“Lojës së pandershme iu bashkua edhe presidentja”- Qarri: Përplasjet politike mund ta çojnë Kosovën drejt bojkotit të zgjedhjeve
Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për gazetën Bota Sot, paralajmëron se Kosova rrezikon të përballet sërish me një cikël krizash politike, të ngjashme me ato të vitit të kaluar.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në skenën politike po tregojnë tendenca për përshkallëzim të ngërçeve institucionale, të cilat mund të kenë pasoja të rënda për qytetarët dhe për stabilitetin e shtetit.
Qarri thekson se përplasjet ndërmjet forcave politike, por edhe veprime të caktuara nga institucionet kryesore të vendit, rrezikojnë të thellojnë polarizimin politik dhe të dëmtojnë funksionimin normal të institucioneve.
ImageGani QarriFoto galeri
“Për fatin e keq të Kosovës, duket se edhe këtë vit, njëjtë si në vitin e kaluar, ka tendenca të mbrapshta për përsëritjen e krizave politike, ndoshta me skenarë të ndryshëm, por me qëllime të ngjashme apo edhe më shkatërrimtare për qytetarët, me të cilat partitë opozitare dhe jo vetëm ato, me apo pa vetëdije, po qojnë ujë në mulli të armikut dhe po e dëmtojnë pariparueshëm vendin tonë.
Lojës së pandershme, sivjet për habi iu bashkua edhe presidentja dhe partia qeverisëse në vend, duke shpresuar se me veprime të tilla të paprecedent do ti dëmtojnë kundërshtarët dhe krijojnë për vete elemente të fitores për votimet e reja të parakohshme, të cilat çdo person i vetëdijshëm për pasojat e rënda shtetërore e institucionale, të inskenimeve të vazhdueshme politike, që do ti vuajnë me këtë rast qytetarët dhe shteti i Kosovës, uron të mos ndodhin fare”, ka vlerësuar Qarri.
Sipas analistit, në një moment kur vendi përballet me sfida të mëdha të brendshme dhe ndërkombëtare, klasa politike duhet të lërë mënjanë përplasjet dhe interesat partiake, duke vendosur në plan të parë interesin shtetëror dhe stabilitetin institucional.
“Prandaj duhet lënë anash, menjëherë të gjitha inatet personale dhe vendosur në krye interesat e shtetit të Kosovës, me kompromise të nevojshme nga secili dhe marrëveshje të përbashkët parimore; presidentja ta tërheq dekretin, sa është ende i panënshkruar, Konjufca të tërhiqet nga kandidatura dhe të votohet Vjosa për vazhdimin e mandatit të presidentes, në mënyrë që Kosova ti vazhdojë sukseset e shtet-ndërtimit brenda me kryeministër Albin Kurtin dhe jashtë me përfaqësimin e suksesshëm të presidentes Vjosa Osmani, kur dihet mirëfilli, se vendi ynë i vogël nuk e ka luksin për luftëra të brendshme, as nuk është koha e duhur që shqiptarët të zhvillojnë beteja për ego, por në momentet e zhvillimeve dramatike ndërkombëtare,bëhuni shembull pozitiv për popullin dhe shtetin tonë, sepse udhëheqja e juaj unike e vendit-është interesi më madhor i Kosovës”, ka nënvizuar ai.
Ai vlerëson se përplasjet dhe kalkulimet për zgjedhje të reja të parakohshme mund të krijojnë një situatë edhe më të ndërlikuar politike dhe institucionale për Kosovën.
“Nëse megjithatë rastisë që Gjykata Kushtetuese të dal me vendimin eventual për të shkuar serish në zgjedhje të reja të parakohshme, mospjesmarrja e qytetarëve në votime, gjë që është shumë e pritshme, do të dëshmojë neverinë e thellë të elektoratit të lodhur të Kosovës nga politika perverse që po zhvillojnë partitë vendore dhe do ta shpreh publikisht besimin e humbur të të gjithë popullit te partitë aktuale e liderët politik të tyre, se nuk janë ata që dinë të ofrojnë zgjidhje për qytetarët as për problemet e grumbulluara me të cilat ballafaqohet shteti ynë i ri.
Me skandalet e vazhdueshme politike dhe konfliktet e përsëritura ndërpartiake, partitë aktuale jo vetëm se po vrasin me vetëdije shpresën dhe çdo lloj entuziazmi tek votuesit në numër gjithnjë e më të pakët në vend, por tanimë kanë filluar të ngjallin edhe ironi të paparë te mbarë qytetarët e Kosovës, të cilët po japin sinjale të qarta se nuk kanë asnjë pajtueshmëri me veprimet e pamatura të partive të denigruara politike.
