Kurti: FSK-ja po përgatitet për misionin në Gazë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se bashkërendimi i ngushtë me partnerët strategjikë të Kosovës është më i rëndësishëm se kurrë. E ka theksuar këtë, me rastin e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT) të NATO-s në Kosovë. E, në një takim me drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, ka bërë të ditur se FSK-ja aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se bashkërendimi i ngushtë me partnerët strategjikë të Kosovës është më i rëndësishëm se kurrë. E ka theksuar këtë me rastin e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT) të NATO-s në Kosovë.
Ai ka thënë se Kosova ka ndërtuar institucionet e saj të sigurisë mbi bazën e bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm me NATO-n dhe shtetet e saj anëtare dhe ka theksuar se Forca e Sigurisë e Kosovës është sot një institucion profesional, i besueshëm dhe në zhvillim të vazhdueshëm, dhe, sipas tij, ky progres është rezultat i përkushtimit të brendshëm, por edhe i mbështetjes së palëkundur të partnerëve.
“Në këtë rrugëtim, roli i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) ka qenë thelbësor. Përmes këshillimit strategjik, asistencës profesionale dhe bashkëveprimit të përditshëm, NALT ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale, në forcimin e qeverisjes demokratike dhe në ngritjen e standardeve institucionale, si të Ministrisë së Mbrojtjes ashtu edhe të Forcës së Sigurisë të Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti. “E në veçanti, në këtë periudhë të ndjeshme për sigurinë globale, e karakterizuar nga sfida të reja dhe dinamika të paparashikueshme, bashkërendimi i ngushtë me partnerët tanë strategjikë është më i rëndësishëm se kurrë”.
Kurti ka theksuar se prezenca e NATO-s në Kosovë, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhë, përbën një element kontribuues jo vetëm për sigurinë e vendit, por edhe të mbarë rajonit.
“Si qeveri, ne i vlerësojmë lart këto arritje, të cilat dëshmojnë se bashkëpunimi ynë me NATO-n dhe mekanizmat e saj është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i suksesshëm e me rezultate konkrete me ndikim në avancimin e sektorit të mbrojtjes. Njëkohësisht ky bashkëpunim forcon qëndrueshmërinë, sigurinë dhe orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai. “Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik i yni, dhe progresi që po shënojmë sot e çdo ditë tjetër konfirmon se jemi në rrugën e duhur”.
Gjatë ditës, kryeministri Kurti priti në një takim drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren. Bazuar në një njoftim të Qeverisë, atij i ka shprehur falënderime për angazhimin e NATO-s për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, si dhe për rolin e rëndësishëm të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për Ministrinë e Mbrojtjes si organ kyç ndërlidhës dhe këshillues i aleancës veri-atlantike në Republikën e Kosovës.
“Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit, kryeministri Kurti foli për mundësitë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës të ndjekin trajnime ushtarake edukuese dhe profesionale në institucionet e NATO-s. E po ashtu, për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në përputhje me standardet e aleancës veri-atlantike”, thuhet në njoftim.
Në njoftim, Kurti është cituar të ketë thënë se FSK-ja ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi, dhe ka bërë të ditur se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Në njoftim është bërë e ditur se drejtorja e NATO-s për Operacione, Hallengren, ka vlerësuar lart vendimin për angazhimin e FSK-së në misionin stabilizues në Gazë.
