OPINIONTË FUNDIT

​Kurti në Londër: Serbia është “proxy” i Rusisë, i 48 baza pranë kufirit të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia vepron si “proxy” i Rusisë, duke theksuar se rreth kufirit të Kosovës ndodhen 48 baza të përparme operacionale.

Gjatë fjalimit në Konferencën e Londrës për Mbrojtje, ai tha se këto baza janë të vendosura brenda asaj që quhet zona e sigurisë e NATO-s, ndërsa sipas tij, ndikimi rus në Serbi është i drejtpërdrejtë.

“Kremlini ka një zyrë brenda Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë në Beograd dhe Qendrat Rajonale të Russia Today dhe Sputnik për Ballkan janë në Serbi”, u shpreh Kurti, sipas zyrës për informim të qeverisë së Republikës së Kosovës.

Duke folur për luftën hibride, kryeministri theksoi se ajo nuk e zëvendëson luftën klasike, por shërben si fazë përgatitore për të, duke shtuar se kjo formë e konfliktit tashmë është bërë normë globale, madje sipas tij, sot është lajm kur nuk ka ndërhyrje hibride në procese zgjedhore.

Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të qëndrueshmërisë dhe adaptueshmërisë ndaj këtyre sfidave, duke përmendur edhe ndikimet që ato kanë në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kontekst, Kurti, sipas njoftimit, theksoi se forcimi i sundimit të ligjit, luftimi i korrupsionit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe rritja e solidaritetit janë elemente kyçe për përballimin e sfidave të sigurisë.

Duke folur për zhvillimet në Evropë, ai u ndal edhe te lufta në Ukrainë, duke e cilësuar atë si një mundësi për bashkim më të madh të kontinentit.

Sipas tij, nëse Bashkimi Evropian arrin të menaxhojë sfidat e kësaj dekade, dekada e ardhshme mund të jetë dekada e BE-së, me një rol të rëndësishëm të NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

Kryeministri I Kosovës foli gjithashtu për rëndësinë e zhvillimit të industrisë ushtarake dhe investimit në prodhimin e armëve dhe municionit, si dhe për nevojën e angazhimit më të madh me të rinjtë.

“Ajo çfarë bëj në vendin tim, Republikën e Kosovës, është angazhimi me të rinjtë. Është shumë e rëndësishme që të angazhohemi me të rinjtë, sepse po e humbasim kontaktin. Hapësira ndërmjet gjeneratave është problematike dhe lufta hibride mund të jetë fatale”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *