Nuk bëhej fjalë për shkëmbim territoresh- por për tregti me sovranitetin
Nuk bëhej fjalë për një projekt të shkëmbimit të territoreve, siç u përpoq Hashim Thaçi ta paraqesë në mënyrë të maskuar diskursin e tij publik.
Ishte, në thelb, një nismë e zhveshur nga çdo parim shtetformues – një përpjekje për ta blerë lirinë personale nga Gjykata Speciale përmes një pazari të errët me Aleksandar Vuçiqin, të ndërmjetësuar nga “vëllezërit” e tij shqipfolës: Edi Rama, Baton Haxhiu dhe Shkëlzen Maliqi.
Çmimi i kësaj “lirie” nuk ishte aspak simbolik – ishte vetë veriu i Kosovës, i dorëzuar pa kushte, pa reciprocitet dhe pa rikthimin qoftë edhe të një pjese të vetme të territorit të humbur.
Këtë nuk e dëshmon vetëm logjika e ftohtë e analizës politike, por edhe deklarimet dhe qëndrimet e Sabina Çudiqit, të cilat e çveshin këtë projekt nga çdo iluzion diplomatik dhe e vendosin në kuadrin e tij real, si një akt të rrezikshëm të tregtisë me sovranitetin e shtetit.
Nga këndvështrimi historik, ky mentalitet përfaqëson një rikthim tragjik në traditat më të errëta të politikës shqiptare, ku territori dhe fati i kombit trajtoheshin si monedha shkëmbimi për interesat personale të elitave.
Ishte një mohim i sakrificës kolektive dhe i gjakut të derdhur për liri – një përmbysje e vetë kuptimit të luftës çlirimtare.
Nga aspekti psikologjik, kemi të bëjmë me një sindromë frike, ku politikanët e korruptuar dhe të shitur përpiqen ta shmangin fajin e tyre, të gatshëm ta sakrifikojnë interesin publik dhe shtetëror për ta shpëtuar vetveten.
Është psikologjia e njeriut që, përballë drejtësisë, nuk mbrohet me të vërtetën, por me pazare.
Në planin politik, kjo përfaqëson formën më të pastër të kapjes së shtetit – kur politika nuk shërben më si instrument i qytetarëve, por si mburojë e krimeve dhe tradhtive të individëve të caktuar.
Sepse një kryetar shteti që negocion territorin për hallin e tij dhe të disa individëve të ngjashëm me të, pushon së qeni personifikim i shtetit ligjor dhe shndërrohet në një ndërmarrje private me flamur.
Nga këndvështrimi filozofik shtrohet pyetja themelore:
A mund të blihet dhe të shitet liria?
Nëse liria personale blihet me shitjen e një pjese të territorit të shtetit, atëherë ajo nuk është më liri – por një iluzion i ngritur mbi padrejtësi.
Nga aspekti etik dhe moral, një projekt i tillë bie ndesh me çdo normë të përgjegjësisë publike.
Askush nuk ka të drejtë morale të dhurojë tokë që nuk i përket – aq më pak për ta shpëtuar vetveten nga përgjegjësia morale dhe ligjore.
Është një akt që cenon besimin e qytetarëve dhe dëmton dinjitetin e një kombi të tërë.
Në fund, ky nuk është thjesht një episod politik – është një provë për ndërgjegjen kolektive:
Nëse një shoqëri pranon që liria e disa individëve të blihet me copëtimin e atdheut, atëherë ajo rrezikon të humbasë jo vetëm territorin, por edhe shpirtin e saj.
PËR MBROJTËSIT E HASHIM THAÇIT :
Problemi juaj nuk është vetëm keqleximi – është ose keqinterpretimi i qëllimshëm, ose keqinterpretimi injorant i realitetit.
Për çfarë po flasim këtu?
Për një njeri që në vitin 2013, në të ashtuquajturat “bisedime teknike”, ka vendosur mbi tryezën e bisedimeve teknike, çështje politike dhe territoriale që prekin drejtpërdrejt sovranitetin e shtetit, përballë një armiku shekullor që edhe sot e kësaj dite e konsideron Kosovën si pjesë të territorit të vet në Kushtetutën e tij.
E ka bërë këtë edhe pse e ka ditur se Serbia është një shtet gjenocidal, që jo vetëm nuk ka kërkuar falje për gjenocidin, por që vazhdon ta destabilizojë vendin përmes strukturave kriminale dhe terroriste si Lista Serbe, të përbëra nga individë me të kaluar kriminale, të cilët ushtrojnë kontroll dhe presion në veri me metoda që nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracinë.
Pyetja thelbësore është kjo:
Me çfarë të drejte e ka negociuar Hashim Thaçi territorin e shtetit? Kush ia ka dhënë këtë mandat?
Populli? Jo.
Kushtetuta? Jo.
Atëherë si duhet të quhet një njeri i tillë?
Atdhetar?
Atdhetari nuk e konsideron territorin e shtetit dhe pasurinë e popullit si pronë private.
Pra, ai nuk është atdhetar – por tradhtar.
Në çdo shtet normal me institucione funksionale, profesionale dhe të paanshme të drejtësisë dhe prokurorisë, që e respektojnë Kushtetutën, një veprim i tillë do të mjaftonte për dënim me burgim të përjetshëm – pa ia përmendur fare veprat e tjera të mundshme, lista e të cilave është aq e gjatë sa do të mbushte libra të tërë.
Pse nuk i ka vënë në tavolinë pasuritë personale – shtëpitë, vilat, bizneset – por e ka vënë në pazar integritetin territorial të Kosovës?
Edhe më shqetësuese është kontradikta e hapur në qëndrimet e tij:
Në vitin 2013 deklaron se Asociacioni është në përputhje me Kushtetutën, ndërsa në vitin 2019 e quan atë “kancer me metastaza”, duke thënë se nuk e ka nënshkruar ai, por Isa Mustafa.
Kjo nuk është vetëm mospërputhje politike – është mungesë serioziteti dhe përgjegjësie shtetërore.
Dhe këtu lind pyetja tjetër e pashmangshme:
Me çfarë e ka merituar Serbia një koncesion të tillë?
Në çdo shtet funksional, me standarde minimale të përgjegjësisë, veprime të tilla do të hetoheshin seriozisht si cenim i interesit shtetëror.
Ndërsa këtu, përkundrazi, shohim përpjekje për relativizim dhe mbrojtje të figurave që edhe vetë bashkëpunëtorët e tyre politikë dikur i kanë konsideruar problematike – përpara se t’i ndryshonin qëndrimet për interesa pushteti.
Prandaj, përpara se të mbroni individë të caktuar, do të ishte më e ndershme të përballeni me faktet.
Sepse këtu nuk bëhet fjalë për simpati apo antipati politike –
bëhet fjalë për përgjegjësi ndaj shtetit.
