Ngërçi për presidentin vazhdon, Voca paralajmëron: Zgjedhjet nuk sjellin stabilitet, rrezikojnë krizë politike!
Partitë kryesore politike në Kosovë ende nuk kanë bërë ndonjë lëvizje drejt arritjes së një marrëveshjeje të mundshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pavarësisht se ka një javë që po rrjedh afati rreth njëmujor i vendosur nga gjykata më e lartë e vendit për këtë çështje.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
E gjatë ditës së sotme Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kuvendit të Kosovës, ku ka folur për zhvillimet politike dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kurti tha se vendi s’ka nevojë për zgjedhje të tjera, e as për vonesa e bllokada.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur folur Dr. Mirsad Voca, ligjërues në Universitetin e Hamburgut dhe doktor i shkencave në gjeopolitikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
Ai tha se për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe qëndrimeve të ngurta të palëve, është pak e mundur që të arrihet një kompromis brenda afatit 34-ditor.
Gjithashtu theksoi se problemi është politik dhe lidhet me mungesën e bashkëpunimit e besimit mes partive, të cilat po e shohin procesin si garë për pushtet dhe jo si nevojë për konsensus.
“Duke pasur parasysh afatin 34-ditor të vendosur nga Gjykata kushtetuese e Kosovës, probabiliteti për arritjen e një kompromisi real mbetet relativisht i ulët. Deri më tani nuk ka sinjale konkrete për vullnet politik nga aktorët kryesorë, dhe pozicionet vazhdojnë të jenë të ngurta. Në mungesë të një ndryshimi të shpejtë të qasjes, ky afat rrezikon të shterojë pa prodhuar rezultat.
Problemi nuk është teknik, por thelbësisht politik. Zgjedhja e presidentit në një republikë parlamentare kërkon kompromis dhe bashkëpunim ndërpartiak. Megjithatë, dinamika aktuale tregon një mungesë të theksuar të besimit dhe një tendencë për ta trajtuar këtë proces si pjesë të garës për kontroll institucional, gjë që e vështirëson ndërtimin e konsensusit”, u shpreh ai.
Tutje ligjëruesi shpjegon se zgjedhjet e parakohshme mund të rrisin paqëndrueshmërinë politike dhe të ngadalësojnë proceset institucionale e integrimin evropian, sidomos nëse nuk prodhojnë një shumicë të qartë.
Ai shton se ato nuk janë zgjidhje reale, por tregojnë mungesë kompromisi, dhe pa ndryshim në kulturën politike, problemet do të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve.
“Nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, ndikimi në stabilitetin politik nuk do të jetë domosdoshmërisht pozitiv. Përkundrazi, ekziston rreziku i thellimit të paqëndrueshmërisë, sidomos nëse rezultati zgjedhor nuk prodhon një shumicë më të qartë. Zgjedhjet e shpeshta krijojnë cikle të vazhdueshme pasigurie, që dëmtojnë funksionimin normal të institucioneve dhe e zhvendosin fokusin nga reformat thelbësore.
Nga ana tjetër, edhe proceset institucionale dhe agjenda evropiane e Kosovës mund të pësojnë ngadalësim. Partnerët ndërkombëtarë presin stabilitet, vazhdimësi dhe kapacitet vendimmarrës, e këto elemente vihen në pikëpyetje në një klimë të tensionuar politike dhe zgjedhore.
Në fund, zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje në vetvete, por shpesh reflektim i dështimit për të ndërtuar kompromis brenda institucioneve ekzistuese. Pa një ndryshim real në kulturën politike dhe pa një qasje më gjithëpërfshirëse, rreziku është që edhe pas zgjedhjeve vendi të përballet me të njëjtat sfida”, përfundoi Voca për “Bota sot”.
