OPINIONTË FUNDIT

“Mandati mbaroi, ambicia jo” – profesori zbërthen prapaskenat: Strategjitë që mund t’i kushtojnë shtrenjtë Vjosa Osmanit!

Zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës, me dorëzimin e mandatit presidencial nga Vjosa Osmani te kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, hapin një kapitull të ri dhe ngrenë shumë pikëpyetje mbi të ardhmen politike të Osmanit. Ky tranzicion jo vetëm që shënon një moment të rëndësishëm institucional, por edhe krijon hapësirë për spekulime rreth rolit të saj në vijim dhe drejtimit që mund të marrë karriera e saj politike.

Në vijim, pritet të shihet nëse Osmani do të rikthehet në strukturat e Lidhja Demokratike e Kosovës, do të ndërmarrë iniciativë për krijimin e një subjekti të ri politik, apo do të vazhdojë të veprojë si një figurë e pavarur në skenën politike.

Një element kyç mbetet edhe raporti i saj i mëparshëm me kryeministrin Albin Kurti, i cili ka ndikuar ndjeshëm në fuqizimin e saj politik—një faktor që mund të jetë vendimtar për peshën që ajo do të ketë në të ardhmen.

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi, i cili fillimisht për dorëzimin e mandatit të Osmanit te Haxhiu, derisa shpreson që liderët politik të gjejnë kompromis për çështjen e presidentit.

“Të shtunën pasdite presidentja Vjosa Osmani e dorëzoi detyrën e saj në krye të shtetit te kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, sepse sipas kushtetutës së vendit asaj i përfundoi mandati pesëvjeçar në këtë funksion. Zonja Haxhiu do të qëndrojë si ushtruese e kësaj detyre deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pra ajo do të jetë aty për një kohë të shkurtër, ndoshta më pak se sa një muaj. Të shpresojmë se politika do të gjejë kompromisin e nevojshëm dhe vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të reja. E në fakt zgjedhjet nuk duhet të jenë opsion, sepse pak a shumë vullneti i qytetarëve do të jetë ky që është sot”, deklaroi ai.

ImageEnver BytyçiFoto galeri
Më tej, Bytyçi u fokusa te e ardhmja politike e Osmanit, derisa ai e bëri një krahasim të kësaj të fundit me ish-presidenten Jahjaga, e cila zgjodhi “pensionimin politik”.

Në këtë pikë, ai vlerëson se Osmani ka krejt qëllime tjera dhe se ka ambicie të mëdha për politikë.

“Po pyetja juaj lidhet me të ardhmen politike të ish-presidentes Vjosa Osmani. Gjithkush prej nesh e di se ajo nuk do të pranojë statusin e Atifete Jahjagës, duke u marrë me drejtimin e një organizate qeveritare. Në fakt për nga mosha të dyja ato nuk kanë aq shumë diferencë. Madje kur zonja Jahjaga mbaroi mandatin e presidentes ishte afërsisht në moshën e zonjës Osmani. Megjithë moshën e saj të re ajo zgjodhi “pensionimin politik” të parakohshëm. Zgjodhi që t’u shërbejë qytetarëve përmes angazhimit human të saj.

Vjosa Osmani është krejt tjetër. Ajo ka ambicie të jashtëzakonshme për politikën, ndaj dhe nuk do të rreshti të merret sërishmi me politikë. Këtë ambicie ajo e pranoi në deklarimet e javëve të fundit. Madje pati kërcënuar në fillim, se nëse ju nuk më jepni një mandat të dytë, unë do t’i rikthehem politikës. Nuk e di nëse është kjo mënyra e komunikimit në publik. Megjithatë ajo ka bërë llogarizë e saj edhe sa i përket komunikimit publik. Pra, zonja Osmani do të jetë aktive në politikë dhe do të guxojë ta shgndërrojë ambicien e saj në një realitet praktik”.

Në vazhdim, profesori sa i përket asaj se çfarë hapash do ndërmarrë Osmani në vijim, tha se gjithçka është enigmë, madje potecnoi se nuk beson se do bëj ndonjë lëvizje deri pas zgjedhjes së presidentit të ri.

“Çështja është se çfarë mund të bëjë ajo? Çfarë projekti ka në dorë? Dhe a do të rikthehet fuqishëm si atëherë kur sfidoi lidershipin e Lidhjes Demokratike për të kundërshtuar aleancat me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit? Gjithçka është enigmë. Kam përshtypjen se tashmë ish-presidentja e Kosovës nuk do të veprojë politikisht derisa të zgjidhet presidenti i ri. Nëse nuk do të ishte lufta në Iran dhe administrata Trump do të ishte më e qetë, SHBA-të do të kishin bërë njëfarë presioni që Vjosa Osmani të rizgjidhej si presidente e Republikës së Kosovës. Sa do të ndikonte ky presion te mazhoranca e Albin Kurtit, këtë nuk e dimë saktësisht. Ndoshta nuk do ta pranonte. Por them se në 20 ditët e ardhshme nuk do të shohim ndonjë lëvizje të zonjës Osmani për t’u angazhuar hapur në ndonjë aksion të sajin politik”.

