Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit, vjen reagimi i parë nga LVV
Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci ka reaguar pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës për vendosjen e një mase të përkohshme ndaj dekretit të Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
Ajo e ka mirëpritur këtë vendim, duke theksuar se kërkesa e paraqitur është e bazuar në Kushtetutë dhe se pret një trajtim profesional nga gjykata, përcjell “Bota sot”.
Sipas saj, vendimi përfundimtar i gjykatës është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe ruajtjen e stabilitetit institucional në Kosovë.
Postimi i plotë
Mirëpresim vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese ndaj dekretit të Presidentes.
Besojmë se kërkesa jonë është e drejtë dhe se argumentet tona janë të qarta e të bazuara në Kushtetutë. Presim një trajtim profesional nga Gjykata dhe miratimin e kërkesës sonë.
Ashtu siç e kemi cekur edhe në Kërkesë, presim që Gjykata të nxjerrë Aktgjykim me të cilin vendos:
-të anulojë Dekretin nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të Presidentes për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë (X) të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
-si dhe të urdhërojë deputetët e Kuvendit që të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes së re, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e këtij aktgjykimi.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend.
