OPINIONTË FUNDIT

Kurti kërkoi hetim ndërkombëtar për “Sarajevo Safari”, reagon ashpër Vuçiqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar me tone akuzuese ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas thirrjes së këtij të fundit për krijimin e një gjykate të posaçme ndërkombëtare që do të hetonte krimet e njohura si “Sarajevo Safari”, të kryera gjatë rrethimit të Sarajevë në fillim të viteve ’90.

Kurti e ngriti këtë çështje gjatë konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Instituti i Krimeve të Luftës në Kosovë, duke theksuar se ekzistojnë informacione serioze se persona të ndryshëm kanë paguar për të qëlluar civilë boshnjakë me snajperë, në atë që njihet si “turizëm i snajperëve” – një praktikë e cilësuar si krim i rëndë lufte.

Në reagimin e tij, Vuçiq shmangu thelbin e thirrjes për hetim ndërkombëtar dhe, në vend të kësaj, e drejtoi diskursin drejt akuzave ndaj Prishtinës, duke e lidhur çështjen me tema të tjera, përfshirë “Shtëpinë e Verdhë” dhe pretendime territoriale.

“Mund të organizosh 1,000 gjykata, nuk ia vlen… Por nervozizmi i Prishtines është për shkak të Shtëpisë së Verdhë dhe problemeve që kanë. Ata nuk dinë çfarë të bëjnë. Po flasim vetëm për Shtëpinë e Verdhë, por vetë fakti që dikush po u merr 14% të territorit është në kundërshtim me të gjitha dispozitat e së drejtës publike ndërkombëtare, gjë që i bëri evropianët të hidhen tani. Ata e hapën vetë kutinë e Pandorës, nëse dhe kur do ta mbyllin… Nuk jam i sigurt. Ne gjithmonë e kemi respektuar ligjin, kemi parime dhe politikë, dhe këta të tjerët jo”, shprehet Vuçiq.

Kurti e riktheksoi se “e ashtuquajtura ‘Shtëpi e Verdhë’ në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, e iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pra as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.

E kjo qasje e Vuçiqit është përpjekje për të relativizuar krimet e luftës dhe për ta zhvendosur debatin nga përgjegjësia historike drejt polemikave aktuale politike.

Ndërkohë, thirrja e Kurtit për një gjykatë të posaçme është mbështetur nga disa zëra akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët vlerësojnë se hetimi i pavarur i krimeve të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet i domosdoshëm për drejtësinë tranzicionale dhe pajtimin rajonal.

Sipas këtyre vlerësimeve, reagimi i Vuçiqit shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë politike për të delegjitimuar nismat që hapin çështjen e përgjegjësisë për krimet e luftës, duke e përdorur diskursin publik për të sulmuar Prishtinën në vend të adresimit të akuzave në mënyrë substanciale.

Përfshirja e Vuçiqit në vrasjen e civilëve në Sarajevë

Gazetari investigativ kroat Domatoj Margetiq, ka publikuar dhjetëra shkrime e dokumente që e ndërlidhin Vuçiqin me “Sarajevo Safarin”.

Margetiq ka arritur të sigurojë një intervistë me Aleksandar Liçanin, i cili pohon se ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i vrasjeve të civilëve në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, në atë që sot njihet si “Sarajeva Safari”.

Liçanin ka deklaruar se ka parë nga afër veprimet e forcave serbe gjatë luftës, duke përmendur konkretisht emra si Sllavoj Aleksiq, Vojisllav Sheshel dhe Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, krimet e kryera në Sarajevë përfshinin vrasjen e civilëve të pafajshëm, mes tyre fëmijë, gra dhe të moshuar.

“E di se kanë sjellë njerëz edhe nga shtete të tjera që vepronin në të njëjtën mënyrë – pra vrasjen e fëmijëve të pafajshëm, civilëve, grave dhe të moshuarve nëpër Sarajevë”, ka deklaruar Liçanin, duke shtuar se nuk e duron dot faktin që sot shpesh krijohet përshtypja se “të gjithë jemi njësoj”.

