OPINIONTË FUNDIT

“Mos ta çojmë vendin në zgjedhje” – Preqi tregon se e kujt është përgjegjësia për presidentin – pa konsensus rrezikohet të…

Analisti politik Dedë Preqi, në një deklaratë për Bota Sot, ka komentuar zhvillimet e fundit Preqi: Përgjegjësia për presidentin bie mbi LVV-në – pa konsensus rrezikohet kriza institucionalepolitike në vend, duke u ndalur te çështja e zgjedhjes së presidentit dhe mundësia e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, një dështim i ri për ta zgjedhur presidentin do të ishte një goditje serioze për imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Nëse shkohet edhe një herë në zgjedhje të parakohshme për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit/es, që t’i përgjigjemi në mënyrë të plotë këtij problemi, do të ishte më e udhës që ato zgjedhje të bojkotohen nga populli, sepse një imazh i tillë nuk përkon me paraqitjen tonë para botës demokratike dhe lind dyshimin se kemi të bëjmë me një shtet e popull që ende nuk është pjekur dhe i vendosur të qeverisë vetveten”, ka deklaruar Preqi.

Ai thekson se koha dhe rrethanat politike nuk sjellin zgjidhje vetvetiu, nëse mungon vullneti politik dhe përkushtimi institucional.

“Koha nëpër të cilën kalojmë nuk na sjell asgjë vetvetiu, nëse ne vetë nuk i krijojmë kushtet dhe nuk e sjellim kohën që na përshtatet. Duhet të përpiqemi e të punojmë për një Kosovë më të zhvilluar e më të integruar, me ç’rast duhet të jemi më të përmbajtur kur është në pyetje shteti dhe institucionet e vendit”, është shprehur ai.

Duke folur për përgjegjësinë institucionale, analisti vë theksin te partia në pushtet.

“Në këtë rast konkret, përgjegjësia bie mbi LVV-në, si shumicë në Kuvend, që të gjejë zgjidhje të mundshme për zgjedhjen e presidentit/es, kur dihet se opozita nuk i ka numrat e deputetëve, por nga ana tjetër as pozita nuk mund ta kryejë këtë procedurë pa opozitën për ta plotësuar kuorumin e nevojshëm në Kuvend”, ka theksuar Preqi.

Ai ka përmendur edhe takimet e kryeministrit me partitë opozitare, por sipas tij, deri më tani nuk ka një emër konkret.

“Kryeministri Kurti i ka nisur takimet dhe konsultimet me dy partitë e mëdha opozitare, ndaras, duke filluar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe pastaj me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të cilët shqyrtoi çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe, ndër të tjera, u dakorduan për nevojën e një konsensusi të përbashkët, meqë asnjëra palë nuk ka dhënë emër të caktuar të ndonjë kandidati të mundshëm nga partitë e tyre”, ka deklaruar ai.

Sa i përket presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Preqi vlerëson profilin e saj politik, por vëren mungesën e përmendjes së emrit të saj në takimet e fundit.

“Në këtë rast lë përshtypjen se, edhe pse presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e ka shprehur dëshirën dhe synimin e saj që të vazhdojë mandatin, në këto takime nuk është lakuar emri i saj. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kjo procedurë mund të marrë tani një formë apo vendim të prerë”, është shprehur ai.

Sipas analistit, situata po ndërlikohet edhe më tej.

“Prandaj, pozicioni i zgjedhjes së presidentit/es duket se po ndërlikohet edhe më shumë, duke e anashkaluar partitë politike figurën e presidentes Osmani, e cila për momentin ka një bagazh të gjerë politik e intelektual për të udhëhequr edhe një mandat. Po ashtu, duhet marrë parasysh se figura e saj gëzon simpati dhe është e pranueshme edhe para presidentit të SHBA-ve, z. Trump”, ka theksuar Preqi.

Në fund, ai ka folur për mundësinë e një kandidature konsensuale, madje edhe jashtë kornizës partiake.

“Çka mbetet tani për t’u sqaruar nga këto takime, kur ndodh që asnjëra parti nuk ka një kandidat të vetin për ta propozuar për president të vendit? Veprimet tashmë duhet të kalojnë përmes një konsensusi të përbashkët, si hallkë e një zinxhiri, ku pritet të përzgjidhet një kandidat konsensual, të cilin do ta votojnë të gjithë”, ka deklaruar ai.

“Apo zgjidhja më e mirë do të ishte ajo që po qarkullon në debatet publike dhe në mediat e vendit: duke mos i përjashtuar opsionet institucionale, të propozohet një figurë nga familja e Shaban Jasharit, e cila e meriton plotësisht. Kjo pritet të mos jetë një përjashtim i pamundur, në mënyrë që në këto rrethana të mos shkohet në krizë institucionale apo zgjedhje të jashtëzakonshme. Dhe ajo që është e rëndësishme: një propozim i tillë vështirë se do të kundërshtohej nga ndonjë parti politike, përveç Listës Serbe”, ka përfunduar analisti Dedë Preqi për “Bota Sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *