OPINIONTË FUNDIT

Kur gjuha ‘ndërton’ kombe: Pse “Kombëtarja e Kosovës” është një gabim etik dhe politik?

Të nderuar gazetarë,
të nderuar kryeredaktorë,

Po ju drejtohem për të shprehur shqetësimin tim lidhur me përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë dhe të pakritikuar të termit “kombëtare” për përfaqësuesen e Kosovës në sport. Kjo çështje, në dukje terminologjike, në fakt prek drejtpërdrejt dimensione të rëndësishme të teorisë së identitetit, sociolinguistikës dhe komunikimit politik.

Në literaturën akademike mbi kombin dhe nacionalizmin, termi “komb” nuk trajtohet si një kategori thjesht administrative apo shtetërore, por si një ndërtim historik, kulturor, politik dhe simbolik, i ndërtuar mbi përvoja të përbashkëta, gjuhë, kujtesë kolektive dhe vetëdije identitare. Në këtë kuptim, përdorimi i shprehjes “kombëtare” nënkupton ekzistencën e një kombi të konsoliduar, i cili legjitimon përfaqësimin e tij simbolik në sport.

Në rastin e Kosovës, kemi një shtet funksional dhe të njohur ndërkombëtarisht, i cili me të drejtë përfaqësohet në arenën sportive përmes ekipeve të tij shtetërore. Megjithatë, barazimi i këtij përfaqësimi me nocionin e “kombëtares” pranon ekzistencën e një kombi të veçantë «kosovar», çka mbetet një çështje e debatueshme dhe e pakonsoliduar në planin historik dhe etnokulturor. Duke pasur parasysh se shumica dërrmuese e popullsisë së Kosovës i përket kombit shqiptar (mbi 93%), lind nevoja për një saktësi më të madhe konceptuale në përdorimin e terminologjisë publike.

Nga perspektiva e sociolinguistikës kritike, gjuha nuk është një mjet neutral komunikimi, por një instrument që jo vetëm pasqyron realitetin, por edhe e ndikon dhe e prodhon atë. Përdorimi i qëndrueshëm i një emërtimi në diskursin publik kontribuon në natyralizimin e tij dhe, në mënyrë graduale e djallëzore, në ndërtimin e realiteteve të reja simbolike. Kjo është dëshmuar në shumë raste ndërkombëtare.

Pse është problematike kjo në planin e gjuhës dhe identitetit?

E thashë më sipër: Gjuha nuk është neutrale. Ajo formëson realitetin. Studimet në retorikë dhe komunikim tregojnë se përmes përdorimit të qëndrueshëm të një emërtimi apo shprehjeje, mund të ndërtohen identitete të reja kolektive.

Një shembull retorik ilustrues është rasti i Quebec-ut në Kanada, ku përmes politikave gjuhësore dhe dokumenteve zyrtare (të njohura si “White Papers”), u promovua dhe institucionalizua termi “Québécois”, duke kontribuar në formësimin e një identiteti të veçantë politik e kulturor, i cili sot përbën një përbërës të rëndësishëm të diskursit publik në atë rajon të Kanadas. Ky rast demonstron qartë fuqinë e gjuhës dhe tekstit në ndërtimin e identiteteve kolektive.

Në lidhje me këtë, përdorimi i shprehjes “kombëtarja e Kosovës” nga ana e gazetarëve shqiptarë nuk është i pafajshëm: Emërtimet/Retorika mund të funksionojë si një mekanizëm diskursiv për ndërtimin gradual të një identiteti të ri kombëtar, pavarësisht nëse ky është apo jo një synim i vetëdijshëm i aktorëve mediatikë të Tiranës dhe të Prishtinës.

Për më tepër, kjo çështje merr një dimension të veçantë kur vendoset në kontekstin historik të diskursit dhe retorikës propagandistik serbe. Retorika të caktuara, veçanërisht në diskursin politik serb, kanë synuar (dhe synojnë) historikisht grimcëzimin e identitetit shqiptar, duke promovuar ndarje artificiale brenda tij. Në këtë kuadër, çdo paqartësi apo pasaktësi në përdorimin e terminologjisë nga vetë hapësira mediatike shqiptare rrezikon të përforcojë, edhe në mënyrë të pavullnetshme, këto qëllime kundërshqiptare.

Të nderuar kolegë,
Të dashur gazetarë
Besoj se mediat shqiptare e kanë detyrë profesionale dhe etike të përdorin një gjuhë të saktë, duke u treguar të vëmendshme ndaj peshës që mbart fjala e tyren në publik. Shprehje si:

1. «Përfaqësuesja e Kosovës»

2. «Ekipi shtetëror i Kosovës»

janë më të përshtatshëm dhe konceptualisht më të saktë në këtë kontekst.

Në përfundim, kjo nuk është një çështje semantike e izoluar, por një problem politik që lidhet me mënyrën se si ndërtohen dhe riprodhohen identitetet në hapësirën publike përmes gjuhës, tekstit, fotografisë, filmit, pra përmes Retorikës.

Duke qenë se mediat janë ndër faktorët kryesorë në këtë proces, roli juaj në ruajtjen e një gjuhe të qartë dhe të përgjegjshme është thelbësor dhe i pazëvendësueshëm.

Konsekuent deri në fund: Ky nuk është një debat kundër shtetit të Kosovës apo përfaqësimit të saj në sport. Përkundrazi, është një thirrje për saktësi, vetëdije dhe përgjegjësi në përdorimin e gjuhës.

Suksese përfaqësues së Kosovës kundër kombëtares turke, ndeshje që do të zhvillohet me datë 31 mars në Republikën e dashur të Kosovës.

Sinqerisht dhe i brengosur,
Gëzim Mekuli
(Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *