Kurti bën thirrje për dialog me opozitën, partitë presin Kushtetuesen – njohësit zbërthejnë situatën politike
Në fillim të kësaj jave, Gjykata Kushtetuese e pezulloi deri më 31 mars një dekret të presidentes Osmani, përmes të cilit ajo e kishte shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 6 mars, një ditë pasi dy kandidatët e propozuar nga partia në pushtet e Kurtit, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit.
Vendimi i Kushtetueses nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë zgjedhje të reja dhe Kuvendi nuk mund ta vazhdojë me seancën për zgjedhjen e presidentit deri më 31 mars.
E të gjendur në këtë situatë, kryeministri i vendit, Albin Kurti ftoi partitë opozitare për të biseduar, me qëllim që të gjejnë një zgjidhje, pasi sipas tij mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk është pozitive të ndodh tani.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ishte i shpejtë në përgjigjën e tij, duke shprehur gatishmëri për takim, por jo para se Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e saj.
“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Kurse, edhe Partia Demokratike e Kosovës, forca kryesore opozitare në Kuvend, ndau qëndrimin e LDK-së, duke thënë se është e gatshme për takim, por jo tani për tani.
“Në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës”, thuhet në një njoftim të partisë.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e kritikoi Kurtin duke thënë se ai dëshiron t’i ikë përgjegjësisë dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve sipas llogarisë së tij politike.
“Në pamje të parë duket konstruktiv, por në fakt po përgatit terrenin që, nëse nuk ka epilog pozitiv sipas tij, fajin ta hedhë mbi opozitën dhe Gjykatën”, tha Tahiri në Facebook.
Kurti s’e kishte ftuar AAK-në në takimet e kaluara rreth çështjes së presidentit dhe nuk është e qartë nëse do ta bëjë tani.
A tregon kjo mungesë gatishmërie për dialog dhe bashkëpunim për të gjetur një zgjidhje politike?
Zogaj: Ftesa e Kryeministrit në parim është e mirë
Publicisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, vlerëson ftesën e kryeministrit Kurti për të biseduar me partitë opozitare.
Gjithashtu, ai thotë që përgjigjet e opozitës nuk janë shumë të paarsyeshme.
ImageSkënder ZogajFoto galeri
“Ftesat për takime dhe bisedime gjithmonë janë të mira dhe mënyra më e mirë e kërkim zgjidhjeve demokratike, që duhet të jetë mjeti më i preferuar i të gjitha instancave qeverisëse të vendit. Pra, ftesa e Kryeministrit në parim është e mirë! Por, mendoj që edhe përgjigjet e opozitës kanë arsyen e vet, sepse, është në fuqi të padiskutueshme vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e çdo lloj veprimi rreth çështjes së presidentit/ tes! Prandaj, për të qenë korrekt me respektimin e ushtrimit të pavarur të funksionit të Gjykatës Kushtetuese, mendoj që ftesa hyn në fuqi të plotë menjëherë pas shpalljes së vendimit të QK-së”, foli publicisti
Ndër të tjera, ai shton se të gjitha palët politike duhet të reflektojnë që të gjejnë një zgjidhje të duhur për vendin.
“Deri atëherë do të dëshiroja që të gjitha palët politike dhe shtetërore të reflektojnë seriozisht rreth pozitës aktuale dhe rëndësisë historike që ka nevojë Kosova e çliruar dhe populli i lirë dhe i pavarur shqiptar në Kosovë”, nënvizoi publicisti Zogaj për “Bota sot”.
Maraj: Ftesa e Albin Kurtit
Po ashtu, në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur edhe opinonisti Milazim Maraj.
Ai thotë në mënyrë kritike se thirrja për bisedime me partitë opozitare në këtë moment mund të shihet si përpjekje për të gjetur mbështetje politike përballë vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për të menaxhuar situatën politike të krijuar pas tij.
ImageMilazim MarajFoto galeri
“Thirrja për bisedime me partitë tjera politike është një tendencë tjetër për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë, në bazë të kompetencave të saj, ka ndaluar çdo veprim të mëtutjeshëm qoftë të Kuvendit tani të shpërndarë nga Presidentja, qoftë nga Kryeministri që nuk u pajtua dhe kërkoi fjalën e Gjykatës Kushtetuese.
Pse mu në këtë kohë Albin Kurti po kërkon jo marrëveshje me partitë politike opozitare? A po kërkon bashkëfajtor për të kundërshtuar Gjykatën Kushtetuese? Apo ka në plan që të fillojë me rrëmuja fizike”, shprehet opinonisti.
Tutje, Maraj thotë që, ndonëse partitë e tjera po tregojnë gatishmëri për bashkëpunim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ai dyshon në vullnetin e Albin Kurtit për bashkëpunim demokratik dhe vlerëson se qasja e tij politike mund të ketë ndikuar negativisht në imazhin dhe proceset integruese të Kosovës.
“Përgjigjja pozitive e partive politike pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese është për t’u admiruar. Kjo tregon një gatishmëri të matur për të vazhduar bashkëpunimin demokratik në Kosovë. Por a është Albin Kurti për bashkëpunim demokratik? Me çka na ka bindur deri tani ky, se është për bashkëpunim? Me asgjë, nuk kërkon bashkëpunim, por sundim njëpartiak.
Nuk është në gjendje të krijojë mirëkuptim ndërpartiak, madje as brenda partisë së tij. Numri i madh i votave që tani e kanë dehur nuk është vetëm i tij. Bashkëpunim bëhet duke marrë për bazë mendimin e secilit dhe duke krijuar një unitet kombëtar që është shumë i domosdoshëm për çdo shoqëri në botë e posaçërisht për ne që jemi shtet i ri.
Sjelljet jodemokratike kanë dëmtuar mjaft imazhin e Kosovës. Kanë penguar Kosovën të përfitojë nga BE, të anëtarësohet në KE; tani sa u rehabilituam pak fillon rundi i dytë i lojës së rrezikshme për të penguar ecjen e Kosovës përpara”, shpjegon ai.
Opinonisti në fund nënvizon që përgjegjësia për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike duhet të merret nga vetë udhëheqësit dhe shoqëria në Kosovë, duke kërkuar më shumë përgjegjësi, respekt për sakrificat e së kaluarës dhe kujdes për të ardhmen e gjeneratave të reja.
“A do të merret SHBA me këto lojëra? A do të merret NATO me këto lojëra? Kush pritet që të na zgjedhë mosmarrëveshjet dhe tekat tona?
Të trokasim fort në ndërgjegjen tonë dhe të mos bëjmë spektakle për heronjtë tanë, për invalidët e luftës, për gratë e dhunuara dhe për të zhdukurit vetëm kur dalim për të kërkuar vota.
Krejt ky mund dhe këto tragjedi nuk u provuan që tani të zgjedhurit tanë të luajnë me fatin e gjeneratave tona të reja, që nuk po shohin perspektivë në atdheun e tyre të lirë”, përfundoi Maraj për “Bota sot”.
