Kurti e do Murat Jasharin “si figurë ideale unifikuese” për President, ose secila parti të ketë kandidat të vet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar profesorin universitar Murat Jasharin si “figurë ideale unifikuese” për President të Kosovës.
Deklarata u bë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizja Vetëvendosje, në një moment kritik për afatin kushtetues.
Më 4 mars përfundon afati për zgjedhjen e Presidentit. Në të kundërtën, vendi përballet me zgjedhje të parakohshme.
“Për President duhen 80 vota,” tha Kurti para strukturave të partisë.
“Kam qenë plotësisht i vetëdijshëm se Vetëvendosje nuk i ka e vetme këto vota,” shtoi ai.
Sipas tij, kjo ka qenë arsyeja që ka nisur konsultime me opozitën.
Kurti konfirmoi takime me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, për të diskutuar tejkalimin e situatës.
“Takimet kanë qenë konstruktive. Fillimisht ka pasur pajtueshmëri që vendi ka nevojë për figurë unifikuese,” deklaroi ai.
Ai përmendi familjen Jashari si simbol të unitetit kombëtar.
“Sigurisht nga familja emblematike Jashari. Në kohë të vështira kemi gjetur mbështetje dhe frymëzim te familja Jashari, si në luftë nën udhëheqjen e Adem Jasharit,” tha Kurti.
Sipas tij, Murat Jashari do të gëzonte mbështetje ndërpartiake.
“Bindja ime ka qenë se një figurë si Murat Jashari do të kishte përkrahje nga të gjitha partitë,” u shpreh ai.
“Zgjedhja e Murat Jasharit do të ishte zgjedhja e duhur në kohën e duhur. Kjo do të ishte rasti ideal.”
Jashari ditëve të fundit mohoi të ketë ambicie për president të Kosovës, për çka tha se liderëve politikë të vendit “ua kam treguar arsyet se pse nuke e bëj.”
Kurti tha se pas takimit të dytë me kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës, iu komunikua një qëndrim i ri.
“Më është kumtuar nga kryesia e tyre se Presidenti nga java e ardhshme duhet të vijë nga PDK,” deklaroi ai.
Kryeministri theksoi se përkatësia partiake nuk është garanci për zgjedhjen.
“Në fund, zgjedhjen për President nuk e garanton përkatësia partiake, por vota në Kuvend,” tha Kurti.
Në mungesë të një kandidati konsensual, ai hapi mundësinë e një gare të hapur parlamentare.
“Nëse nuk arrijmë figurë unifikuese, atëherë le të ketë garë brenda Kuvendit. Këtë e sheh Kushtetuta si proces demokratik,” u shpreh ai.
Sipas tij, një garë e tillë do të ishte mënyrë për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kurti njoftoi se do të takohet edhe me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhikun.
“Si kryetar po angazhohem maksimalisht që ta kalojmë këtë proces,” tha ai.
Në fund, ai përsëriti qëndrimin e partisë.
“Ne si Vetëvendosje jemi të gatshëm për të gjitha opsionet,” përfundoi Kurti.
