të merrte frymë më lirshëm” – përmbyll ai për gazetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *