Mjerimi i një kryeministri që shërben si argat i Vuçiç
Shkrimi i fundit në gazetën gjermane FAZ nga Rama-Vuçiç nuk kishte vlerën e sugjerimit të një alternative të re për procesin e zgjerimit të BE-së. Ky propozim mund të bëhej me Malin e Zi ose vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat e kanë jetike bashkimin me familjen europiane.
PROPOZIMI RAMA-VUÇIÇ TREGON:
Së pari, dështimin e plotë në arritjen e standardeve europiane të dy autokracive ballkanike, sidomos në funksionimin e shtetit të së drejtës, lirinë e mediave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Integrimi europian mbetet vetëm një propagandë për ta shitur në opinionin publik, për të justifikuar pushtetet e tyre korruptive dhe kleptokratike.
Së dyti, rikthim në projektet e tyre të hershme të Ballkanit të Hapur dhe zgjidhjeve të reja gjeopolitike për ndryshimin e kufijve, që do t’u mundësonte dy autokratëve ballkanikë një hapësirë lirie të pakontrolluar, një qeverisje pa transparencë dhe llogaridhënie, si dhe konsolidimin e pushteteve të tyre me mënyra dhe mjete jodemokratike, për ta shtypur revoltën popullore që ka shpërthyer në të dyja vendet për të rikthyer funksionimin e shtetit ligjor, mundësimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lirinë e shprehjes dhe luftën kundër korrupsionit.
Së treti, tregon ndërvarësinë e Ramës nga Vuçiç, i cili në momentet më kritike të regjimit të Beogradit keqpërdor autoritetin e tij kryeministror për të justifikuar politikat e Vuçiç pro regjimit të Moskës dhe kundër BE-së, për të favorizuar pushtetin e tij kur studentët dhe populli nuk e pranojnë më, si dhe për ta shpëtuar Beogradin nga kërkesa kryesore e BE-së që të njohë Republikën e Kosovës si parakusht për integrimin europian. Kjo tregon që lidhjet Rama-Vuçiç kanë qenë të thella dhe jo transparente, për interesa pushteti dhe jo interesa kombëtare.
Së katërti, shkrimi i Ramës me Vuçiç është jo vetëm një presion ndaj BE-së për të bërë lëshime, por e detyron atë që të gjejë një zgjidhje të përbashkët për gjithë integrimin e rajonit, duke penguar vende si Mali i Zi për një integrim të barabartë, të orientuar nga vlerat dhe në bazë të meritave.
Në të njëjtën kohë për Ramën dhe Vuçiç është fillimi i një strategjie daljeje, për t’u larguar nga BE duke e fajësuar atë për mungesë zgjidhjeje. Rama ka pranuar zgjidhjen me Vuçiç dhe nacionalizmin serb, duke menduar që Europa është e dobët dhe e ndarë, dhe fuqitë e mëdha do të detyrohen të gjejnë zgjidhje për Ballkanin Perëndimor, të kërkuara nga serbo-rusët. Ai pranon të jetë edhe argat i Vuçiç, vetëm të mbetet në skemën për ruajtjen e pushtetit të tij. Kosova për të nuk është pjesë e atdheut të shenjtë, por një mjet për të negociuar. Prandaj ai tregohet aktiv për të treguar që është prezent në të gjitha hapësirat shqiptare dhe ai është përfaqësuesi i tyre. Ai merr iniciativën për mbrojtjen e udhëheqësve të UÇK-së, kur ka qenë ai, që projektonte Ballkanin e Hapur me Vuçiç atëherë kur skenarët kundër UÇKsë përpunoheshin në Beograd; ishte ai që përkrahte Abazoviç, kur ky i fundit pranoi kishën serbe në Mal të Zi; ishte ai që ndau shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duke përkrahur ata që njihnin Ballkanin e Hapur si pjesa e moderuar e shqiptarëve.
Edi Rama jo vetëm nuk e mendon Shqipërinë në BE, por është kundër këtij procesi. Personi që e ka kthyer Shqipërinë në një plaçkë tregu, që investimet strategjike u bën jashtë hapësirave europiane, që bashkëpunon ngushtë dhe pa transparencë me shtetet arabe, që e ka kthyer Shqipërinë në lavatriçen europiane të pastrimit të parave, etj., nuk ka asnjë perspektivë europiane. Rikthimi i tij tek Vuçiç është rruga e vetme për pushtetin e tij, forcimin e autokracisë elektorale dhe centralizimin e pushtetit të tij personal. Si kameleon politik, ai shkarravitet njëherë me Europën kundër Presidentit Trump dhe më vonë kundër Europës, sidomos kur ajo është kritike, si entuziasti i Bordit të Paqes. Njëherë bëhet ithtar i bashkëpunimit me Erdoganin dhe herën tjetër përdoret nga qarqe politike të Jeruzalemit për lojën e tyre politike. Ai është kampioni i figurave kontraversiale në historinë e Shqipërisë, duke tejkaluar Haxhi Qamilin dhe Esat Pashën. Kritika e fortë e bërë nga zonja Gërvalla është klithma e dhimbjes së fshehur të çdo shqiptari të Kosovës, që shikon kryeministrin e vendit të tyre amë të harrojë dhe lërë Kosovën, duke gjetur zgjidhje tek Vuçiç dhe nacionalizmi serb. Kritikat ndaj Kurtit për mospranimin e asociacionit, të cilin e paraqiti vetë; justifikimi i Vuçiç për agresionin shtetëror në Banjskë si pjesë e një territori të askujt; Ballkani i Hapur dhe pranimi i skenarit të ndarjes së kufijve tregon se vizioni i Ramës ndaj çështjes kombëtare kalon nga interesat nacionaliste të Vuçiç për paqen në Ballkan. Ai bën rezolutë për regjimin e mullahëve në Iran, por nuk prek “vijën e kuqe” që Vuçiç i ka vënë për rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë. Ai shan Millosheviçin si kasapi i Ballkanit, por nuk prek lejtnantin e tij Vuçiç, me të cilin ka projekte përpara.
Ajo që mungon në deklaratën e Donika Gërvallës dhe në aksionin e Albin Kurtit është kufizimi i veprimtarisë së tij në Kosovë dhe qëndrimi i hapur kundër të gjithëve që përdorin interesat e Kosovës për interesa të ngushta pushteti. Fuqia e pretenduar nga Rama se është lider shpirtëror i shqiptarëve do të ridimensionohet dhe do të bëhet pa vlerë në sytë e komunitetit ndërkombëtar, në qoftë se ai pengohet në veprimet e tij, edhe atëherë kur ai luan rolin e patriotit. Është në dobi të çështjes sonë kombëtare në qoftë se të gjitha partitë politike shqiptare vihen në një front për ta larguar atë, që interesat e pushtetit të tij personal i shikon të realizuara në editorialet europiane me Vuçiç. / Panorama