Krahas kësaj, Bytyçi vlerësoi opsioni më i mirë për Osmanin është rikthimi në LDK, pasi rikthimin e saj në Guxo e sheh si të pamundur, e për këtë dha disa arsye.

“Opsioni më i mirë për zonjën Osmani është që të shkonte sërishmi në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ajo në fakt ishte themeluese e Lëvizjes Guxo dhe pritej që të rikthehej në krye të kësaj lëvizjeje. Megjithatë unë e shoh të pamundur këtë. Vetëm nëse Vjosa pranon ofertën e zotit Kurti për të qenë zv.kryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe për Diasporën. Në këtë rast do të kishte gjasa të vihej në krye të Lëvizjes Guxo, të cilën aktualisht e drejtojnë Donika Gërvalla dhe Faton Peci. Por ky skenar tashmë më duket i vonuar. Prandaj dhe i qëndroj idesë se Vjosa Osmani do të koordinohet me Lumir Abdixhikun për të shkuar fillimisht në LDK e më pas për ta marrë drejtimin e kësaj partie. Edhe Lumiri më duket se është i lodhur nga dështimet dhe mund të mendojë që të qëndrojë nën çadrën e zonjës Osmani”, shpjegoi profesori.

Megjithatë, në këtë lëvizje të mundshme të Osmanit në LDK, ai sheh një problem të madh, e që është kryesia e kësaj partie që fajësojnë pikërisht ish-presidenten për dështimet elektorale të partisë së tyre.

Në këtë pikë, ai beson fuqishëm që, Osmani ka ndër mend ta përdorë rugovizmin si kalë beteje në luftën politike.

“Por ka një problem të madh në këtë lëvizje politike të saj. Një pjesë e madhe e anëtarësisë dhe aktivitëve të Lidhjes Demokratike e fajësojnë Vjosën për dështimet elektorale të LDK-së. Ata thonë se “Nëse nuk do të kishte ikur Vjosa, partia e tyre do të ishte në pushtet”! Në fakt ishte Isa Mustafa dhe grupi i tij që e përzunë Vjosa Osmanin nga Lidhja Demokratike. Megjithatë askush nuk mund ta akuzojë ish-presidenten se ajo nuk i përmbahet vijës politike të Ibrahim Rugovës. Edhe largimi nga presidenca me makinën e të ndjerit ish-president historik, për mua është sinjal politik, me të cilin Vjosa garanton elektoratin rugovist, se ajo do të mbetet besnike e filozofisë rugoviane. Të paktën më shumë se sa Abixhiku, Mustafa dhe disa të tjerë në LDK, Vjosa Osmani ishte dhe mbetet rugoviste. Shkurt Vjosa Osmani ka ndër mend ta përdorë rugovizmin si kalë beteje në luftën politike. Nëse e bën këtë me mjeshtri, atëherë ajo do të ketë sukses në politikë. Lidhja Demokratike mbetet instrumenti kryesor në duart e saj për ta rikthyer besimin dhe suksesin elektoral të saj”.

Në fund, profesori përmendi edhe mundësinë e një partie të re, por që nuk beson se do merrte vota elektorale të mëdha, përveç disa ulseve në Kuvend.

Ai nënvizoi edhe dy avantazhet politike që i kishte në të kaluarën Osmani, e që tash nuk i ka më.

“Por ajo mundet edhe të krijojë një parti të re. Në këtë rast gjykoj se do të hynte në parlament. Por nuk besoj se do t’i afrohej numrave për të imponuar krijimin e institucioneve dhe sidomos të një qeverie koalicioni. Duhet të kuptojmë se fuqia politike e Vjosa Osmanit në të kaluarën kishte dy avantazhe: – Avantazhi i parë ishte mospajtimi me partinë e saj për kompromise me Hashim Thaçin. Ky avantazh tashmë është zhvleftësuar nga deklarata e Edi Ramës dhe pjesmarrja e Vjosës në protestën e shoqatave të Luftës. Avantazhi i dytë ishte koalicioni me Albin Kurtin dhe mungesa e emrit të tij në krye të Listës Zgjedhore. Edhe kjo logjikë do t’i mungojë. Prandaj zonjës Osmani do t’i duhet që të gjejë mënyrat e mjetet për rikthim të fuqishëm. Edhe lidhjet me SHBA-në duket se nuk ka gjasa të përdoren, sepse asnjë politikani në Kosovë nuk do t’i lejohet të vihet para alternativës se me kë është: – Me SHBA-të, apo me Bashkimin Europian?!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *