Mbyllet edhe dita e dytë e gjykimit – gjithçka që u tha në seancën e sotme të ish-krerëve të UÇK-së
Mbyllet edhe dita e dytë e gjykimit – gjithçka që u tha në seancën e sotme të ish-krerëve të UÇK-së
Para pak çastesh ka përfunduar seanca e sotme gjyqësore, që u mbajt ndaj ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot ishte radha për avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, dhe Rexhep Selimit.
Seanca e radhës vazhdon nesër, duke nisur me mbrojtjen e Jakup Krasniqit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë paraqitur edhe sot para gjyqësisë në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Të njëjtit po vazhdojnë të mbahen në paraburgim të akuzuar kinse për krime lufte.
Thaci, Veseli, Krasniqi dhe Selimi gjatë ditës së djeshme janë deklaruar sërish të pafajshëm në kuadër të këtyre aktakuzave.
Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, ka mohuar të gjitha pretendimet e djeshme nga Prokuroria Speciale në gjykimin ndaj ish krerëve të UÇK-së.
Në fjalën hyrëse, avokati Keohe ka thënë se Thaçi nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime të luftës.
“ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë kriminale, komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës dhe dëshirojmë të ofrojmë faktet e asaj që ndodhën në terren, duke filluar me prezentimin fillestar të Hashim Thaçit dhe rolin e tij gjatë viteve 98-99. Thaçi ishte një aktivist, student që u kthye në Kosovë në mars të vitit 98 menjëherë pas vrasjes së anëtarëve të familjes Jashari që është edhe pikënisja e kësaj periudhe që mbulohet nga kjo aktakuzë”, deklaroi ai.
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic, ka hedhur poshtë argumentet e Prokurorisë për komunikatat.
Ai ka ofruar prova nga aktgjykimet e Tribunalit Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë, shkruan lajmi.net.
“Çështja e komunikatave është diskutuar edhe në TPNJ. Kjo pranon se ato i dedikoheshin vetëm atyre që bashkëpunonin me regjimin serb. Prokuroria nuk po argumenton se të akuzuarit kanë gënjyer. Vet TPNJ-ja ka dalë me konstatime të rreme, po thotë Specialja. Nuk ka prova të reja nga çështja Limaj”, është shprehur Misetic.
“TPNJ në çështjen e Haradinaj nuk konstatoi se kishte NKP(Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët) për sulme sistematike ndaj civilëve. Viktimat zgjidheshin për arsyet vetëm që kishin të bënin me individin. Kjo është në kundërshtim me atë që ZPS ka ofruar”, thotë tutje ai.
“Prokuroria u përpoq të ndërtojë një çështje duke rritur numrin e viktimave dhe duke ndryshuar përkufizimin e popullatës civile. ZPS nuk ta jep asnjë burim nga e ka gjetur këtë popullatë civile, pse e ka ndryshuar këtë përkufizim. Prokuroria në këtë çështje nuk do të jetë në gjendje ta rrisë as numeratorin”, ka thënë tutje ai.
Në Gjykatën Speciale, në gjyqin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot ka folur avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.
Në fjalën e tij, Emmerson ka thënë se Kosova po vazhdon të jetë vend ku ekzistojnë ende thashethemet e shumta për luftën, UÇK-në dhe formacionet tjera.
“25 vjet pas traumës dhe trazirave, Kosova vijon të jetë një vend ku gëlon thashethemi ku qarkullojnë zëra dhe kundërzëra, e pretendime. Elementet e kësaj kulture kanë shekuj që ekzistojnë. Miti i trafikimi të organeve është një nga ato të shumta, që s’është i bazuar as në fakte. Historia e luftës është shkruar e rishkruar, në gazeta, libra e tjera, shpesh e shtrembëruar për t’u shërbyer protagonistëve të ndryshëm”, tha ai.
“Jo të gjithë personat e përfshirë në këto ngjarje janë historianë. Disa njerëz e kanë ekzagjeruar rolin që kishin në UÇK. Shpesh për qëllime të aktualitetit politik të ditës. E shpesh disa janë distancuar, sepse e dinin se veprimet e tyre mund të jenë të dyshimta. Të gjitha këto ndërlikohen nga propaganda e luftës që kanë bërë të gjitha palët gjatë vetë periudhës së konfliktit. Ngjarjet të cilat ju do t’i shihni kanë ndodhur para 25 vjetësh. Dhe me keqbesim apo jo kujtimet mund të dobësohen apo shtrembërohen. Këta faktorë, së bashku, përbëjnë një mjedis të vështirë për konstatimin e faktit në mënyrë të besueshme”, tha tutje ai.
Në këtë seancë ai foli edhe për rolin e Veselit dhe kontaktet e tij me shërbimet sekrete të shteteve të NATO-s.
“Roli i Kadri Veselit ishte një ndërlidhje me personelin e zbulimit, jo vetëm me të Shqipërisë, por edhe me ato të NATO-së që po e mbanin në vëzhgim situatën e NATO-së në Kosovë. Një prej periudhave të kyçe të konfliktit ai e kaloi jashtë Kosovës duke mbajtur lidhje me shërbimet sekrete të këtyre shteteve. Periudha e aktakuzës duhet ndarë në tri faza të ndryshme”, shtoi Emmerson.