Qëndrimi parimor dëshmon se qytetarët e vendit tonë, përveçse kundërshtojnë skandalet e vazhdueshme të ngërçeve e bllokadave politike dhe konfliktet e përsëritura ndërpartiake, ata nuk pajtohen as me mosbashkëpunimin e fundit të kryeministrit Kurti për gjetjen e një gjuhe të përbashkët me presidenten Osmani, siç hedhin poshtë publikisht edhe dekretin e paprecedent KUNDËRKUSHTEUES dhe fare të pavend të presidentes, pasojat e të cilave po i vuan mbarë vendi.
Andaj poqe se edhe këtë vit, njëjtë si në vitin e kaluar, vazhdojnë tendencat e mbrapshta për përsëritjen e krizave politike me pasoja shkatërrimtare për popullin, shtetin dhe institucionet e vendit, kjo çmenduri e politikanëve dhe partive të degjeneruara vendore, do ti detyrojë qytetarët e stërlodhur me inskenime të tilla politike, që ti injorojnë tërësisht edhe zgjedhjet dhe të mos marrin pjesë as në votime, për t`ua dëshmuar përfundimisht partive aktuale se nuk duan të bëhen pjesë e aventurave të çmendura të politikës së tyre”, është shprehur ai.
Si pasojë e kësaj, analisti paralajmëron edhe rënie të numrit të votuesve.
“Po këto parti me veprimet e veta, po e shtyjnë gjendjen në atë drejtim sa që qytetarët e vendit jo vetëm se nuk do të dëshirojnë të dalin në votime, por të mos marrin pjesë as në fushatat elektorale, dhe të mos duan më t`ia dinë se mbahen apo jo zgjedhje në këtë vend, madje pjesa dërmuese e qytetarëve në shenj revolte e mospajtimi me lojërat dhe inskenimet partiake, ka mundësi ti bojkotojnë tërësisht edhe zgjedhjet, nëse ato mbahen serish.
Kështu që pjesëmarrja e votuesve mund të bie ndërmjet 20 dhe 30 %, me çfarë, pastaj nuk e di se si do ta arsyetojnë partitë politike mosdaljen e qytetarëve në votime, derisa me aventurat e tyre të papërgjegjshme, për inate personale e grupore, luftojnë me çdo mjet, që ta qojnë vendin çdo tre-katër muaj në zgjedhje të reja, në mënyrë që askush të mos mund të qeverisë, në rrethana normale me vendin”, shton Qarri.
Ai potencon se, përderisa partitë vendore çdo rast e mundësi e keqpërdorin për të krijuar kriza të reja dhe bllokuar shtetin, nuk do të kenë më arsye morale as oferta të besueshme politike, që ti motivojnë qytetarët për dalje në zgjedhje.
“Përkundrazi ato me aventura të tilla të mbrapshta do t’i japin goditjen më të rëndë edhe vlefshmërisë së gjithë procesit zgjedhore, kur dihet mirëfilli se, nëse në votimet e radhës, marrin pjesë vetëm 20-25 % e qytetarëve, përqindje të tilla të ulëta, ua humbin kuptimin edhe zgjedhjeve me çka, asnjë nga kandidatët, ligjërisht nuk përfaqëson më shumicën e qytetarëve dhe rrjedhimisht nuk ka të drejtë morale as politike që të uzurpojë funksionin apo pozitën drejtuese të një enti a institucioni të cilit do nivel, nga ai lokal deri në nivelin qendror”, thekson ai.
Sipas Qarrit, me këto skenare të kriminalizuara të partive politike më së shumti do të humbë Kosova.
“Nga një vendimi eventual i kushtetueses për të shkuar serish në zgjedhje të reja të parakohshme, për shkak të krizës politike të krijuar së fundi pa asnjë arsye të shëndoshë në vend, do të jenë humbës të gjithë dhe me skenar të tillë të kriminalizuar të partive të papërgjegjshme politike, më së shumti do të humb Kosova, ndaj as nuk mund të shtrohet më pyetja se kush janë humbësit e kush fituesit, pasi që kriza politike e krijuar së fundi, do të reflektojë në atë mënyrë në rezultatin e ardhshëm zgjedhor, sa që është mese e kuptueshme, se që të gjithë do të jemi humbës, e më së rëndi do të dëmtohet shteti si dhe përkeqësohet edhe më tepër gjendja sociale dhe ekonomike e qytetarëve të Kosovës”, përfundoi ai.