Gjatë intervistës, gazetari kroat e ka pyetur dëshmitarin edhe për akuzat se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka qenë vetëm i përfshirë në organizime, por se ka shtënë personalisht me snajper nga zona e varrezave hebraike në Sarajevë.

“Ashtu është. Ekzistojnë edhe disa fotografi ku ata shihen duke bartur në shpinë pushkë snajper. Rrëfimi se ishte ombrellë është trillim”, ka pohuar Liçanin.

Ai ka shtuar se ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i organizimit të ashtuquajturve “turistë snajperë”, të cilët, sipas tij, organizoheshin nga Vuçiqi dhe Shesheli dhe dërgoheshin në varrezat hebraike për të shtënë mbi qytetin.

“Njerëzit vinin nga vende të ndryshme për ta bërë këtë për para, sepse askush nuk është i çmendur të vijë dhe ta bëjë falas”, ka deklaruar ai.

Duke folur për mohimet e vazhdueshme të Aleksandar Vuçiqit lidhur me përfshirjen në këto krime, Liçanin është pyetur se pse, sipas tij, shumë njerëz hezitojnë të flasin publikisht për atë që ka ndodhur gjatë luftës.

“Njerëzit frikësohen për veten dhe për familjet e tyre. Por unë jam i përkushtuar të them të vërtetën dhe dua që e vërteta të mësohet nga të gjithë. Që t’i vihet pika atij Safarit të mallkuar të Sarajevës dhe të dihet se kush çfarë ka bërë dhe kush ka shtënë mbi civilët në Grbavicë”, ka deklaruar ai.

Margetiq kishte publikuar edhe dokumente që tregonin pozicionin e Vuçiqit në Njësinë Çetnike të Novo Sarajevës

Në një postim në rrjetin social Facebook, Margetiq ka bërë publik një dokument që mban titullin “Njësia Çetnike e Novo Sarajevës”, me referencë protokolli nr. 37–10/92, dhe që sipas përmbajtjes paraqitet si një urdhër i brendshëm i strukturës së ashtuquajtur N.Ç.O. (Njësia Çetnike e Novo Sarajevës).

Dokumenti është i datuar në vitin 1992 dhe përmban udhëzime lidhur me përdorimin e “pozicioneve snajperike” në ndërtesat e rrugës Lenjin, në zonën e Novo Sarajevës.

Në tekstin e urdhrit thuhet se, me vendim të komandës së njësisë, ndalohet rreptësisht që kushdo, pa urdhër të posaçëm, të shkojë apo të qëndrojë në pozicionet snajperike në ndërtesat e përmendura.

Urdhri thekson se pas incidenteve të ndodhura gjatë vizitave të “mysafirëve të huaj” në zonën e N.Ç.O.-së, komanda paralajmëron se nuk do të tolerohen situata të reja incidentale dhe se autorët do të sanksionohen në mënyrën më të rreptë, shkruan Thegeopost.

Sipas dokumentit të publikuar, pozicionet speciale në rrugën Lenjin kishin për qëllim shoqërimin dhe prezantimin e zonës për mysafirët e huaj që vizitonin territorin nën kontrollin e njësisë.

Aty theksohet se këto pozicione kontrolloheshin nga njësia e Veljko Papiqit, ndërsa vetëm tre persona kishin leje të posaçme për qasje në këto pika: Veljko Papiq, Aleksandar Vuçiq dhe Zlatko Novkoviq.

Në dokument thuhet shprehimisht se mysafirët e huaj duhet të jenë në shoqërim dhe nën mbikëqyrjen e personave të përmendur, të cilët janë cilësuar si vullnetarë të njësisë, dhe se për të gjitha aktivitetet e tyre duhet të mbahej evidencë e veçantë.

Një kopje e kësaj evidence, sipas urdhrit, duhej t’i dërgohej komandës së N.Ç.O.-së dhe Srpska radical a stranka (SRS).

Margetiq thotë se ky dokument përbën provë të drejtpërdrejtë që e lidh Vuçiqin me strukturat çetnike në Novo Sarajevë gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, në periudhën kur ai ishte i lidhur politikisht me SRS-në.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *