OPINIONTË FUNDIT

Ndryshohet rendi i ditës – Kurti kundër zgjedhjeve dhe shpërndarjes së Kuvendit: S’kemi nevojë për bllokada e kleçka

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kuvendit të Kosovës, ku ka folur për zhvillimet politike dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kurti tha se vendi s’ka nevojë për zgjedhje të tjera, e as për vonesa e bllokada.

“Nuk e kemi lluksin e vonesës, bllokadës dhe nuk kemi nevojë për zgjedhje të reja, të sërishme, si ikje nga përgjegjësia që na takon. Kosovën, institucionet e saj legjitime, me vullnet të shprehur rishtazi e qartësisht nga qytetarët, duhet ta lënë të punojë.

Ka pasur mjaftueshëm zgjedhje e rizgjedhje, e qytetarët kanë folur mjaftueshëm. Tani na duhet të punojnë, e jo të kemi bllokada të reja. Bllokadat, grackat, kleçkat, taktikat, nuk janë mendësi e zhvillimit, por e ngecjes.”

Kryeministri Albin Kurti, para deputetëve ka folur për çështjen e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Ai tha se ky dekret nuk qe kushtetues, dhe theksoi se të gjitha institucionet janë me detyrë të qartë.

“Shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të tejkaluar vështirësi politike, dhe është vërtetuar edhe nga Kushtetuesja tani, se Presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit. Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete, e as nuk shpërndahet”.

“Tani pas qartësimit të kësaj të vërtete, nuk kemi boshllëk institucional para nesh, por një detyrë të qartë. Kuvendi i kthehet punës, mandati i deputetëve është i gjallë dhe përgjegjësia ndaj proceseve është edhe më e madhe. Afatet kushtetuese janë duke rrjedhë, shteti nuk ka ndalur së vepruari, dhe nuk ka asnjë arsye që ne ta ndalim atë”.

“Përkundrazi, çdo përpjekje për ta ndalur atë, do të ishte jo vetëm politikisht gabuar, por edhe një precedent që cenon vetë idenë e ndarjes dhe balancës së pushteteve”, deklaroi Kurti mes tjerash.

Ai tha se “rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat e inatet për të ecur përpara, por çka pritet prej nesh është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, agjenda legjislative që e përmirësojnë përditshmërinë e qytetarëve pa dallim, politika publike në dobi të qytetarëve që kërkojnë konsistencë dhe siguri juridike. Dhe të gjitha këto nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht”.

“Vullneti i popullit është shprehur më 28 dhjetor, në zgjedhje të lira e demokratike, e ne tash duhet të flasim për vullnetin tonë për t’i shtyrë përpara punët e mira për qytetarët”, u shpreh mes tjerash Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *