OPINIONTË FUNDIT

“Më telefono dhe do ta zgjidhim” – Mesazhi i Trump drejtuar Osmanit në lidhje me Serbinë, eksperti: Sinjal i qartë se…

Të enjten u mbajt takimi i parë i Bordit të Paqes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në këtë ngjarje, me ftesë të presidentit Donald Trump, ishte e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani.

Trump shprehu vlerësime të larta për presidenten Osmani. Ai i kërkoi asaj të ngrihej para të gjithëve për ta përgëzuar për punën e bërë në kuadër të dialogut me Serbinë, madje i tha që ta telefononte nëse do të kishte probleme me shtetin fqinj.

“Marr si shembull konfliktin Kosovë–Serbi. Unë e bëra këtë! Mund të çohesh pak, të lutem, vetëm një sekondë. Çfarë pune keni bërë! Faleminderit shumë, e vlerësoj. Shumë mirë! Dhe po shkoni mirë, dhe kur të mos shkoni më mirë, më telefono dhe ne do ta zgjidhim. Shumë faleminderit!”, tha Trump.

Pas këtyre fjalëve, presidentja Osmani u ngrit në këmbë dhe u duartrokit nga liderët pjesëmarrës.

Kjo deklaratë e presidentit Trump po konsiderohet si një mesazh i drejtpërdrejtë politik që sinjalizon gatishmërinë e tij për përfshirje personale në raportet Kosovë–Serbi.

Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një prononcim për gazetën “Bota sot” e komentoi veprimin e Trumpit, duke thënë se ai përbën një mesazh të fortë, veçanërisht për Serbinë.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njihet për deklarime të drejtpërdrejta. Andaj, adresimi ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se ‘nëse nuk shkoni mirë me Serbinë, më telefononi’, përbën një mesazh të fortë, veçanërisht për Serbinë”, ka thënë Berisha.

Së pari, ai theksoi se kjo deklaratë nënkupton gatishmërinë e SHBA-së për përfshirje të drejtpërdrejtë dhe për mbështetje në rast të tensioneve apo bllokimeve në raportet dypalëshe.

“Tashmë Serbia e ka plotësisht të qartë se deklarimi i Presidentit Trump nuk ka të bëjë vetëm me një kërcënim të hapur, por mund të interpretohet si sinjal politik se SHBA-të do të jenë faktor kyç në rajon dhe nuk do të lejojnë destabilizim të situatës nga asnjëra palë”, nënvizoi ai.

ImageEksperti i sigurisë, Fidair BerishaFoto galeri
Berisha shtoi se kjo deklaratë mund të interpretohet edhe si një formë presioni diplomatik ndaj Serbisë, duke lënë të kuptohet se SHBA-të janë të gatshme të ndërhyjnë nëse raportet destabilizohen.

“E parë në aspektin diplomatik, deklarimi ‘më telefononi’ ka elemente simbolike. Megjithatë, duhet kuptuar se ky komunikim i drejtpërdrejtë me Uashingtonin e paraqet Kosovën si palë me subjektivitet të plotë politik dhe si partnere me një raport të veçantë strategjik Kosovë–SHBA”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, deklarata e Trumpit mund të perceptohet si një mesazh indirekt paralajmërues për Serbinë, që kufizon hapësirën e saj për veprime të njëanshme ndaj Kosovës.

“Sa i përket pyetjes nëse kjo deklaratë përbën kërcënim ndaj Serbisë, duhet theksuar se në diplomaci shpesh përdoren mesazhe të tërthorta. Edhe pse Presidenti Trump nuk i bëri Serbisë një kërcënim eksplicit, në gjuhën diplomatike formulime të tilla shërbejnë si paralajmërim, duke nënkuptuar se çdo përshkallëzim apo veprim destabilizues do të përballet me reagim amerikan”, theksoi Berisha.

Sipas Berishës, pas deklaratës së Presidentit Trump, Kosova, në planin gjeostrategjik dhe të sigurisë, gëzon mbështetje të drejtpërdrejtë dhe një pozicion më të fortë.

“Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Kosova ndodhet në një pozitë absolute më të favorshme se Serbia në çdo aspekt, pasi Serbia ka balancat e saj strategjike dhe lidhjet e hershme ndërkombëtare”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *