TË FUNDIT

Njohësit flasin për mesazhet e liderëve evropianë – zbulojnë sinjalet që u përcollën dhe çfarë po paralajmërohet në prapaskenë!

Dialogu Kosovë-Serbi ka mbetur ende pa një epilog përfundimtar.

Serbia është ajo e cila nuk është e gatshme për zbatim të marrëveshjeve, ani pse të njëjtat i ka nënshkruar, mirëpo i ka shkelur në vazhdimsi.

E së fundmi, kryeministrit Kurti ka pranuar letra nga, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz.

Liderët evropian i kanë dërguar mesazhe urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas rizgjedhjes së tij në këtë post, duke riafirmuar njëkohësisht mbështetjen për integrimin evropian të vendit dhe dialogun me Serbinë.

Në letrën e tij, Macron e përgëzon Kurtin për vazhdimin e mandatit.

“Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për rizgjedhjen tuaj në postin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Macron dërguar Kurtit në muajin shkurt.

Ai thekson se Franca do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në proceset kyçe ndërkombëtare, veçanërisht në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në të njëjtën linjë, kancelari gjerman Friedrich Merz ka dërguar një telegram urimi, duke vlerësuar përvojën e Kurtit dhe rolin e tij në proceset integruese.

Merz thekson rëndësinë e vendimeve që lidhen me të ardhmen euro-atlantike të Kosovës:

Ai nënvizon gjithashtu rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Këtu përfshihen edhe përparime të mëtejshme në dialogun për normalizim të ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë”, u shpreh Merz.

Dy mesazhet nga Parisi dhe Berlini përçojnë një qëndrim të përbashkët të mbështetjes së vazhdueshme për Kosovën, thellim të bashkëpunimit dhe shtytje përpara të proceseve integruese dhe dialogut me Serbinë.

Shabani: Serbia nuk është e gatshme për marrëveshje, ka shkelur secilën që ka nënshkruar

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani.

ImageAmir ShabaniFoto galeri
Ai thotë se, mesazhet ishin të qarta nga liderët evropian, mirëpo sipas tij të njëjtët duhej t’i parashtronin këto kërkesa tek Serbia e cila nuk respekton marrëveshjet.

“Sa i përket kërkesës së Francës dhe Gjermanisë drejtuar Kryeministrit Kurti për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, mendoj se e kanë gabuar adresën, pasi që kjo kërkesë duhet parashtruar tek Serbia e cila me çdo kusht ka shkelur çdo lloj marrëveshje dhe nuk respekton marrëdhëniet fqinjësore”, u shpreh ai.

Tutje, njohësi shton se Evropa nuk duhet t’i bëjë presion Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve, sepse Kosova tashmë po përpiqet maksimalisht të ecë drejt integrimit dhe bashkëpunimit me Perëndimin.

Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi Serbinë dhe udhëheqësin e saj, i cili po pengon përmirësimin e marrëdhënieve.

“Ndonëse Evropa dëshiron ta tërheq Serbinë kah politika e jashtme e saj dhe ta largojë nga aleanca ruso-kineze, kjo nuk do të thotë se kërkesat e vazhdueshme duhet t’i adresohen Kosovës, sepse Kosova ka bërë dhe po bën çmos për integrimin e vendit, zhvillimin socio-ekonomik, harmonizimin e politikës së jashtme me atë të BE-së dhe duke mos ndarë rrugëtimin strategjik me SHBA-të. Andaj, kërkesa, vërejtja dhe insistimi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi duhet bërë Vuçiqit i cili me çdo kusht i vështirëson marrëdhëniet bilaterale dhe pamundëson zhvillimin e komunikimit fqinjësor, poe dhe atij diplomatik me ndërmjetësuesit nga BE-ja”, foli Shabani për “Bota sot”.

Vuniqi: BE pret nga Kosova kalimin nga retorika në implementim konkret të marrëveshjeve ekzistuese

Ndërsa, opinionisti Agim Vuniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që mesazhet tregojnë se BE-ja pret nga Kosova veprime konkrete dhe zbatim të marrëveshjeve, jo vetëm deklarata.

ImageAgim VuniqiFoto galeri
Sipas tij, kjo përfshin uljen e tensioneve dhe hapa të vështirë politikë si çështja e Asociacionit.

“Mesazhet e Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz nuk janë thjesht urime diplomatike, por një sinjal i qartë politik: BE pret nga Kosova kalimin nga retorika në implementim konkret të marrëveshjeve ekzistuese.

“Angazhimi” që kërkohet nga kryeministri Kurti nënkupton tri elemente kyçe: zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, avancimin e çështjes së Asociacionit dhe uljen e tensioneve në veri. Kjo është njëkohësisht vazhdim i procesit, por edhe lëshim politik i kontrolluar, pasi prek drejtpërdrejt arkitekturën e brendshme të shtetit”, foli ai.

Në fund, Vuniqi nënvizon se edhe pse Franca dhe Gjermania kanë ndikim, procesi nuk ecën pa SHBA-të dhe pa angazhim të Serbisë, ndërsa Kosovës po i kërkohen më shumë hapa konkretë.

Sipas tij, në thelb, Kosovës i kërkohet të bëhet më fleksibile, por mbetet pyetja nëse marrëveshja do të jetë e drejtë apo Kosova do të japë më shumë se sa përfiton.

“Megjithatë, ndikimi i Francës dhe Gjermanisë, edhe pse i rëndësishëm, mbetet i kufizuar pa koordinim me SHBA-të dhe pa lëvizje paralele nga Serbia. Problemi kryesor mbetet asimetria në dialog, ku Kosovës i kërkohen hapa konkretë, ndërsa Serbia shpesh operon me ambiguitet strategjik. Në thelb, kërkesa ndaj Kurtit është e qartë: nga rezistencë taktike në fleksibilitet strategjik.

Por suksesi i këtij procesi do të varet nga një faktor vendimtar: a do të jetë normalizimi një proces i balancuar, apo një rrugë ku Kosova jep më shumë sesa merr?”, foli opinonisti Agim Vuniqi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *